Katër bullgare u përfshinë në përzgjedhjen e grave në shkencat polare

Hënë, 2 Shkurt 2026, 15:47

Katër bullgare u përfshinë në përzgjedhjen e grave në shkencat polare

FOTO: womeninpolarscience.org

Madhësia e shkronjave

Katër bullgare janë përfshirë në përzgjedhjen e rrjetit WiPS (Women in Polar Science) – një nismë globale që synon të lidhë dhe të inkurajojë gratë që punojnë në shkencat polare dhe t’i bëjë ato më të dukshme për shoqërinë. Këtë e njoftoi në faqen e vet në Facebook Instituti Bullgar i Antarktikut. Bashkatdhetaret tona të përzgjedhura janë Kremena Georgieva, Ralica Sëbeva, Denica Apostollova dhe Iglika Trifonova.

Kremena Georgieva

FOTO: womeninpolarscience.org

Kremena Georgieva punon si menaxhere në një kompani të madhe private në Bullgari, por paralelisht zhvillon edhe interesat e saj shkencore në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe në speleologji. “Unë jam anëtare e Ekspeditës së 33‑të Antarktike Bullgare dhe anëtare e Ekspeditës së 3‑të Bullgare të Shpellave në Indokinë. Jam një nga vetëm pesë bullgarët që kanë marrë pjesë në një studim shkencor në terren në një çarje antarktike”, tregon ajo për faqen e rrjetit. Filozofinë e saj ajo e përshkruan kështu: “Të gjitha gjërat janë të lidhura dhe veprat e vogla me të vërtetë kanë rëndësi. Njohja dhe kuptimi janë thelbësore për një ndryshim të vërtetë.”

Ralica Sëbeva

FOTO: womeninpolarscience.org

Ralica Sëbeva është asistente që ligjëron gjeologji ekonomike dhe mineralogji xeherorësh në Universitetin e Sofjes. Kërkimet e saj polare janë të përqendruara në mineralizimin e xeheroreve në ishullin Livingston, ku ajo zbuloi ar për herë të parë.  “Antarktida më formoi si shkencëtare – më mësoi qëndrueshmëri, kureshtje dhe përgjegjësi ndaj planetit tonë. Synoj ta hap botën polare për studentët, shkollat dhe publikun përmes arsimit dhe aktiviteteve informuese”, ndan ajo. 

Denica Apostollova

FOTO: womeninpolarscience.org

Denica Apostollova është studiuese në Universitetin e Sofjes në fushën e gjeokimisë organike. “Puna ime fokusohet në mënyrën se si përbërjet organike natyrore dhe antropogjene – veçanërisht hidrokarburet aromatike policiklike dhe biomarkerët – pasqyrojnë proceset ekologjike dhe dinamikën e ndotjes. Kërkimet e mia shtrihen edhe në rajonet polare përmes tre ekspeditave në Bazën Antarktike Bullgare”, tregon studiuesja. 

Iglika Trifonova

FOTO: womeninpolarscience.org

Iglika Trifonova është menaxhere e “Komunikimeve” në Institutin Bullgar të Antarktikut. “Misioni im është të siguroj që aktivitetet e kryera nga shkencëtarët tanë në Antarktidë të kenë ndikim të madh shoqëror dhe të jenë të pranishme në media.” Si rezultat i punës sime, së fundmi në Bullgari u botuan mbi dhjetë libra për Antarktidën dhe studiuesit polarë. Jam bashkautore e “Kuzhinës Antarktike” – një libër unik dygjuhësh që bashkon historinë kulinare të ekspeditave të para antarktike dhe përvojën e 36 kuzhinierëve nga 29 vende të botës, me më shumë se 60 receta dhe sekrete profesionale për përgatitjen e ushqimeve në Antarktidë. “Unë studioj njerëzit në Antarktidë dhe mënyrën se si ata krijojnë komunitete atje”, ndan me rrjetin Iglika Trifonova.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva