Autor
Diana Cankova
Artikull
Hënë 9 Shkurt 2026 20:00
Hënë, 9 Shkurt 2026, 20:00
FOTO: freepik.com
Madhësia e shkronjave
Jemi dëshmitarë të zbulimeve në Bullgari, që çojnë drejt dhënies së kënaqësisë pasioneve të ulëta, të cilat, siç rezulton, lënë gjurmë në kohë. Të filmosh keqtrajtimin e kafshëve, të vendosësh kamera në sallone kozmetike dhe kabinete gjinekologjike dhe të shpërndash pamjet në faqe për të rritur mund të ketë shpjegime të thjeshta – se ke mbështetje nga lart, se ka shumë gjasa që askush nuk do të arrijë deri tek ti, se je bartës i budallallëkut njerëzor. Sipas shkencës së psikologjisë, megjithatë, pas këtij fenomeni qëndron një kombinim kompleks i mangësive të personalitetit dhe i një mjedisi shoqëror, që lejon që sjellja jo vetëm të shfaqet, por edhe të normalizohet.
Psikologu social, doc. Nikollaj Dimitrov, përdor termin dehumanizim i viktimës për të shpjeguar pse filmimi dhe shpërndarja e pamjeve të dhunës ose e asaj që është parë në hapësira intime shndërrohet në argëtim për autorin. Ekziston edhe fenomeni i distancës morale, kur krijuesi i tyre nuk i sheh pasojat e veprimeve të veta, ndërsa mjedisi i tij i ofron anonimitet dhe ndjesi pandëshkueshmërie.
Nikollaj Dimitrov
FOTO: Ani Petrova
“ Në themel të shkeljeve të tilla të normave qëndron kërkimi i pushtetit dhe kontrollit mbi qenien e gjallë, qoftë ajo kafshë apo njeri, mbi trupin, mbi hapësirën personale, mbi vuajtjen e mëvonshme të tjetrit – thotë Nikollaj Dimitrov. – Kjo është një mënyrë për të kompensuar zbrazëtinë e brendshme dhe mungesën e empatisë ose për të krijuar ndjesinë e rëndësisë së vet. Dhe kur veprime të tilla mbeten pa reagim moral institucional, ato fillojnë të riprodhohen.”
Në përdorimin e shfrenimeve të tilla, paratë rezultojnë motiv dytësor. Veprime të tilla zakonisht kënaqin një shtysë më të thellë psikologjike dhe shoqërore si nevoja për pushtet, për kontroll, për dominim, për njohje. Ndërsa fakti që ajo që publikohet në internet merr shikueshmëri në formën e pëlqimeve, shpërndarjeve, komenteve, bëhet burim prestigji. Në këtë sfond, njerëzit që dyshojnë se po ndodh diçka e parregullt shpesh zgjedhin të qëndrojnë mënjanë.
“ Më së shpeshti bëhet fjalë për të ashtuquajturin efekt i vëzhguesit anësor – shpjegon psikologu. – Sa më shumë njerëz dinë ose dyshojnë se diçka po ndodh, aq më e vogël është gjasa që dikush të reagojë. Kështu përgjegjësia shpërndahet dhe secili pret që tjetri të marrë iniciativën. Ekziston gjithashtu frika nga hakmarrja – kur në vetëdijen shoqërore ekziston bindja se një person i caktuar është i paprekshëm, njerëzit e perceptojnë denoncimin jo si detyrë qytetare, por si rrezik personal. Krijohet një kulturë e heshtjes së kujdesshme, frika bëhet udhëheqëse, ndërsa pasiviteti i kuptueshëm, megjithëse shoqërisht i dëmshëm.”
Kujdesi i tepërt, distanca, mbyllja e syve edhe pse e kupton se heshtja gjithashtu mbart faj, nuk mund të vendosë diagnozë për të gjithë shoqërinë tonë.
FOTO: freepik.com
“ Ajo që duhet të validojmë janë kushtet shoqërore që ndonjëherë i bëjnë të padukshme shfrenime të tilla – mendon Nikollaj Dimitrov. – Sjellja ekstreme bie në sy atje ku normat janë të paqarta, sanksionet – të pasinqerta ose të papërhershme, ndërsa reagimi shoqëror – i vonuar ose i lëkundur. Më tepër duhet të shqetësohemi për mënyrën se si edukojmë ndjeshmërinë ndaj dhunës, si i mbrojmë viktimat, si tregojmë qartë se kufij të caktuar nuk janë objekt negocimi. Sepse një shoqëri që lejon ripërcaktimin e kufijve individualë, më pas vuan prej kësaj. Më e rrezikshmja nuk është vetë shfrenimi, por heshtja rreth tij, sepse ajo e bën të mundur.”
Por nga duhet të vijë edukimi në empati, në ndjeshmëri dhe përgjegjësi ndaj vuajtjes së viktimës, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qenie njerëzore apo shtazore?
“ Nga të gjithë agjentët e socializimit, ku në vend të parë qëndron familja – është kategorik psikologu. – Kur prindërit janë të zënë dhe nuk u kushtojnë vëmendje fëmijëve të tyre, ata nuk kanë nga të mësojnë aftësi të vlefshme shoqërore. Ndërsa kur hyjnë në një mjedis formal shkollor, me ta gjithashtu nuk punohet mjaftueshëm në mënyrë aktive. Jo në vend të fundit qëndron një faktor i fuqishëm ndër vite dhe madje shekuj për formimin e njeriut – feja, por ne shohim në çfarë krize institucionale dhe morale të tërheqjes nga funksionet e saj shoqërore ndodhet Kisha Ortodokse Bullgare. Të mos harrojmë edhe mediat, të cilat janë një agjent i fuqishëm i socializimit, dhe kur dhuna mediatike, sidomos ajo vizuale, është pjesë e programimit, ajo normalizohet dhe fillon të perceptohet si element i jetës.”
FOTO: BTA
Një nga pyetjet që shoqëria jonë i bën vetes është nëse organet e rendit do të shkojnë deri në fund në hetimin e aferave dhe nëse do të jepen dënime të drejta dhe, nëse jo – a mund të presim reagim qytetar, siç ndodhi në fund të vitit 2025?
“ Është mirë që shoqëria të reagojë – thotë në përfundim psikologu. – Pa i kundërvënë motivet, ndonjëherë reagime të tilla spontane dhe masive shihen kundër dhunës ndaj kafshëve, ndërsa kundër dhunës ndaj fëmijëve mungojnë dhe do të doja të kishte më shumë aktivizëm edhe në këto raste. Ndërsa nëse organet e drejtësisë do ta bëjnë punën e tyre, shpresoj ta bëjnë, sepse një nga mekanizmat e kontrollit shoqëror është pikërisht reagimi i institucioneve. Dhe sa më i menjëhershëm dhe adekuat të jetë ai, aq më i qartë është sinjali që transmeton për atë që është e pranueshme dhe çfarë është e papranueshme, domethënë u tregon njerëzve që do të bënin diçka të tillë, se nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe është më mirë të mos e bëjnë.”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski