Artikull
Dielë 8 Shkurt 2026 09:00
Dielë, 8 Shkurt 2026, 09:00
FOTO: Facebook/ Bisera dhe Lidija
Madhësia e shkronjave
Rrjetet sociale, përveçse për komunikim, për mbështetje të kauzave të ndryshme, apo si terren për lajme të rreme, mund të përdoren me sukses edhe si mjet për ruajtjen e shpirtit bullgar dhe trashëgimisë sonë kulturore. Në këtë kuptim ato janë forma bashkëkohore e “ndejave” tradicionale, ku paraardhësit tanë mblidheshin në kohët para krijimit të mediave – për të kënduar, për të punuar me dorë dhe për të shkëmbyer informacion.
Pikërisht këtë funksion të rrjeteve sociale prej disa vitesh e shfrytëzojnë këngëtaret e reja të muzikës popullore Bisera dhe Lidija, ndjekësit e të cilave në Facebook shtohen çdo ditë. Ato filluan të këndojnë si duet para 6 vitesh, interpretojnë folklor nga rajone të ndryshme të Bullgarisë dhe shpesh marrin pjesë në konkurse si “Pirin Folk”, klasifikimin javor të radios publike “BNR Top 20” e të tjera. Megjithatë, ato janë ende më të njohura për publikun e rrjeteve sociale me videot dhe klipet e tyre të këngëve autentike popullore bullgare sesa për shikuesit dhe dëgjuesit e mediave zyrtare.
“Këto këngë, nëse nuk këndohen, do të zhduken, dhe kështu zhduket edhe një pjesë e shpirtit bullgar dhe trashëgimisë sonë kulturore”, është e bindur Lidija. Së fundmi, në një bisedë me Lina Maçevën në programin “Hristo Botev” të BNR‑së, të dyja ndanë mendimet e tyre:
FOTO: Facebook/ Bisera dhe Lidija
“Falë rrjeteve sociale u bëmë të njohura, dhe më së shumti falë Facebook‑ut – aty është audienca jonë kryesore. Filluam gjatë pandemisë së Covid‑it, kur ishim vazhdimisht bashkë për 3 ose 4 muaj. Atëherë ndoshta u zhvilluam si zëra dhe si duet. Mësuam shumë këngë të reja dhe gjithashtu regjistruam video e klipe që i ngarkuam në hapësirën online. Zgjidhnim vetëm këngë autentike, dhe madje të tilla që nuk ishin të dëgjuara, dhe kjo ishte pasioni ynë!”
Këngëtaret e reja e nisin rrugën e tyre jetësore nga skaje të ndryshme të Bullgarisë – Lidija është nga Gorna Orjahovica (Bullgaria Veriore) dhe merret me monitorim, ndërsa Bisera – nga Dragovishtica (Bullgaria Perëndimore) dhe prej disa vitesh është pedagoge e gjeodezisë në Universitetin e Arkitekturës, Inxhinierisë Civile dhe Gjeodezisë, Sofje. Ato tregojnë se janë krejt të ndryshme nga njëra‑tjetra si temperament, por muzika i bashkon dhe në hapësirën e saj ato plotësojnë njëra‑tjetrën në mënyrë të përkryer. Megjithatë, lindja e duetit të tyre, siç thotë Lidija, ka ndodhur krejt rastësisht:
FOTO: Facebook/ Bisera dhe Lidija
"Ne filluam të këndojmë së bashku rastësisht. Në një koncert në qendrën kulturore, duhej të plotësohej një kohë në programin e koncertit. Unë tashmë këndoja në grupin folklorik dhe duhej të mësoja këndimin e shopëve në një mënyrë ekstreme brenda pak orësh, dhe Bisera më ndihmoi."
Megjithatë, ndërsa po ndihmonte, Bisera vendosi të këndonte një zë të dytë, dhe njerëzit përreth tyre thirrën: "Ju të dy, duhet të këndoni së bashku!". Një prej interpretimeve të tyre origjinale është një këngë kolendarësh, e cila u shfaq me një aranzhim interesant dhe një video profesionale nën emrin "Krishtlindje" në hapësirat e YouTube, Facebook dhe Instagram, dhe ndjekësit e tyre menjëherë i mbështetën: "Falënderojmë Bisera dhe Lidija për punën e mrekullueshme!... Bisera dhe Lidija kanë zëra hyjnorë!... Ju jeni të bukura dhe zërat tuaj janë të kombinuar në mënyrë kaq unike, do të isha i lumtur të ndiqja koncertin tuaj drejtpërdrejt… Hyjnore!"
Duke kujtuar komentet në rrjetet sociale, posaçërisht për audiencën e Radio Bullgarisë, këngëtaret ndanë:
Këngëtaret Lidija dhe Bisera në studion e Radio Bullgarisë
FOTO: BNR
“Deri tani nuk kemi pasur një këngë për Krishtlindjen. Ka qenë ideja jonë prej kohësh. Rastësisht gjetëm ‘Zamëçi se Bozha Majkata’, e kënduam, ajo tingëlloi bukur në dy zëra dhe thamë: ‘Kjo është kënga!’ Ndoshta fillimisht pati më shumë reagime për videoklipin. Aranzhimi është i Jordan Josifovit dhe është paksa i ndryshëm nga gjithçka që kemi bërë deri tani, ndërsa videoja është punë e Martin Balltaxhievit, i cili arriti të sjellë atë atmosferë të butë festive të Krishtlindjes që lidhet me krishterimin.”
Dueti “Bisera dhe Lidija” ka ndjekës në Turqi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, dhe sipas statistikave të rrjeteve sociale – edhe në shumë shtete të tjera. Kështu, vitin e kaluar ato morën pjesë në një tubim të folklorit bullgar në Qipro, me ftesë të komunitetit bullgar atje. Arsyeja për të fituar gjithnjë e më shumë popullaritet ndoshta qëndron në bindjen, të cilën gjithnjë e më shumë bullgarë e mbështesin, se nëse këngët nuk këndohen, ato zhduken – dhe bashkë me to zhduket edhe një pjesë e shpirtit bullgar dhe trashëgimisë sonë kulturore.
Përgatiti në ship: Vesella Mançeva
Foto: Facebook/ Bisera dhe Lidija, BNR, @photobulgaria
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva