SHOQËRI

Artikull

U shpallën temat e konkursit letrar për bullgarët jashtë vendit në vitin 2026

Enjte, 5 Shkurt 2026, 05:40

U shpallën temat e konkursit letrar për bullgarët jashtë vendit në vitin 2026

FOTO: Agjencia për Bullgarët Jashtë Shtetit - arkiv

Madhësia e shkronjave

Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit njoftoi në faqen e saj të internetit fillimin e konkursit tradicional letrar "Stefan Geçev" për fëmijë dhe adoleshentë nga komunitetet bullgare në të gjithë botën.

Në vitin 2026, konkursi letrar feston edicionin e tij të 30-të. Këtë vit, konkurset e agjencisë i kushtohen ngjarjeve emblematike të historisë bullgare nga pranvera e vitit 1876 - 150 vjet që nga Kryengritja e Prillit dhe 170 vjet që nga lindja e Rajna Knjaginja - një grua e jashtëzakonshme bullgare që qepi flamurin kryesor rebel në Panagjurishte, një simbol i lirisë dhe dinjitetit kombëtar bullgar.

"150 vjet na ndajnë nga ngjarjet e Kryengritjes së Prillit, por fryma e tyre vazhdon të jetojë - në fjalë, në këngë dhe në ngjyrat me të cilat fëmijët sot tregojnë për Bullgarinë e tyre", shkroi ekipi i Agjencisë për Bullgarët Jashtë Shtetit.

Sipas botimit në konkursin letrar mund të marrin pjesë fëmijët dhe adoleshentët nga komunitetet bullgare jashtë vendit të moshës 6 deri në 18 vjeç. Ata mund të shkruajnë një vepër mbi njërën nga temat e mëposhtme: “Kujtesa dhe Liria – Zëra nga viti 1876 dhe sot”; “Flamuri që ende valëzohet”; “Sikur të isha atje në pranverën e vitit 1876…”; “Çfarë do të thotë liria sot?”; “Pranvera e rebelimit, pranvera e shpresës.”

Pjesëmarrësit mund të paraqesin vepra të shkruara në bullgarisht në zhanre të ndryshme letrare: ese, tregim, përrallë, kompozim, poezi, prozë e shkurtër ose vargje të bardha, shtojnë organizatorët. Renditja do të jetë në 3 grupmosha: nga 6 deri në 10 vjeç; nga 11 deri në 14 vjeç dhe nga 15 deri në 18 vjeç.

Të gjitha veprat e nxënësve duhet të ngarkohen në platformën online të agjencisë deri më 15 prill 2026 dhe të shoqërohen me informacion rreth autorit: emri dhe mbiemri, mosha, klasa e shkollës, qyteti dhe vendi, emri dhe kontaktet e shkollës, emaili dhe numri i telefonit të pjesëmarrësit ose prindit.

Rezultatet do të shpallen në gjysmën e dytë të majit 2026, dhe ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në gusht 2026.

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva