HISTORI

Seksion

Goce Dellçev përgatitet të festojë 154-vjetorin e lindjes së patronit të tij

Hënë, 2 Shkurt 2026, 07:10

Monumenti i Goce Dellçevit në qendër të qytetit

Monumenti i Goce Dellçevit në qendër të qytetit

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Vënia në skenë e shfaqjes “Ilinden” nga Teatri Dramatik i Lloveçit shënon fillimin e festimeve për 154-vjetorin e lindjes së Apostullit të bullgarëve maqedonas, Goce Dellçev, në qytetin që mban emrin e tij. Ngjarja është pjesë e programit të Bashkisë me rastin e përvjetorit dhe do të jetë me hyrje të lirë, njofton BTA.

Spektakli "Ilinden" i teatrit ramaturgjik "Boris Llukanov" – Lloveç

FOTO: BTA

Në datën e lindjes së heroit – më 4 shkurt – do të vendosen lule dhe kurora pranë monumentit të Goce Dellçevit, i cili ndodhet në sheshin qendror të qytetit. Në ceremoni do të marrin pjesë drejtuesit e Bashkisë Goce Dellçev, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe vendase, organizata joqeveritare, parti politike dhe institucione arsimore.


Në vitin 1950, qyteti Nevrokop (Bullgaria Jugperëndimore) mori emrin e revolucionarit dhe demokratit të madh Goce Dellçev, kujton faqja zyrtare e Muzeut Historik të qytetit. Dy monumente madhështore në zonë dëshmojnë veprën e udhëheqësit dhe ideologut të komiteteve revolucionare bullgare maqedono-edrenase. Monumenti në qendër të qytetit u zbulua në vitin 1983 dhe e paraqet Goce Dellçevin si iluminist, mësues dhe mendimtar. Në zonën malore Popovi Livadi, rreth 15 kilometra në perëndim të qytetit, ndodhet një tjetër monument i vojvodës, i inauguruar në vitin 2003, ku është përjetësuar figura e tij si një kaçak i guximshëm.

Monumenti i Goce Dellçevit në zonën Popovi Livadi

FOTO: BTA

Goce Dellçev lindi më 4 shkurt (23 janar sipas stilit të vjetër) të vitit 1872 në Kukush, qyteti i sotëm Kilkis në Greqi, si fëmija i tretë nga nëntë fëmijë në familjen e Nikolla dhe Sulltana Dellçev. Pas vitit 1888 së bashku me Dame Gruev, Giorçe Petrov dhe Boris Sarafov morën pjesë në një rreth të fshehtë revolucionar. Më pas studioi në Shkollën Ushtarake në Sofje. Për dy vjet ishte mësues i Ekzarkatit në Shtip, ku u përfshi në Organizatën e Brendshme Revolucionare Maqedono-Odrinase (VMORO). Ai punoi në përfaqësinë e jashtme të VMORO-së në Sofje dhe, me ndihmën e oficerëve bullgarë, ndërtoi forcën e armatosur të VMORO-së në trevat historike të Maqedonisë dhe Trakisë së Edrenesë.


Në Bullgari, Goce Dellçev nderohet si apostull revolucionar i VMORO-së, bullgar etnik dhe hero kombëtar. Ai konsiderohet vazhdues i luftërave kombëtare çlirimtare dhe i veprimtarive komitetase të nisura nga Apostulli i Lirisë, Vasill Levski. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Goce Dellçev gjithashtu nderohet, por atje mohohet prejardhja e tij etnike bullgare.


Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello