Autor
Diana Cankova
Mërkurë 28 Janar 2026 07:10
Mërkurë, 28 Janar 2026, 07:10
FOTO: biathlon.bg
Madhësia e shkronjave
Vendi ynë do të marrë pjesë me ekip të plotë në biatlon në Lojërat Olimpike Milano – Cortina d’Ampezzo, të cilat hapen më 6 shkurt. Sportistët bullgarë fituan numrin maksimal të kuotave –katër për meshkuj dhe katër për femra. Dhe megjithëse arritjet e viteve të kaluara ushqejnë optimizmin për vende në podium, rezultatet e fillimit të sezonit në Kupën e Botës tregojnë se një renditje ndër njëzet më të mirët do të ishte më tepër një sukses i madh.
Te meshkujt, Bullgaria do të përfaqësohet nga Vlladimir Iliev, Bllagoj Todev, Konstantin Vasilev dhe Anton Sinapov.
Vlladimir Iliev
FOTO: BTA
Sportisti më me përvojë në ekipin bullgar – 38-vjeçari Vlladimir Iliev – del në pistën olimpike me ambicien për një paraqitje të fortë, me të cilën t’i japë lamtumirën karrierës së tij si sportist aktiv. “E gjithë forca dhe përqendrimi im janë të drejtuara aty”, thotë biatlonisti.
Vlladimir Iliev
FOTO: biathlon.bg
Vlladimir Iliev merr pjesë në gara që nga viti 1997, ndërsa që nga viti 2004 është pjesë e ekipit kombëtar. Ai ka një medalje argjendi në garën individuale nga Kampionati Botëror në Östersund në vitin 2019, një titull evropian në disiplinën “Sprint” nga kampionati në Duszniki-Zdrój në vitin 2017, si dhe edhe dy vende të treta nga kampionate evropiane. Me pjesëmarrjen e tij në Milano – Cortina d’Ampezzo, ai do të bëhet sportisti i parë bullgar që merr pjesë në pesë Lojëra Olimpike Dimërore radhazi. Paraqitja e tij më e mirë është në PyeongChang 2018, ku u rendit i 19-ti në garën individuale.
Bllagoj Todev
FOTO: biathlon.bg
Bllagoj Todev është një nga shpresat e reja në biatlon. Rezultati më i mirë që ka arritur deri më tani është vendi i 20-të në sprintin 10 km në Kupën e Botës në Hochfilzen. Dhe megjithëse sukseset më të mëdha në biatlon e presin ende, në planin thjesht njerëzor ai ka shënuar tashmë fitore të rëndësishme. Pas fitimit të titullit evropian për të rinj në disiplinën individuale 15 km në vitin 2022 në Pokljuka, Bllagoj Todev e nxori medaljen e artë në ankand për të ndihmuar në trajtimin e një infermiereje me sëmundje onkologjike nga qyteti i tij i lindjes, Bansko. Një vit më vonë, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Kampionatin Evropian për të rinj në Letoni, ku u rendit i dyti në disiplinën individuale 15 km, ai u ngjit në podium i mbështjellë me flamurin ukrainas. Në këtë mënyrë ai jo vetëm shprehu mbështetje për popullin e Ukrainës, por edhe mirënjohje ndaj ekipit ukrainas, i cili e kishte ndihmuar muajt e fundit në stërvitje dhe në shërimin nga një dëmtim i rëndë që gati sa nuk e kishte nxjerrë jashtë sezonit.
Konstantin Vasilev
FOTO: biathlon.bg
Konstantin Vasilev e nisi me premtime vitin olimpik, duke bërë përshtypje në Kupën e Botës në Ruhpolding. Saktësia e tij “snajperiste” – dhjetë shënjestra të goditura për 48,3 sekonda – së bashku me formën e shkëlqyer fizike, i siguruan ekipit bullgar vendin e 12-të në stafetë, ndërsa rezultati i tij personal e renditi të tretin në postin e tij.
Më pak se një muaj para Lojërave Olimpike, biatlonisti i lindur në vitin 2003 arriti edhe kulmin personal në karrierë, duke përfunduar në vendin e 30-të në ndjekjen 12,5 km në Kupën e Botës në Oberhof.
Anton Sinapov
FOTO: biathlon.bg
Anton Sinapov ka marrë pjesë më parë në Lojërat Olimpike në PyeongChang dhe në Pekin, ku u rendit përkatësisht i 71-ti dhe i 85-ti. Paraqitja e tij më e mirë në kampionatet botërore është vendi i 29-të në disiplinën individuale 20 km në vitin 2023 në Oberhof.
Milena Todorova
FOTO: BTA
Milena Todorova, Llora Hristova, Maria Zdravkova dhe Valentina Dimitrova janë biatlonistet bullgare që në Milano – Cortina d’Ampezzo do të përpiqen të tejkalojnë arritjet e tyre të deritanishme.
Milena Todorova e zgjodhi biatlonin me një qëllim të qartë – që një ditë të fitojë një medalje olimpike. “E fillova si shaka për shkak të një problemi shëndetësor, por sot nuk mund ta imagjinoj se do të bëja diçka tjetër”, thotë ajo. Në fillimet e karrierës së saj ajo arriti suksesin më të madh për vendin tonë në biatlonin për të rinj, duke fituar një medalje argjendi dhe dy medalje bronzi në tri disiplina të ndryshme në Kampionatin Botëror në Lenzerheide. Në fillim të vitit të kaluar ajo riktheu shpresën për një renditje të lartë, duke u ngjitur në podium me vendin e tretë në sprintin 7,5 km në Kupën e Botës në Oberhof. Një muaj më vonë, ajo regjistroi rezultatin më të mirë në karrierën e saj – një medalje argjendi në startin masiv 12,5 km në Kupën e Botës në Pokljuka.
Milena Todorova
FOTO: biathlon.bg
Biatlonistja ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike në PyeongChang dhe Pekin dhe u rendit në vendin prestigjioz të 17-të në sprint në kryeqytetin kinez.
Llora Hristova
FOTO: AP/BTA
Kampione bote në biatlonin veror për vajza, Llora Hristova niset pas pak ditësh drejt Lojërave Olimpike Dimërore. Që nga mosha njëmbëdhjetëvjeçare ajo merret me këtë sport, sepse në qytetin e saj të lindjes, Trojan, “çdo i dyti stërvitet në biatlon”. Ajo e pëlqen më shumë aspektin psikologjik – përveç vrapimit ka edhe qitjen, ku sportistët kanë rreth gjysmë minute për të qetësuar pulsin dhe për të shtypur këmbëzën e pushkës.
Në muajin paraolimpik, Llora Hristova u rendit e 43-ta në sprintin 7,5 km dhe e 44-ta në ndjekjen 10 km në Kupën e Botës në Oberhof, ndërsa në Kupën e Botës në Ruhpolding mbeti në vendin e 48-të në sprintin 7,5 km dhe në vendin e 43-të në ndjekje.
Marija Zdravkova
FOTO: biathlon.bg
Flamurtarja e Bullgarisë në Lojërat Olimpike Pekin 2022, Maria Zdravkova, dha kontribut për renditjen e mirë të stafetës së femrave, e cila e nisi fuqishëm sezonin e ri me vendin e nëntë në Kupën e Botës në Östersund, duke arritur kështu renditjen më të mirë që nga Lojërat Olimpike të Torinos para 20 vjetësh.
Marija Zdravkova
FOTO: biathlon.bg
“Ekipi ynë është shumë i bashkuar – gjithmonë jemi të buzëqeshur dhe të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit. Në momentet e vështira mbështesim dhe motivojmë njëra-tjetrën, gjë që i bën garat shumë më të lehta”, thotë ajo për bTV. Në sezonin paraolimpik, biatlonistet bullgare arritën renditje në top 20 në Kupat e Botës edhe me pjesëmarrjen e Maria Zdravkovës.
Valentina Dimitrova
FOTO: biathlon.bg
Valentina Dimitrova e di se si është ndjesia të qëndrosh në majë. Ajo fitoi titullin evropian për vajza në disiplinën individuale 12,5 km në Altenberg në vitin 2025, ndërsa një vit më parë u shpall kampione bote në biatlonin veror në kampionatin në Estoni. Në sezonin e fundit ajo dha kontributin e saj për paraqitjen e mirë të stafetës sonë dhe arriti vendin prestigjioz të 24-të në sprintin 7,5 km në Kupën e parë të Botës të sezonit në Östersund.
Që vetëm tetë vjeçe, Valentina Dimitrova shfaqi interes për biatlonin dhe filloi të ushqejë ëndrrën e saj për të marrë pjesë në gara të mëdha. Qetësi i sjell një hobi nga fëmijëria – zgjidhja e kubit të Rubikut.
Valentina Dimitrova
FOTO: biathlon.bg
Ekipi bullgar mungoi në Kupën e fundit të Botës në Nové Město (Çeki) para Lojërave Olimpike, pasi po përgatitet në një kamp stërvitor në lartësi në qendrën dimërore italiane Val Martello. Qëllimi është që sportistët të përshtaten me kushtet specifike në Antholz, ku do të zhvillohen garat e biatlonit. Nga 8 deri më 21 shkurt, adhuruesit e këtij sporti do të mund të ndjekin garat në disiplinat e ndryshme dhe pse jo – të jenë dëshmitarë të një mrekullie dhe të një medaljeje olimpike bullgare.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello