SHOQËRI

Seksion

Ideja për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes së Kafshëve fiton mbështetje publike

Dielë, 8 Shkurt 2026, 07:05

Ideja për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes së Kafshëve fiton mbështetje publike

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Një rast i dhunës brutale ndaj kafshëve, i cili ishte inskenuar, regjistruar dhe shitur në internet, i zbuluar në fshatin Carevec pranë Svishtovit, edhe një herë e drejtoi vëmendjen e publikut te problemi i keqtrajtimit të kafshëve. Në këtë kontekst, po rritet edhe mbështetja shoqërore për idenë e krijimit të një Agjencie Kombëtare për Mbrojtjen e Kafshëve, në varësi të Këshillit të Ministrave. Krijimi i një strukture të tillë, e cila do të siguronte koordinim midis policisë, prokurorisë, gjykatave, autoriteteve vendore dhe organizatave qytetare, u propozua nga nënkryetari i Këshillit Publik pranë Kuvendit të 51-të Kombëtar, Stefan Dimitrov. Në kompetencat e agjencisë duhet të përfshihet edhe procesi i parandalimit — përmes fushatave arsimore dhe informuese, punës me shkollat dhe shërbimet sociale, si edhe trajnimeve për policët dhe prokurorët mbi praktikat ndërkombëtare në rastet e mizorisë ndaj kafshëve, kontrolli mbi zbatimin e ligjit dhe vendosja e sanksioneve administrative. Në mbështetje të propozimit është nisur një peticion online, i cili tashmë është nënshkruar nga mbi 4 mijë qytetarë.

FOTO: Facebook /Stefan Dimitrov

Sipas Dimitrovit, në sistemin shtetëror të Bullgarisë mungon koordinimi i strukturave që duhet të hetojnë dhe ndëshkojnë rastet e mizorisë ndaj kafshëve; nuk realizohen trajnime dhe masa parandaluese, ndërsa kontrolli kryhet formalisht nga Agjencia Bullgare për Sigurinë e Ushqimit, e cila nuk ka burime dhe ekspertizë për ta përmbushur në mënyrë efektive këtë rol, pasi merret me sigurinë ushqimore dhe luftën kundër sëmundjeve të kafshëve. Eksperti kritikon gjithashtu veprimtarinë e të ashtuquajturës “zoopolici”, e cila sipas tij nuk funksionon si një njësi e specializuar, ndërsa rastet që lidhen me kafshët përbëjnë një ngarkesë shtesë për punonjësit, gjë që më së shpeshti çon në neglizhimin e këtyre krimeve.


Përpiloi: Joan Kolev

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello