Autor
Daniella Goleminova
Artikull
Martë 10 Shkurt 2026 20:00
Martë, 10 Shkurt 2026, 20:00
FOTO: Daniella Goleminova
Madhësia e shkronjave
Në art kafe-galerinë bullgare në Bruksel u hap ekspozita e parë për vitin 2026, e cila paraqet veprat e skulptorit Bozhidar Kabakçiev dhe piktura të artistit me prejardhje ruse Andrej Pllatunov, i cili për tri dekada ka jetuar në Belgjikë.
Bullgarja Desisllava Gigova, e cila është pronare e galerisë, e ka pranuar si kauzë të sajën të ndihmojë dhe të paraqesë artin bullgar në Belgjikë.
“E fillojmë vitin me një ngjarje shumë të bukur – ekspozitë me vepra të skulptorit bullgar Bozhidar Kabakçiev dhe piktura të Andrej Pllatunov, artist – piktor me prejardhje ruse, i cili 25 vjet ka kënduar në operën ‘Monnaie’ në Bruksel, ndërsa tani i është përkushtuar artit pamor. Bozhidar Kabakçiev është ekonomist me profesion, por merret me skulpturë. Punon me metal, dru, materiale të ndryshme” – tregon galeristja dhe vazhdon:
FOTO: Daniella Goleminova
“Kam vendosur që nga ky vit t’u jap më shumë hapësirë krijuesve bullgarë, piktorëve dhe skulptorëve bullgarë. Arti duhet të inkurajohet dhe si bullgare dua që krijuesit bullgarë të paraqiten më shumë në Bruksel. Dua që gjatë këtij viti të paraqes veprat e edhe dy piktorëve bullgarë të tjerë, njëri është nga Pllovdivi. Do t’i mbaj emrat në fshehtësi derisa të mos kem konfirmim për ekspozitat. Pak më e vështirë bëhet me transportin e artit, por gjithmonë ka mënyra. Mendoj se kjo është mënyra që në këto kohë, të cilat nuk janë aspak të lehta as për artistët, as për dashamirët, arti të shihet. Hyrja në galeri nuk është gjithmonë në rend të ditës, ndërsa këtu mund të ndalesh për një filxhan çaji ose kafeje dhe të shijosh artin. Dhe këtu njerëzit e pëlqejnë artin”, thotë Gigova.
Bozhidar Kabakçiev
FOTO: Emill Kolev
Ekspozita përfshin 15 vepra të Bozhidar Kabakçiev. Skulpturat e tij nuk bërtasin, por ngjallin pyetje dhe emocione. Kabakçiev thotë se i pëlqen të hulumtojë aftësinë e artit për ta shndërruar të zakonshmen në të jashtëzakonshme. Është interesante se si skulptura arriti ta zëvendësojë ekonominë dhe financat, me të cilat Bozhidar Kabakçiev është marrë profesionalisht për vite me radhë:
FOTO: Daniella Goleminova
“Po, kalimi ishte paksa i çuditshëm për shumë njerëz – nga financa, ekonomi tek... arti. Por, kur njeriu gjithë jetën është interesuar për të, ai në njëfarë mënyre është i pashmangshëm. Më mirë vonë se kurrë”, thotë Kabakçiev.
Çfarë më së shpeshti e ndez imagjinatën e tij krijuese?
“Nganjëherë e krahasoj me xhazin. Nganjëherë është improvizim absolut. Nganjëherë madje nuk e di se ku po të çon dhe cili do të jetë rezultati përfundimtar. Herë tjetër është e mundur ta planifikosh shumë seriozisht atë që dëshiron të bësh. Në ekspozitë paraqes gjëra që i kam bërë gjatë katër viteve, që kur fillova të merrem më seriozisht me skulpturë. Isha shumë kureshtar të provoja të gjitha materialet e mundshme me të cilat mund të bëhet diçka. Fillova me gips, pastaj me metal, gur, dru, plastika, beton... e pafundme është zgjedhja e materialeve. Nuk e di nëse për secilin është kështu, por ai që pëlqen të prodhojë diçka me duart e tij dhe ta shohë rezultatin përfundimtar, kjo është një veprimtari e mrekullueshme. Shumë njerëz filluan të merren me art. Vazhdimisht ka shumë ekspozita. Njeriu çdo ditë mund të marrë informacion të ri. Me teknologjitë bashkëkohore, njeriu mund të ketë kontakt me mundësi të ndryshme. Nëse duhet të flasim për Inteligjencën Artificiale, ajo mund të jetë një ndihmës shumë i madh, por në asnjë rast një zëvendësues i plotë. Ajo mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme në përgatitjen për punë, por në produktin përfundimtar – po, mund ta realizojë, por kjo tashmë nuk është veprimtari njerëzore, nuk është produkt njerëzor”, përfundon Kabakçiev.
Andrej Pllatunov
FOTO: Emill Kolev
Në kafe-galeri janë ekspozuar edhe rreth 30 piktura të Andrej Pllatunov. Artist i talentuar, i cili pas një karriere 25-vjeçare në operën “Monnaie” në Bruksel vendos se është koha t’i përkushtohet pasionit të tij tjetër të madh – pikturës.
“Kur ke kapacitetin të bësh diçka dhe e bën mirë, pas një kohe vetë talenti të zgjedh. Unë jam këngëtar dhe pianist, ndërsa piktura është hobi im, pasioni im i madh. Ka një simbiozë midis tre talenteve. Ato janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse gjatë ditës kam luajtur në piano, muzika më ndihmon të pikturoj. Pra, njëri talent e nxit tjetrin”, thotë Pllatunov.
Cilat janë temat që e preokupojnë dhe e frymëzojnë Andrej Pllatunov?
FOTO: Daniella Goleminova
“Unë jam rus me prejardhje, ju jeni bullgarë dhe ndoshta e dini se kemi shumë përralla të ngjashme për fëmijë. Dikur përrallat tona ilustroheshin nga shumë piktorë të mëdhenj bullgarë dhe rusë. Ilustrimet më bënin shumë përshtypje, ishin shumë mbresëlënëse. Kjo gjë mbetet përgjithmonë në vetëdije. Ka ndikuar edhe në krijimtarinë time. Në përralla ka realitet dhe mbirealitet. Dhe të gjithë këta personazhe nga përrallat ‘Vasilisa e bukur’, ‘Kasçeji i Pavdekshëm’, ‘Ivanushka’ – ata sot ringjallen në pikturat e mia. Ekziston një realitet paralel”, rrëfen piktori.
FOTO: Daniella Goleminova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski