KULTURË

Artikull

Programi arsimor “Fortissimo Akademia” – produkt origjinal bullgar

Dielë, 8 Shkurt 2026, 10:00

Programi arsimor “Fortissimo Akademia” – produkt origjinal bullgar

FOTO: Viktorija Vuçeva/Orkestra Filarmonike e Sofjes

Madhësia e shkronjave

Programi muzikoro-arsimor “Fortissimo” është krijuar në vitin 2011 nga dirigjenti Maksim Eshkenazi me mbështetjen e fondacionit “Amerika për Bullgarinë” dhe përfshin disa projekte, mes të cilave “Fortissimo Familia”, “Fortissimo Fest”, “Fortissimo në klasë”. Që nga viti 2018, “Fortissimo Familia” është pjesë e afishes së Filarmonisë së Sofjes. Në fillim të vitit 2016 u dha starti edhe i një serie koncertesh për të rritur, të titulluar “Fortissimo Akademia”. Sipas organizatorëve, kjo lloj “akademie muzikore” u drejtohet “dashamirësve tashmë të rritur të muzikës klasike”: atyre që sapo po interesohen për të, si edhe atyre që dëshirojnë të mësojnë më shumë për kompozitorët dhe veprat që sot i quajmë “klasike”. Udhëheqës programor dhe skenarist i projektit është shkrimtari Aleksandër Çobanov.

Aleksandër Çobanov

FOTO: Facebook/FortissimoFamily

Ideja origjinale e Maksim Eshkenazit ka qenë që ngjarjet për fëmijë me muzikë klasike të kenë karakter të theksuar teatror: me skenar, aktorë me kostume, kukulla, balerinë. Detyra e parë dramaturgjike e Çobanovit ishte për një koncert, i drejtuar te adoleshentët. Duket e ndërlikuar, por “rezultoi se unë jam mjaft ‘në një mendje’ me muzikën klasike” – thotë shkrimtari: “Unë jam degëzim nga një familje muzikantësh. Gjyshi im është dirigjent, babai im është pianist… jam rritur në dashuri për muzikën klasike”. Si i vogël, Aleksandri madje ka luajtur violinë, më vonë edhe saksofon, kështu që: “Rezultoi se jam në ujërat e mia… Gjyshi im ma mësonte tërë historinë e muzikës klasike ndërsa hanim darkë – flitej vazhdimisht për këtë”.

Kompozitorët dhe veprat që prezantohen në program përzgjidhen së bashku me violinistin e shquar Pavell Zllatarov – koncertmaestër i Filarmonisë së Sofjes dhe drejtues muzikor i “Fortissimo”. Me dëshirë pranohen edhe idetë e drejtorit të Filarmonisë – Najden Todorov.

Pavell Zllatarov

FOTO: Facebook/FortissimoFamily

Në historinë mbi 10-vjeçare të projektit është prezantuar një repertor i gjerë nga autorët klasikë më të njohur. Si e vlerëson skenaristi i “Fortissimo” zhvillimin e programit ndër vite dhe si tërhiqet një publik i ri?

“Nuk mendoj se muzika klasike lufton për audiencë, apo se lufton për të tërhequr publikun. Ajo (klasikja) ka ekzistuar para nesh, ekziston tani dhe do të ekzistojë edhe pas nesh. Më tepër, për ne është e rëndësishme që nënat, prindërit që duan që fëmijët e tyre të kenë një horizont më të gjerë, të kenë një kulturë të përgjithshme më të pasur – t’i njohin me muzikën klasike, me kompozitorët, me instrumentet. Më pas, nëse fëmija shfaq interes, ai vetë na gjen dhe kthehet – edhe në koncertet tona për adoleshentë, edhe tani në ‘Fortissimo Akademia’, të cilat janë tashmë koncerte arsimore për të rritur.”

FOTO: Facebook/FortissimoFamily

Pra, nënat janë audienca kryesore e synuar? “Ne gjithmonë jemi të drejtuar nga fëmijët, por prindërit vetë na gjejnë” – pohon Çobanovi. “Ne kurrë nuk përpiqemi t’i arrijmë në mënyrë agresive, apo të shesim veten. Qëllimi i programit, i muzikës klasike, e gjithë filozofia e Filarmonisë është e tillë që ne duhet të ofrojmë përmbajtje cilësore, ndërsa njerëzit tashmë e dinë se ku të na gjejnë… nuk jemi agresivë në reklamë apo diçka të ngjashme – dhe as nuk duhet të jemi.”

Skenaristi shpjegon se ngjarjet e “Fortissimo Akademia” janë mjaft të ndryshme nga ato për fëmijë në “Fortissimo Familia”. Ato janë të ndërtuara në një ton më serioz, realisht akademik, megjithëse me një aktor drejtues, i cili e fut publikun dhe e njeh atë me biografinë e kompozitorit dhe detaje nga vepra që do të tingëllojë – histori rreth krijimit, momente konkrete, gjendje të ndryshme emocionale të autorit. Kështu publiku fiton një ide të qartë për veprën, e interpretuar e plotë në pjesën e dytë. Sipas Çobanovit, kjo qasje – e ngjashme me një leksion – “jep një dëgjim dhe kuptim shumë më të thellë të muzikës”.

FOTO: Facebook/FortissimoFamily

Pas Rahmaninovit pasojnë koncerte arsimore kushtuar Mozartit, Mendelsonit dhe Gershwin-it.

Vite më parë “Fortissimo” është krijuar mbi bazën e përvojës amerikane, më konkretisht formateve të reja multimediale, të zhvilluara nga historiani dhe kritiku kulturor amerikan Joseph Horowitz, i njohur për eksperimentimin me programe tematike dhe modele koncertesh që devijojnë rrënjësisht nga traditat. Si zhvillohet linja multimediale në program?

FOTO: Facebook/FortissimoFamily

“Unë nuk jam përkrahës që në sallën ‘Bullgaria’ të ketë shumë pajisje digjitale. Kjo lidhet me akustikën, me versionin akustik të tingëllimit të muzikës… Nga versioni amerikan, multimedian e kemi hequr. E prezantojmë më tepër në mënyrë analoge – përmes fjalës dhe muzikës, gjë që është paksa ndryshe nga ata. Por besoj se në këtë mënyrë dëgjuesit i kushtojnë më shumë vëmendje dhe janë më të përqendruar.”

Aleksandër Çobanov shton se është shumë i njohur me shumë projekte dhe programe muzikoro-arsimore evropiane dhe botërore, pasi ato janë jashtëzakonisht të njohura në mbarë botën. “Por ne jemi mjaft autentikë” – deklaron ai. – “‘Fortissimo Akademia’ është një produkt plotësisht origjinal bullgar – po!”

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski