EKONOMI

Seksion

Sfidat e prodhuesve bullgarë të trëndafilit

Enjte, 29 Janar 2026, 07:15

Sfidat e prodhuesve bullgarë të trëndafilit

FOTO: agri.bg

Madhësia e shkronjave

Trëndafili Rosa damascena është një nga simbolet e Bullgarisë. Vaji i trëndafilit, i nxjerrë prej kohësh nga kopshtet tona të lulëzuara nën diell, njihet si një produkt i jashtëzakonshëm me cilësinë më të lartë në tregjet botërore. Megjithatë, gjatë ekspozitës prestigjioze në Berlin “Java e Gjelbër”, u bë e qartë se prodhimi i trëndafilit vajor në Bullgari është përgjysmuar në vitin 2025. Një vit kaq i keq për këtë sektor nuk mbahet mend prej të paktën 30 vitesh.


Ndryshimet klimatike po i prekin në përmasa shumë të mëdha prodhuesit vendas të trëndafilit – paralajmëron kryetari i Shoqatës Profesionale të Prodhuesve të Trëndafilit, Petër Simeonov, në një intervistë për Veselina Milanovën.


“Viti i fundit ishte më i vështiri. Dimri i ngrohtë dhe i butë, e më pas pranvera e ftohtë, bënë që mbi 50% e plantacioneve të ngrijnë,” thotë Petër Simeonov, i cili është pronar i kopshteve me trëndafila dhe prodhues i kozmetikës bio me substanca eterike.

Petër Simeonov

FOTO: agrotv.bg

“Nuk shohim shpëtim nga kjo situatë, por rendimentet mund të rriten nëse ka ujë për ujitje. Sigurimi i ujit përmes pompave të ujit me shpim me pus rezulton të jetë një detyrë e vështirë për prodhuesit e trëndafilit – më shumë se gjysma e sektorit kultivon trëndafila në zona malore, ndërsa të tjerët në zona kodrinore, dhe shpimet bëhen në thellësi mbi 100 metra; ky është një investim shumë e madh për çdo prodhues. Shteti ndihmon, ne nuk duhet të ankohemi, por duhet bërë diçka për ujitjen. Dhe jo vetëm për prodhimin e trëndafilit – këtu duhet të përfshijmë edhe sektorin e perimeve dhe frutave, sepse kjo na mungon në treg. Kur ka ngrica, si vitin e kaluar, ne kemi nevojë për ujë që të mund të rikuperojmë plotësisht plantacionet e humbura. Aktualisht vetëm 1% e fushave me trëndafila kanë sistem ujitjeje. Nuk ka si një prodhues trëndafili me sipërfaqe nga 50 deri në 100 dynymë të përballojë një investim prej 150 mijë eurosh për ujitje. Ndërkohë kjo do ta rriste prodhimin e trëndafilit me 40–50% për vitin pasues.”

FOTO: BTA

Sipas të dhënave më të fundit të Shoqatës Profesionale, në Bullgari kultivohen rreth 60 mijë dynymë me trëndafila, dhe maksimumi 30 mijë tonë është sasia e lules së trëndafilit e përfituar prej tyre. Prodhimi i përgjithshëm për vitin e kaluar ishte rreth 6 mijë tonë. Për krahasim, në periudhën 2018–2020, nga të njëjtat sipërfaqe merreshin rreth 20 mijë tonë. Në vitin 2024, prodhimi ishte për herë të fundit pak mbi 10 mijë tonë. Por me çdo vit që kalon, prodhimi i trëndafilit bullgar po bie.

FOTO: EPA/BGNES

“Zona të mëdha të fushave me trëndafila tashmë janë braktisur dhe sipas të dhënave tona vetëm gjatë vitit të kaluar ndoshta 30–40% e plantacioneve të krijuara me trëndafila nuk po përpunohen më”, thekson Petër Simeonov dhe shton për pengesat në sektor, të lidhura me konkurrencën e pandershme:


“Shumë kolegë shqetësohen edhe për konkurrencën, sepse edhe tek ne ka import të madh të vajit të trëndafilit nga jashtë dhe jo në sasi të vogla – kryesisht nga Azerbajxhani dhe Turqia. Na shqetëson edhe eksporti i fidanëve – një tendencë që vazhdon drejt vendeve jashtë BE-së. Në këtë mënyrë, prodhimi i trëndafilit po zhvendoset jashtë territorit të Bullgarisë. Për shembull, në Azerbajxhan nuk ka kërkesa të veçanta siç ka në BE – për preparate për mbrojtjen e bimëve. Për më tepër, fuqia punëtore këtu kushton dhjetë herë më shumë se ajo e një mbledhësi trëndafilash në Azerbajxhan. Në fund, ata dalin në treg me një kosto shumë më të ulët të prodhimit të vajit të trëndafilit sesa ne.”

FOTO: agri.bg

Ka kompani që eksportojnë fidanë bullgarë drejt Azerbajxhanit vetëm për fitim, por më pas ndodh që vaji i prodhuar atje importohet tek ne si vaj trëndafili azerbajxhanas – kështu shpreh dyshimet e prodhuesve të trëndafilit kryetari i shoqatës profesionale. Problemi është se nuk ka gjurmueshmëri për këtë produkt – nuk dihet se ku shkon vaji i importuar, në çfarë përdoret dhe çfarë produkti përfundimtar del, nëse mban etiketën “prodhuar në Bullgari” apo nëse është prodhim azerbajxhanas ose turk.

FOTO: agri.bg

Sa i përket problemeve të tjera lokale, që lidhen me mungesën e fuqisë punëtore, investimet në plehra dhe preparate, si dhe qasja në pjesëmarrjen në panaire të specializuara, ato mbeten jashtë fokusit të bisedës sonë të sotme. Dhe shpresojmë që një ditë, nëse rikthehen në jetë sipërfaqet e braktisura me këtë simbol të bukur të Bullgarisë, të vijë radha të flasim edhe për problemet më të vogla dhe më lokale të prodhimit vendas të trëndafilit.


Intervista e realizuar nga: Vaselina Millanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello