Autor
Krasimir Martinov
Artikull
Dielë 1 Shkurt 2026 13:20
Dielë, 1 Shkurt 2026, 13:20
Performancë nga DARA në finalen e përzgjedhjes kombëtare për interpretues
FOTO: BNT
Madhësia e shkronjave
DARA do të këndojë për Bullgarinë në rikthimin e saj në edicionin e 70-të të Konkursit të Këngës Eurovision në maj. “Do të shihemi në Vjenë, DARA” – kështu u përshëndet fitorja e DARËS në përzgjedhjen kombëtare për Eurovision në faqen zyrtare të Eurovision në Facebook.
DARA
FOTO: https://www.facebook.com/EurovisionSongContest
Darina Nikollaeva Jotova, më e njohur si DARA, ka lindur më 9 shtator 1998 në kryeqytetin detar të Bullgarisë – Varna. Ajo ka mbaruar Shkollën Kombëtare të Arteve “Dobri Hristov”. DARA fitoi popullaritet në vitin 2015 pas pjesëmarrjes së saj në garën televizive “X Factor”.
Si përfaqësuese e Bullgarisë në Konkursin e Këngës Eurovision në maj 2026 në Vjenë, DARA u zgjodh më 31 janar, pas një gare të fortë mes gjithsej tetë kandidatëve në një shfaqje muzikore të transmetuar drejtpërdrejt në Televizionin Kombëtar Bullgar.
“Fitore e ëndërruar nga DARA” – shkruhej në faqen zyrtare të konkursit, duke prezantuar këngëtaren bullgare dhe fitoren e saj në përzgjedhjen kombëtare. Në publikim theksohet gjithashtu se, përveç biletës për në Vjenë, fituesja ka marrë edhe një statujë, të punuar nga artisti i talentuar bullgar Stojan Zikov, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Statuja i ngjan një zemre, e përbërë nga elemente të veçanta që ndahen dhe bashkohen, por së bashku krijojnë harmoni. Ajo është një mesazh për atë që do ta përfaqësojë Bullgarinë në një skenë ku krijimtaria është një emocion i përbashkët dhe një e ardhme e përbashkët” – citohen fjalët e artistit në faqen e Eurovision.
DARA
FOTO: BNT
Pritet të përzgjidhet kënga me të cilën Bullgaria do të përfaqësohet në edicionin e 70-të të Konkursit të Këngës Eurovision në Vjenë, nga 12 deri më 16 maj të këtij viti. Për këtë qëllim, më 28 shkurt DARA do të interpretojë drejtpërdrejt në BNT tri këngë, të shkruara posaçërisht për pjesëmarrjen e saj në konkurs, ndërsa një votim i kombinuar – i publikut dhe i jurisë – do të përcaktojë se cila prej tyre do të jetë kënga bullgare në konkurs.
Sipas shortit të pjesëmarrjes, Bullgaria do të garojë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovisionit – më 14 maj 2026.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello