Autor
Veneta Nikollova
Artikull
Mërkurë 11 Shkurt 2026 07:10
Mërkurë, 11 Shkurt 2026, 07:10
FOTO: letnitsa.bg
Madhësia e shkronjave
Në botën e trakëve, ku nuk ka pasur shkrim, mesazhet më të rëndësishme janë transmetuar përmes artit. Thesari i Letnicës është pikërisht një mesazh i tillë – për pushtetin, besimet dhe rrugën drejt mençurisë. Ky zbulim unik, i datuar midis viteve 385 dhe 335 para Krishtit, përbëhet nga 23 aplikacione të punuara prej argjendi dhe argjendi të praruar, të cilat kanë qenë pjesë e pajisjeve të kalit, me fre dhe rrip gjoksi. Mendohet se këto zbukurime të hijshme janë vepër e dy mjeshtërve – një traku dhe një heleni, që kanë punuar në kohën e sundimtarit Kotis I në shekullin IV para Krishtit.
FOTO: bulgarianheritage.bulgariana.eu
Si saktësisht ky mesazh i të lashtëve ka arritur deri te ne është një histori po aq emocionuese. Në një ditë krejt të zakonshme të vitit 1964, punëtorë në afërsi të fshatit Letnica të Lloveçit(Bullgaria Veriore) po gërmonin në një thellësi prej vetëm gjysmë metri dhe goditën diçka të fortë. Ishte një enë prej bronzi, e kthyer me grykën poshtë, dhe brenda saj fshihej një nga gjetjet më të rëndësishme të arkeologjisë trakase. Legjendat për thesarin, për grabitjen e tij dhe mbledhjen e mëvonshme nga autoritetet lokale dhe banorët e fshatit i ngjajnë një skenari filmi. Radosllav Gushterakliev, kurator kryesor i Muzeut Historik Rajonal në Lloveç, rrëfen:
FOTO: letnitsa.bg
“Thesari është zbuluar rastësisht në afërsi të fshatit, sot qyteti Letnica. Gjatë punimeve të gërmimit, në një thellësi prej 50–60 cm, punëtorët hasën një enë prej bronzi. Për një kohë shumë të shkurtër ena u nxor, përmbajtja e saj u derdh në tokë dhe u grabit. Falë autoriteteve lokale dhe arkeologut të Muzeut të Lloveçit, Pavell Pavllov, me ndihmën e banorëve të Letnicës – Ivan Vasilev dhe dr. Georgi Nikollov – sendet e gjetura u mblodhën dhe u dorëzuan në fondin antik të Muzeut Historik Rajonal të Lloveçit. Gjithmonë ekzistojnë rrëfime të ndryshme, ndonjëherë edhe me nuanca mitike, për thesare të zbuluara rastësisht në rajonin e Lloveçit ose gjetkë në vend. Sigurisht, ka edhe legjenda për njerëz që ndoshta kanë ruajtur diçka edhe për vete.”
Në ornamentet e lashta janë paraqitur kalorës trakë me pajisje të plota luftarake, përfshirë edhe me parzmore me pllaka (një lloj i lashtë mburoje e përbërë nga copëza të vogla metalike). Hasim edhe skena dramatike të përleshjeve midis kafshëve – dy arinj që luftojnë, një ujk që sulmon një drenushë dhe një grifon në përballje me një luan. Por këto nuk janë thjesht ornamente të bukura. Për trakët, të cilët nuk kishin shkrim, këto paraqitje ishin mënyra e vetme për të transmetuar besimet e tyre ose për të theksuar rëndësinë e aristokracisë. Siç e nënvizon vetë Gushterakliev, përmes arit dhe argjendit trakët përcillnin diçka thelbësore me synimin për të ngjallur respekt te populli. Po si i interpretojmë ne, njerëzit e shekullit XXI, këto mesazhe?
FOTO: letnitsa.bg
“Më e
rëndësishmja që mësojmë është mënyra e qeverisjes së vetë Thrakisë së lashtë
dhe shumëformëshe gjatë kësaj periudhe. Përmes
këtyre aplikacioneve paraqitet rruga që duhet të ndjekë aristokrati trak. Ai
duhet të përvetësojë gradualisht njohuri të caktuara, përmes provave, përkushtimeve
dhe riteve, për të arritur përsosmërinë. Kjo rrugë simbolizon përgatitjen e
sundimtarit për të qeverisur vendin e tij. Sipas njërit prej aplikacioneve –
atij të rrumbullakët, me tetë koka kuajsh që ndjekin njëra-tjetrën – ky cikël
zgjat tetë vjet. Gjatë kësaj kohe aristokrati
kalon nëpër prova dhe rituale të ndryshme, për të përvetësuar dijen se si të
luftojë, si ta mbrojë vendin e tij. Në fund të kësaj rruge ai arrin
gjendjen e mistit – të ‘heshturit’, të përkushtuarit në misterin e pushtetit
dhe urtësisë”, thotë Gushtërakliev.
FOTO: letnitsa.bg
Pasi u mblodh dhe u ruajt, Thesari i Letnicës mori rrugën e vet nëpër botë, si një ambasador i vërtetë i trashëgimisë sonë mijëravjeçare.
“Është paraqitur në kontinente të ndryshme – Evropë, Azi dhe Amerikë. Dimë se gjatë viteve 2023–2024 u paraqit në SHBA, në Los Anxhelos, pastaj në Maqedoninë e Veriut. U ekspozua edhe në Paris, në Luvër, në vitin 2015.”
Dhe kur
nuk udhëton, thesari mund të shihet në Muzeun Historik Kombëtar në Sofje – aty
ku çdo detaj i arit dhe argjendit zbulon mençurinë e trakëve.
FOTO: letnitsa.bg
Lexoni më tepër në arkivin tonë:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva