Autor
Joan Kolev
Artikull
Hënë 9 Shkurt 2026 07:15
Hënë, 9 Shkurt 2026, 07:15
FOTO: arkiv
Madhësia e shkronjave
Ndryshimet e miratuara në Ligjin për Shëndetin lejojnë vendosjen e defibrilatorëve në vendet publike dhe përdorimin e tyre në rast incidenti që kërkon dhënie të ndihmës së parë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një mjedisi më të sigurt dhe kujdesit më të mirë për shëndetin publik, i cili u ndërmor me propozimin e dy deputetëve – dr. Kostadin Angellov nga GERB dhe dr. Aleksandër Simidçiev nga PP–DB – dhe mori mbështetjen e të gjitha partive në sallën plenare. Bullgaria kishte mbetur prapa vendeve të tjera të BE-së, shumica e të cilave tashmë kanë një rregullore të tillë, dhe kjo pengonte mundësinë për të shpëtuar jetë njerëzish – shpjegoi për Radio Bullgarinë dr. Aleksandër Simidçiev.
dr. Aleksandër Simidçiev
FOTO: Facebook/ Aleksandër Simidçiev
“Defibrilatorët e jashtëm automatikë janë mjete që ndihmojnë në rast të vdekjes së papritur kardiake, kur ajo shkaktohet nga i ashtuquajturi fibrilacion ventrikular. 50% e njerëzve që bien në një gjendje të tillë mund të shpëtohen, por vetëm nëse ndërhyrja bëhet brenda dhjetë minutave të para, pasi për çdo minutë pa furnizim me gjak, njeriu humbet 10% të shanseve për t’u rikuperuar.”
I gjithë ky protokoll veprimesh është pjesë e të ashtuquajturës ndihmë e parë, deri në mbërritjen e ekipit mjekësor, e cila zakonisht jepet nga persona që nuk janë mjekë. Zakonisht ajo përfshin masazh të jashtëm kardiak dhe frymëmarrje artificiale, por në rast të çrregullimit të ritmit të zemrës dhe fibrilacionit ventrikular, që bën që zemra të mos funksionojë, është e nevojshme të kryhet defibrilim.
FOTO: Njësia Universitare e Ndihmës dhe Shpëtimit
“Vendosen dy elektroda në kraharor; ato vlerësojnë nëse ekziston një gjendje e tillë apo jo dhe aktivizohen vetëm në rastet kur ajo është e pranishme. Me ilustrime është treguar qartë si dhe ku vendosen ato mbi kraharor. Pajisjet flasin në gjuhën bullgare, me një zë të qetë që udhëzon çfarë duhet bërë dhe madje, disa prej tyre, kanë një metronom akustik që tregon me çfarë frekuence duhet të kryejmë masazhin kardiak indirekt,” – shpjegon mjeku.
Është e rëndësishme që njerëzit të dinë dhe të mos hezitojnë të përdorin pajisje të tilla, gjë që mund të arrihet pas një fushate të gjerë informuese. Deputeti siguron se aparatet janë të licencuara për t’u përdorur edhe nga persona të patrajnuar dhe se rreziqet nga përdorimi i tyre janë reduktuar në 0%. Prandaj njerëzit mund t’i përdorin pa frikë se, në rast të një përfundimi fatal, dikush mund t’i mbajë përgjegjës për dhënie të pahijshme të ndihmës së parë.
FOTO: BTA
Vendet ku do të vendosen pajisjet do të përcaktohen me një urdhëresë nga ministri i shëndetësisë – zakonisht në lokacione ku mblidhen shumë njerëz. Kjo do të mundësojë shpërndarjen e barabartë të defibrilatorëve në të gjithë territorin e Bullgarisë.
Sipas dr. Simidçiev, në këtë listë duhet të përfshihen stacionet e metrosë, si edhe stadiumet, pasi aty mblidhen shumë njerëz dhe ka pasur raste sportistësh që kanë rënë në fibrilacion ventrikular, ku prania e një pajisjeje të tillë është jetike. Një nismë personale e deputetit është edhe vendosja e defibrilatorëve në hyrjet e Kuvendit Popullor.
FOTO: Bashkia e Kryeqytetit
“Kur ka grumbullim masiv njerëzish, mund të ndodhë një rast i tillë dhe, nëse nuk ka një pajisje të tillë aty pranë, nuk do të jetë e mundur të ndihmohen. Patëm një incident të tillë para disa muajsh, kur gjatë një proteste humbi jetën një polic. Nëse atëherë do të kishim një pajisje të tillë, shansi për ta shpëtuar do të ishte 50%.”
Një nga synimet e projektligjit, i propozuar nga dr. Simidçiev dhe dr. Angellov, ka qenë të përkufizohet koncepti i ndihmës së parë dhe të bëhet dallimi nga ndihma e shpejtë. Dallimi kyç është se ndihma e parë jepet në kushte urgjence, por nga persona të patrajnuar dhe duhet të jetë shumë e kufizuar në përmasa, në mënyrë që të mos shkaktojë dëm – sqaron dr. Simidçiev.
FOTO: aed-bg.com
Kryqi i Kuq Bullgar është organizata që zhvillon në mënyrë sistematike trajnime për ndihmën e parë. Sipas dr. Simidçiev, trajnimi për ndihmën e parë mund të zhvillohet edhe në shkolla, në kuadër të orëve të edukimit shëndetësor, të cilat mund të futen në programin mësimor të nxënësve.
FOTO: Kryqi i Kuq Bullgar
“Gjithmonë kemi propozuar që të ketë të tilla, por programi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është mjaft i ngarkuar dhe që të futet diçka e re, duhet të hiqet diçka e vjetër – dhe problemi është se çfarë duhet të hiqet… Megjithatë, ndoshta gjëja më e madhe që mund të bëjmë për shëndetin publik është ta lidhim atë me arsimin, sepse të gjitha problemet që lidhen me ushqimin, sportin dhe parandalimin e zakoneve të dëmshme mund të zgjidhen në sistemin arsimor, e jo në atë shëndetësor,” – është i bindur deputeti.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva