Reportazh
Enjte 5 Shkurt 2026 20:00
Enjte, 5 Shkurt 2026, 20:00
FOTO: Zdravka Maslljankova
Madhësia e shkronjave
Qeramikë, qëndisje, endje, thikëpunim… zejet janë ajo urtësi e shpirtit dhe e duarve që transmetohet brez pas brezi, nga mjeshtri te nxënësi dhe kështu ruhet dhe pasurohet. Zhvillimi dhe ruajtja e zejeve tradicionale bullgare është një detyrë themelore e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, e cila bashkon 20 Dhoma Rajonale të Zejtarisë, organizata dhe shoqata të degëve të ndryshme. Këto ditë, njëra prej tyre – Dhoma e Zejtarisë në Veliko Tërnovo – u zgjerua me 12 mjeshtër të rinj dhe 4 punëtorë të kualifikuar..
“Veliko Tërnovo është një qytet në të cilin zejet e lashta bullgare janë të gjalla. Në krijimtarinë e zejtarëve dhe në dyqanet e Pazarit Samovodska traditat ruhen dhe përcillen përpara”, komentoi kryetari i bashkisë Daniell Panov, i cili dorëzoi dëshmitë e mjeshtërisë – njofton korrespondentja e BNR-së në kryeqytetin e vjetër bullgar, Zdravka Maslljankova.
Rreth njëqind mjeshtër të zanateve të ndryshme janë anëtarë të Dhomës Rajonale të Zejtarisë në Veliko Tërnovo.
“Mjeshtër do të thotë se ke dëshmuar përvojën tënde në fushën në të cilën punon dhe mund ta transmetosh më tej, d.m.th. mjeshtrit marrin të drejtën edhe për të trajnuar. Numrin më të madh të dëshmive të mjeshtërisë e kemi në zanatet e parukerisë, thurjes artistike, qëndisjes. Më të paktat – pastrimi i oxhaqeve, vulkanizimi. Nuk kemi fryrje qelqi”, shpjegoi Galina Bartollova, kryetare e Këshillit Drejtues të Dhomës lokale të Zejtarisë.
Sipas saj, futja e euros si mjet pagese në Bullgari nuk është problem për zejtarët, ndërsa praktikat e pandershme, për të cilat shumë prej tyre ankohen, rezulton se nuk janë problem me të cilin merret Dhoma. Ndërkohë, në sektorin e shërbimeve, ku janë parukierët, manikyristët dhe zanate të tjera, u fol për rritje të parregullt të çmimeve pas futjes së euros, por edhe kjo nuk është objekt kontrollesh nga ana e Dhomës, theksoi Bartollova: “Çdo zejtar mban vetë përgjegjësi për veprimet e tij”.
Zejtarët që kanë marrë pjesë në festivale dhe panaire ndërkombëtare nuk duhet të kenë probleme me futjen e euros, por muajt e parë të vitit në përgjithësi janë të vështirë, komentoi Borjana Moçeva, mjeshtre e tekstilit artistik dhe e gdhendjes mbi lëkurë.
Simona Pavllova
FOTO: Bashkia Veliko Tërnovo
Simona Pavllova ka arsim universitar në fushën e qeramikës dhe tashmë ka dëshmi mjeshtërie. Ajo është pasardhëse e endëseve më të famshme të Veliko Tërnovos, të cilat morën pjesë në krijimin e Pazarit Samovodska në Veliko Tërnovo:
“Qeramika është në zemrën time, ndërsa endja është trashëgimi familjare, të cilën gjithashtu e njoh, por nuk kam arritur deri aty sa të marr dëshmi mjeshtërie. Pasi përfundova studimet, krijova një atelie, ndërsa tani u bëra edhe mjeshtre – supozoj se kjo do të më lehtësojë si nga ana e dokumentacionit, ashtu edhe nga ana e prestigjit. Besoj se secili i gjen njerëzit e tij dhe ajo që krijon e gjen publikun e duhur – për të gjithë dhe për gjithçka ka vend.”
Hristina Petkova
FOTO: Bashkia Veliko Tërnovo
62-vjeçarja Hristina Petkova nga Svishtovi është më e moshuara që mori dëshminë e saj si kalfa në thurjen artistike. Gjysmë shekulli ajo është me grep dhe fije, por nuk është optimiste:
“Kam thurur gjithçka – edhe jelekë, edhe lodra. Shpresoj që thurjet të rikthehen, megjithëse është më e vështirë me kërkesën, preferohen gjërat e gatshme, ndërsa thurja me dorë kërkon më shumë punë dhe nuk vlerësohet mjaftueshëm, sipas mendimit tim.”
Nelli Stojanova
FOTO: Bashkia Veliko Tërnovo
Nelli Stojanova tashmë është mjeshtre endëse. Ajo është nxënëse e mjeshtërve të njohur Migllena Çatallova dhe Valeri Jotov. Me vështirësi guxoi të ulej pas tezgjahut:
“Dhe sapo u ula, nuk u çova. Aq shumë më pëlqeu puna me ngjyrat – të ndritshme, të bukura. Më tërhoqi vetë kuptimi i endjes, puna ku marrin pjesë të gjitha pjesët e trupit. Më pëlqente shumë të vizatoja dhe kuptova se mund të bëj produkte artistike mbi vetë pëlhurën. Dhe kështu ky zanat më rrëmbeu deri më sot – marrja e dëshmisë së mjeshtërisë më mori 5–6 vjet, por me shumë këmbëngulje”, tregon Nelli Stojanova.
Irina Jordanova
FOTO: Bashkia Veliko Tërnovo
30 vjet Irina Jordanova e ka përvetësuar parukerinë pranë babait të saj dhe tashmë ka dëshminë e saj të mjeshtërisë:
“Gjithçka, ndoshta, është e koduar në ADN-në time. Që e vogël jam rritur mes flokëve. Vitet e fëmijërisë i kam kaluar në sallonin e parukerisë së babait tim – duke parë, duke ndihmuar, duke fshirë… jam ushqyer me këtë zanat.”
Mjeshtërve të rinj iu dorëzuan dëshmitë nga kryetari i bashkisë Daniell Panov, i cili i ftoi të vazhdojnë të mbrojnë me talentin dhe zanatin e tyre Veliko Tërnovon si kryeqytet historik dhe shpirtëror të Bullgarisë.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski