POLITIKË

Seksion

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 7 Shkurt 2026, 09:05

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: X /Alparslan Bayraktar

Madhësia e shkronjave

Turqia dhe “Chevron” fillojnë kërkime të përbashkëta për naftë dhe gaz


Kompania turke e naftës (TPAO) dhe kompania amerikane e energjisë “Chevron” nënshkruan një marrëveshje për aktivitete të përbashkëta në kërkimin dhe përpunimin e naftës dhe gazit natyror. Lajmin e bëri të ditur në rrjetin social “X” ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar. “Ne duam të zhvillojmë projekte të përbashkëta si në Turqi, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar”, theksoi ai dhe nënvizoi se qëllimi është që kompania turke të bëhet një kompani globale me kapacitet prodhimi prej 1 milion fuçish.


Në mesin e janarit, Bayraktar njoftoi se marrëveshja me “Chevron” parashikon zgjerimin e kërkimeve në Detin e Zi dhe se Ankaraja synon të dyfishojë prodhimin e saj gjatë këtij viti. Ministri i Energjisë parashikoi se viti 2026 do të jetë vendimtar për përfshirjen e prodhimit nga rezervat e veta të vendit në sistemin e transmetimit të gazit. “Qëllimi ynë është të zvogëlojmë varësinë tonë nga burimet e huaja të energjisë”, theksoi ministri.

FOTO: europa.eu

Shqipëria ka një shans të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2029


Nëse parlamenti dhe qeveria shqiptare ruajnë ritmin e reformave, vendi mund të arrijë anëtarësimin në BE brenda mandatit të Parlamentit aktual Evropian, i cili përfundon në fund të vitit 2029. Këtë e deklaroi në Vlorë raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, njofton BTA.


Sipas tij, Evropa do të jetë e plotë vetëm kur i gjithë Ballkani Perëndimor, dhe në veçanti Shqipëria, të bëhet pjesë e saj. Schieder theksoi se integrimi evropian i vendit është një kauzë mbarëkombëtare, e cila përmes modernizimit dhe reformave do të sigurojë një standard më të lartë jetese për shqiptarët dhe mundësi të reja zhvillimi për vetë BE-në.

FOTO: Pexels

Për herë të parë pas vitesh, Kroacia raportoi një rritje të lehtë të lindshmërisë


Ministria e Demografisë dhe Emigracionit e Kroacisë njoftoi se gjatë vitit 2025 janë paguar mbi 20 milionë euro si mbështetje financiare njëherëshe për të porsalindurit. Kjo është pjesë e një pakete masash në mbështetje të familjeve dhe rinovimit demografik. Nga 1 marsi 2025, ndihma njëherëshe për një fëmijë të porsalindur në vend është dyfishuar nga 309 në 618 euro. Kufiri i kompensimit për 6 muajt e parë të lejes prindërore është rritur nga 995 në 3000 euro deri në vitin e parë të jetës së fëmijës. Kjo do të thotë se prindërit me pagë deri në këtë shumë mund të marrin pagë të plotë gjatë gjithë lejes së tyre, thekson HRT. Për prindërit e binjakëve, trinjakëve ose më shumë fëmijëve, në periudhën nga viti i parë deri në vitin e tretë të jetës së fëmijës, kufiri i kompensimit është rritur nga 551 në 803 euro.


Shërbimi shtetëror i statistikave publikoi së fundmi të dhëna paraprake, sipas të cilave rënia afatgjatë e numrit të lindjeve është ndalur në vitin 2025. Vitin e kaluar në vend kanë lindur 32 385 fëmijë, pra 316 më shumë se në vitin 2024.

FOTO: Reuters

Qipro prezantoi Strategjinë Kombëtare për Integrimin e Emigrantëve


Qiproja ka nisur Strategjinë e saj të parë Kombëtare për Integrimin e Emigrantëve, e cila synon luftimin e getove dhe shfrytëzimit të të huajve në ekonominë informale, raportoi korrespondentja e BNR-së në ishull, Branisllava Bobanac. Qëllimi është që integrimi të jetë në dobi si për emigrantët, ashtu edhe për ekonominë dhe shoqërinë qipriote.


Dokumenti parashikon që për të gjithë shtetasit e vendeve të treta që qëndrojnë ligjërisht në vend – me leje pune, studentët dhe refugjatët nën mbrojtje ndërkombëtare – të ofrohen kurse falas të gjuhës greke, për të lehtësuar përfshirjen e tyre në shoqërinë qipriote dhe pjesëmarrjen në tregun e punës. Planifikohet gjithashtu zgjerimi i aksesit në kujdesin për fëmijët, në mënyrë që gratë migrante të mund të punojnë. Një fokus i veçantë i kushtohet strehimit të të huajve, për të eliminuar getot ekzistuese dhe për të parandaluar krijimin e të rejave.

FOTO: slobodnaevropa.org

Bosnja dhe Hercegovina me një vendim historik për diskriminimin ndaj personave LGBT


Gjykata Kantonale e Sarajevës dha vendimin e parë përfundimtar në Bosnje dhe Hercegovinë për diskriminim në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, njoftoi organizata joqeveritare “Qendra e Hapur e Sarajevës”, e cituar nga redaksia boshnjake e “Radio Evropa e Lirë”. Vendimi lidhet me një publikim në Facebook pas shpalljes së paradës së parë të krenarisë në vend në vitin 2019. Postimi në rrjet ishte bërë nga deputetja e atëhershme në parlamentin kantonal, Samra Ćosović Hajdarević, kundër së cilës organizata ngriti padi për diskriminim ndaj personave LGBT dhe nxitje të urrejtjes. “Dua që njerëz të tillë të izolohen dhe të jenë sa më larg nga fëmijët dhe nga shoqëria jonë”, kishte shkruar atëherë deputetja.


Gjykata Kantonale konfirmoi plotësisht qëndrimin e Gjykatës Komunale nga viti 2022, e cila fillimisht e kishte cilësuar deklaratën si gjuhë urrejtjeje. Nga “Qendra e Hapur e Sarajevës” u tha se ky vendim përbën një kthesë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.


Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello