Autor
Veneta Nikollova
Artikull
Martë 10 Shkurt 2026 06:55
Martë, 10 Shkurt 2026, 06:55
Doc. Georgi Bërdarov
FOTO: LinkedIn
Madhësia e shkronjave
Demografia e Bullgarisë po na befason me një kthesë të papritur. Për të tretin vit radhazi, më shumë njerëz zgjedhin të vendosen në vendin tonë sesa ta braktisin atë. Mbi 52 mijë persona zgjodhën Bullgarinë si shtëpinë e tyre të re. Mes tyre janë 18 mijë emigrantë bullgarë të kthyer në atdhe, tregojnë të dhënat e Institutit Kombëtar të Statistikave (NSI) për vitin 2024. Në të njëjtën kohë, numri i personave që u larguan nga vendi ishte vetëm rreth 13 mijë. Me fjalë të tjera – pothuajse katër herë më shumë njerëz vijnë sesa largohen. Për vitin 2025 të dhënat janë ende në përpunim, por pritet që tendenca jo vetëm të ruhet, por edhe të thellohet më tej. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, doc. Georgi Bërdarov – shkrimtar dhe ekspert i demografisë – pohon se fluksi migrator kohët e fundit e reduktoi me 4 deri në 5 herë ritmin me të cilin po tkurret popullsia e vendit.
FOTO: Pexels
“Deri përpara pandemisë, popullsia jonë zvogëlohej mesatarisht me 50 deri në 60 mijë persona në vit. Nëse përjashtojmë vitet e pandemisë, kur ndodheshim në një situatë të jashtëzakonshme, rënia ka qenë rreth 2 mijë e ca persona në vitin 2023 dhe rreth 8 mijë e ca persona në periudhën 2024–2025, çka i detyrohet pikërisht këtij rritjeje pozitive mekanike. Shkaqet janë komplekse, por lajmi i mirë është se një pjesë e madhe e kësaj rritjeje vjen nga bullgarë në moshë aktive që kthehen në atdhe, si edhe nga të huaj. Deri tani Bullgaria tërhiqte kryesisht pensionistë nga Evropa Perëndimore, ndërsa tani kemi edhe persona në moshë pune – një trend demografik pozitiv” - thotë doc. Bërdarov.
Sipas tij, demografia po përmirësohet edhe falë rritjes ekonomike në vend dhe ndryshimeve që po ndodhin në Evropën Perëndimore. Anëtarësimi në Shengen, eurozona dhe afrimi i standardit të jetesës po e bëjnë vendin tonë gjithnjë e më tërheqës. Tregu i punës në Bullgari vuan nga një mungesë e theksuar e fuqisë punëtore dhe po tërheq të huaj nga vende jashtë BE-së. Në turizëm, industrinë tekstile dhe mjekësi tashmë punojnë persona nga Uzbekistani, Kazakistani, Moldavia madje edhe nga Bangladeshi. Por gjithashtu shumë qytetarë evropianë po vendosen në vendin tonë, ku një faktor kyç janë ndryshimet në Perëndim.
FOTO: Pexels
“Ideja e vendeve perëndimore si një parajsë e pakushtëzuar filloi të lëkundet”, thekson doc. Bërdarov dhe shton:
“Evropa Perëndimore nuk është më ai El Dorado mitik që ishte 10–20 vjet më parë. Së pari, atje kemi probleme serioze me emigracionin nga Afrika dhe Azia, dhe së dyti – situata ekonomike dhe kushtet e jetesës nuk janë më aq të mira sa në të shkuarën e afërt. Kam udhëtuar shumë në Gjermani me librat e mi dhe gjatë takimeve me diasporën bullgare në qytete, njerëzit ndajnë se 10 ose 15 vjet më parë jeta ishte shumë më e rregullt, e qetë dhe ekonomikisht e favorshme për bullgarët. Tani gjithnjë e më shumë kjo po ndryshon, dhe është normale që ata të shikojnë përsëri drejt Bullgarisë.”
Pavarësisht lajmeve të mira për të rinjtë që kthehen dhe rritjes pozitive, kriza demografike në Bullgari vazhdon të jetë në rend të ditës. Problemi nuk qëndron tek lindshmëria – mesatarisht çdo bullgare lind rreth 1.83 fëmijë, çka na vendos ndër liderët në Evropë dhe madje përpara vendeve si Kina. Problemi i vërtetë është mortaliteti jashtëzakonisht i lartë. Për vitin 2025, statistikat janë tronditëse: numri i vdekjeve është dy herë më i lartë se numri i lindjeve, gjë që e ul ndjeshëm rritjen natyrore, thotë doc. Bardarov.
FOTO: Varrezat Qendrore të Sofjes
“Jam kategorik që mortaliteti është skandalikisht i lartë, sepse ne jemi në BE dhe një shtet i zhvilluar, edhe pse nuk jemi saktësisht në nivelin ekonomik të vendeve të Evropës Perëndimore. Për vitin 2025, fëmijët e lindur janë rreth 50000, ndërsa bullgarët e vdekur rreth 100000 – kjo është dyfish më shumë. Dhe pikërisht këtu vjen rritja e madhe negative. Në vlerat relative, mortaliteti ynë është rreth 15.5–15.6 për mijë, që është rreth 4.5 për mijë më i lartë se niveli mesatar për vendet evropiane dhe na vendos në krye të klasifikimeve negative. Shkaktarët janë kompleksë, por rrjedhin kryesisht nga mënyra jo e shëndetshme e jetesës, sidomos te të rinjtë – mungesa e sportit, abuzimi me alkoolin dhe duhanin, si dhe kultura shumë e ulët shëndetësore, që çon në vdekje nga sëmundje të shërueshme” – tha në përfundim doc. Bardarov.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova