LAJME

Artikull

Do të sinkronizohen oraret e të gjitha llojeve të transportit në vend

Mërkurë, 4 Shkurt 2026, 14:42

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit në dorëheqje Grozdan Karaxhov

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit në dorëheqje Grozdan Karaxhov

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Në mbledhjen e sotme, qeveria mori vendime të rëndësishme për transportin, të lidhura drejtpërdrejt me pagesën e katërt të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë(PRQ); pa to nuk do të ketë fonde nga PRQ. Këtë e njoftoi zëvendëskryeministri dhe Ministri i dorëhequr i Transportit, Grozdan Karaxhov. Është miratuar një projektligj për transportin publik, në të cilin parashikohet sinkronizimi i orareve të transportit publik në vend.

Aktualisht, “ndërrimet e mjeteve të transportit janë të vështira, pritja është e gjatë dhe në shumë raste thjesht nuk ka transport. Kjo nuk është sistem, por kaos”, shpjegoi Karaxhov. “Sipas të dhënave të komunave, 738 vendbanime nuk kanë aspak transport publik, ndërsa edhe 601 të tjera kanë shërbim formal, por në praktikë jo funksional. Vetëm 61 vendbanime disponojnë transport adekuat. Në këtë kuptim, shteti ka detyrime. Prandaj ky ligj nuk është vetëm i domosdoshëm – ai ka ardhur me vonesë”, shtoi ministri në dorëheqje.

Me ligjin e ri, për herë të parë krijohet një sistem kombëtar i unifikuar që bashkon oraret e transportit hekurudhor, rrugor, ajror dhe ujor. 

Parashikohet edhe një dokument i unifikuar elektronik i udhëtimit, i vlefshëm për lloje të ndryshme transporti brenda një udhëtimi të vetëm. Ai do të mundësojë që me një transaksion të blihet udhëtim me tren, autobus, avion ose transport të brendshëm ujor. Për njerëzit që nuk përdorin telefona inteligjentë, do të ketë edhe një kartë magnetike me të njëjtin funksionalitet. “Për herë të parë po vendosim standarde të qarta cilësie – saktësi, rregullsi, pastërti, aksesueshmëri dhe informim të përkohshëm për pasagjerët. Pasagjeri bëhet qendra e sistemit të transportit”, deklaroi Karaxhov.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva