Autor
Diana Cankova
Artikull
Hënë 2 Shkurt 2026 20:00
Hënë, 2 Shkurt 2026, 20:00
Radosllav Jankov
FOTO: Facebook/Radoslav Yankov
Madhësia e shkronjave
Sportistët bullgarë me arritjet më prestigjioze në sportet dimërore janë në snowboard dhe pikërisht me ta lidhen shpresat e vendit tonë për një medalje olimpike. Për herë të parë Bullgaria do të përfaqësohet në një nivel kaq të lartë me katër sportistë. Në Milano – Cortina d’Ampezzo, në pistat me borë do të garojnë Radosllav Jankov, Tervell dhe Malena Zamfirovi, si dhe Aleksandër Krëshnjak.
Georgi Atanasov
FOTO: BTA
Kontribut për rezultatet e mira në snowboard gjatë viteve të fundit ka puna serioze dhe me qëllim në Federatën Bullgare të Skive. Georgi Atanasov – trajneri i yllit më të madh bullgar në sportet dimërore, Radosllav Jankov – dhe ekipi i tij krijojnë një ekip për moshat e reja, të cilët tashmë po korrin sukseset e para.
Radosllav Jankov me Globin e Madh të Kristalit në Kupën e Botës 2016
FOTO: insport.bg
I vetmi bullgar që ka fituar një Kupë të Madhe të Botës në sportet e borës është Radosllav Jankov. I lindur në qendrën dimërore Çepellare, në një familje mësuesish skish, ai nuk kishte shumë zgjedhje për rrugën e tij jetësore, ndaj që fëmijë u miqësua me skitë dhe më pas me snowboard-in. Në vitin 2015, në Carezza, ai fiton një podium në Kupën e Botës dhe bëhet bullgari i parë me një arritje të tillë. Vetëm një vit më vonë mban në duar Globin e Madh të Kristaltë në disiplinat paralele, ndërsa në vitin 2017 – Globin e Vogël, në sllallomin gjigant paralel.
Radosllav Jankov në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, 2022
FOTO: BGNES
Radosllav Jankov ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi, Pjongçang dhe Pekin, dhe në kryeqytetin kinez arrin rezultatin e tij më të mirë në një forum të tillë – vendin e 15-të në sllallomin gjigant paralel dhe rekord personal kohe. Në Kupën e Botës në shtëpi, në Bansko, në fillim të vitit 2026, ai fitoi medaljen e bronztë në sllallomin gjigant paralel dhe e duartrokiti sinqerisht të riun Tervell Zamfirov, i cili e mposhti në gjysmëfinale dhe u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit.
Tervell Zamfirov dhe Radosllav Jankov në podiumin e Kupës së Botës në Bansko
FOTO: BGNES
“Që nga momenti kur fitova Globin e Madh të Kristaltë, misioni im ka qenë gjithmonë të angazhoj më shumë të rinj që të merren me sport dhe t’i ndihmoj ata. Aktualisht po korrim frytet e një pune dhjetëvjeçare të federatës, të prindërve, trajnerëve, veprimtarëve, fëmijëve dhe të gjithë atyre që janë në këtë rrugë me forcat dhe sakrificat e tyre. Gëzohem që tashmë kemi një ekip kaq të madh”, komentoi Radosllav Jankov.bSnowboardisti është i lumtur që nuk shkon i vetëm në Lojërat Olimpike, për të cilat jo një herë ka deklaruar se synimi i tij është medalja e artë.
Tervell dhe Malena Zamfirovi
FOTO: BGNES
“Tervell dhe Malena Zamfirovi janë një ‘produkt’ familjar shumë interesant, të cilin në një nivel kaq të lartë në sportet dimërore nuk e kemi pasur”, thotë gazetari sportiv Kamen Alipiev. Vëllai është i vetmi bullgar me titull botëror në sportet e borës, ndërsa motra, vetëm 16 vjeçe, fiton podiumin e saj të parë tek gratë dhe vazhdon të paraqitet mirë në sezonin e ri të Kupës së Botës.
Tervell Zamfirov
FOTO: EPA/BGNES
Tervell Zamfirov e fitoi medaljen e tij më të madhe në Kampionatin Botëror në sllallomin paralel në vitin 2025 në St. Moritz. Para kësaj ai u shpall katër herë kampion bote për të rinj deri në 21 vjeç në sllallomin gjigant paralel në Bansko dhe Zakopane, ku përveç në dy disiplinat u shpall edhe fitues ekipor bashkë me motrën e tij Malena. Triumfin e fundit në Kupën e Botës në Bansko e cilëson si një ngjarje të madhe. “Ky është një rezultat historik për Bullgarinë me dy sportistë në podium dhe fitore në tokë vendase”, shton ai dhe bën një rrëfim emocional: “Kur mendon për Lojërat Olimpike, të dridhet trupi”.
Malena Zamfirova
FOTO: BTA
Në Itali, Malena Zamfirova do të ketë mbështetjen e afërt jo vetëm të vëllait të saj, por edhe të babait të saj Anatollij Zamfirov, i cili është edhe trajneri i tyre. Ata do t’i japin asaj vetëbesim, sepse vajza e mitur është përfaqësuesja jonë e vetme tek gratë. Vetëbesim do t’i japin edhe rezultatet e arritura deri më tani – vitin e kaluar, vetëm 15 vjeçe, ajo u rendit e dyta në startin e saj debutues në Kupën e Botës në Krinica, ndërsa në Kampionatin Botëror për të rinj dhe të reja deri në 23 vjeç në Zakopane fitoi medaljen e artë në garën ekipore në sllallomin paralel dhe edhe dy medalje argjendi. Në Kupën e Botës në snowboard alpin në Bansko së fundmi ajo regjistroi vendin e katërt dhe të pestë, ndërsa në Kupën Evropiane që pasoi në qendrën bullgare triumfoi në sllallomin gjigant paralel.
FOTO: BGNES
Në vitin 2025, Malena Zamfirova u nderua me çmimin e madh të Komiteteve Olimpike Evropiane për sportistin më të mirë të ri. “Kur dorëzuam kandidaturën, as që e ëndërronim se një sportist bullgar do të ishte në skenë dhe atëherë me çmimin më™ kryesor”, komentoi atëherë kryetarja e Komitetit Olimpik Bullgar, Vesella Leçeva. Pasoi edhe një tjetër vlerësim prestigjioz falë tifozëve nga e gjithë bota – Kupa Botërore virtuale e FIS Snowboarding në Instagram, duke lënë pas Ramona Hofmeister, fituese e medaljes olimpike dhe e dy medaljeve të tjera nga kampionatet botërore.
Aleksandër Krëshnjak
FOTO: BTA
Aleksandër Krëshnjak fitoi kuotën e tij olimpike një muaj para fillimit të garave në Itali. Në Kupën e Botës në Bad Gastein ai garoi për herë të parë në finalen e madhe dhe i lejoi vetëm yllit të madh Maurizio Bormolini ta mposhtte. “Kualifikimi për Olimpiadën nuk ishte i papritur për mua, sepse për këtë jam stërvitur dhe ky ishte plani”, deklaron ai për “Evropa e Lirë”. Shpresa e re e sportit bullgar e nisi fuqishëm Vitin e Ri, duke zënë vendin e dytë edhe në sllallomin gjigant paralel për Kupën Evropiane të snowboard-it alpin në Folgaria. Ai u rendit i dyti gjithashtu edhe në Kupën Evropiane në Bansko. Më herët arriti të fitojë medaljen e bronztë në Universiadën Dimërore në Torino dhe në Kupën Evropiane në Götschen.
Aleksandër Krëshnjak
FOTO: EPA/BGNES
Prania e Aleksandër Krëshnjakut në ekipin kombëtar nuk është e rastësishme, nëse besojmë në gjenetikë, aq më tepër që në mbiemrin e familjes së tij, me origjinë nga Sllovakia, është e koduar fjala “shtyllë kurrizore”. Në vitin 1899, stërgjyshi i tij Mihaill Krëshnjak mbërrin në Bullgari për të punuar për Car Ferdinandin dhe bëhet një nga pionierët e skive në vendin tonë. Pasioni për sportet dimërore përcillet në brezat pasues dhe arrin te Aleksandri, i cili, sapo fillon të ecë, ngjitet në ski. Para pesë vitesh ai zgjedh të përqendrohet në snowboard dhe vendimi e çon atë në elitën e këtij sporti.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski