MUZIKË

Artikull

“Qëndro” e kompozitorit Georgi Kostov – një këngë e dashur e Lili Ivanovës

Premte, 6 Shkurt 2026, 19:55

Georgi Kostov (21 janar 1941 – 19 janar 2024)

Georgi Kostov (21 janar 1941 – 19 janar 2024)

FOTO: Muzeu i Historisë së Radios në Bullgari

Madhësia e shkronjave

Lili Ivanova është një këngëtare, e njohur prej kohësh si një nga simbolet muzikore të Bullgarisë. Për dekada me radhë e quajtur “Prima e estradës bullgare”, në vitin 2023 ajo u shpall interpretuesja më e madhe bullgare e muzikës pop të të gjitha kohërave nga BG Radio. Repertori i saj është mbresëlënës si për nga vëllimi ashtu edhe për nga larmia, por edhe më sot bullgarët vazhdojnë ta lidhin emrin e saj me hitet e mëdha që ajo interpretoi nga vitet 60-të deri në vitet 80-të të shekullit të kaluar: “Adaxhio”, “Kamino”, “Panaire”, “Rekuiem”, “Tërfili”, “Gjinkallëz”…

Në fund të viteve 70-të, kënga “Qëndro”, me muzikë nga Georgi Kostov, ishte ndër këngët më të dashura të Lili Ivanovës dhe u vlerësua në konkursin më prestigjioz të muzikës pop në Bullgari. Në vitin 1977, në Festivalin e 13-të Ndërkombëtar “Orfeu i Artë”, çmimi i parë iu dha këngës “Qëndro”, në konkurrencë me hite të padiskutueshme si thirrja plot gjallëri “Le të jetë verë” e kompozitorit Stefan Dimitrov, interpretuar nga grupi vokal “Tonika”, si edhe miniatura e bukur “Vrull” e Najden Andreev, e kënduar në mënyrë të pakrahasueshme nga Margarita Hranova.


Lili Ivanova

FOTO: Balkanton

Autori i melodisë magjepsëse të këngës “Qëndro” është kompozitori Georgi Kostov (21 janar 1941 – 19 janar 2024). Ai mbaroi Akademinë e Muzikës në Sofje (e quajtur nga viti 1954 deri më 1995 Konservatori Shtetëror Bullgar), në klasën e kompozicionit të prof. Panço Vlladigerov. U specializua në Konservatorin e Moskës dhe, vetëm 25 vjeç, filloi të jepte mësim në Sofje. Në vitin 1977 u bë docent, ndërsa që nga viti 1985 ishte profesor i harmonisë dhe kompozicionit. I shoqërueshëm, i hapur dhe karizmatik, Georgi Kostov ishte shumë i dashur si nga studentët, ashtu edhe nga kolegët e tij. Më 9 nëntor 1989 u emërua rektor i Konservatorit. Dita pasuese mbeti në historinë e Bullgarisë me Plenumin e 10 Nëntorit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare, kur Todor Zhivkov u lirua nga posti më i lartë në parti dhe në shtet. Data 10 nëntor 1989 shënoi fillimin e një tranzicioni të gjatë dhe të vështirë të Bullgarisë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut, i cili ndikoi veçanërisht negativisht mbi kulturën dhe artet. Në kohën e ndryshimeve tronditëse dhe pasigurie, për gati dy dekada – deri në vitin 2008, prof. Georgi Kostov mbeti rektor i Konservatorit (i cili u riemërua fillimisht në Konservatorin Shtetëror dhe më vonë në Akademinë Kombëtare të Muzikës). Në vitet 1995–1996 ai ishte gjithashtu ministër i kulturës. Më 21 janar 2016, iu akordua dekorata prestigjioze “Shekulli i Artë”, çmimi më i lartë i Ministrisë së Kulturës së Bullgarisë, dhënë për kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën bullgare.

Lili Ivanova

FOTO: Facebook/Lili Ivanova

Georgi Kostov është autor i dy operave, dy mjuzikleve, një baleti, kantatave, veprave për orkestrën simfonike, frymore dhe me tela, koncerteve instrumentale dhe muzikës së dhomës. Ai kompozoi qindra këngë për fëmijë, këngë korale dhe këngë argëtuese, disa prej të cilave u bënë shumë të njohura. Është laureat i çmimeve nga konkurse kompozicioni në Paris, Berlin, Helsinki dhe Trento. Këngët e tij u vlerësuan gjithashtu në konkursin radiofonik “Prill” dhe në konkursin kombëtar televiziv “Melodia e Vitit”.

Tre vjet pas suksesit të këngës “Qëndro” në Festivalin “Orfeu i Artë”, në vitin 1980, kënga e Georgi Kostovit “Kopshte të Dashurisë”, interpretuar nga Emill Dimitrov, fitoi përsëri çmimin e parë.

Në repertorin e këngëtares së madhe Lili Ivanova ka edhe dy këngë të tjera me të njëjtin titull – “Qëndro”. Në vitin 1984, në albumin “Të dua” u përfshi kënga “Qëndro” e Rafi Zhamakorcjan me tekst të poetit Damjan Damjanov, e njohur sot më shumë si “Qëndro këtë natë”. Në vitin 1995, për albumin e saj “A jeni gati për dashurinë?”, Lili Ivanova regjistroi një version të ri të këngës së bukur me titull “Qëndro”, me muzikë nga Nikollaj Arabaxhiev dhe tekst nga Dimitër Vasilev, e cila u shndërrua në një klasik të përjetshëm në interpretimin e Pasha Hristovës.

Sot kujtojmë këngën e parë “Qëndro” të Lili Ivanovës – një kryevepër e vërtetë e kulturës muzikore bullgare, me melodinë e Georgi Kostovit, tekstin e Millço Spasovit dhe orkestrimin e Konstantin Dragnevit.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova