Autor
Diana Cankova
Artikull
Enjte 12 Shkurt 2026 07:00
Enjte, 12 Shkurt 2026, 07:00
FOTO: Stanisllava Pavllova
Madhësia e shkronjave
Dymbëdhjetë gjimnazistë hedhin vështrimin drejt së ardhmes, duke krijuar jo thjesht një vend hapësinor për mbijetesë, por një parajsë të vërtetë mes yjeve, ku njerëzit mund të jetojnë plotësisht. Me projektin e tyre FlorAstra (“Lule të yjeve” në përkthim nga latinishtja) ata fituan për të dytin vit radhazi çmim në konkursin ndërkombëtar Live in a Healthy Space Design Competition 2025, të organizuar nga National Space Society në Shtetet e Bashkuara me pjesëmarrjen e mbi 2500 projekteve dhe më shumë se 14 500 nxënësve nga dymbëdhjetë shtete.
Para pak ditësh Elica Pavllova, Biljana Manasieva, Zhasmin Cvetkova, Georgi Bishkov, Ema Nestorova, Nadezhda Dragneva, Irena Shevkenova, Sijana Krësteva, Martin Llambov, Daniell Georgiev, Lora Georgieva, Ira Karina Dimova morën lajmin më të dëshiruar – se janë nderuar me çmimin e dytë të konkursit, të cilin e fituan një vit më parë. Ata duhej të paraqisnin një koncept për një strukturë bujqësore për rritjen e bimëve në kushte hapësinore.
“Mendoj se për fitoren tonë kontribuon edhe fakti që çdo herë përfshijmë diçka tipike bullgare – thotë Elica Pavllova nga Gjimnazi Anglez në Sofje. – Vitin e kaluar paraqitëm një mënyrë për prodhimin e kosit në stacionin hapësinor, pasi ai ka shumë përfitime shëndetësore dhe vlerësuam se do të ishte i dobishëm madje edhe në Hapësirë. Gjatë këtij viti vendosëm të përfshijmë një tjetër element bullgar – trëndafilin vajor, me përfitimet e tij jo vetëm në vajrat esenciale, pomadat apo reçelrat, por edhe si zbukurim, për humor, si dhe për të sjellë diçka nga Toka në stacion.”
Nxënësit e klasës së dymbëdhjetë paraqesin përfytyrimin e tyre për një koloni që rrotullohet në orbitën e Ceresit – një planet xhuxh nga Sistemi ynë Diellor. Në emrin e saj ata zbulojnë simbolikë, pasi në të përmban mesazhin “Të lëvizim përpara, të vazhdojmë racën njerëzore”. Ceres është gjithashtu perëndesha e lashtë romake e pjellorisë dhe amësisë.
FOTO: Stanisllava Pavllova
“Plani ynë për të ardhmen është ende shumë i guximshëm – vazhdon Elica Pavllova. – Njerëzimi është mjaft larg nga realizimi i një jete të plotë në Hapësirë, por është bukur të ëndërrojmë. Ne zhvilluam absolutisht çdo aspekt të jetës së banorit të ardhshëm hapësinor. Shqyrtuam si do të prodhohet oksigjeni dhe energjia, si do të pastrohet dhe riciklohet çdo burim. Përveç kësaj përgatitëm një dietë për njerëzit në stacionin tonë dhe shpikëm aktivitete, detyra dhe qëllime të ndryshme që ata të përmbushin atje.”
Kolonia hapësinore rreth planetit Ceres do të sigurojë jetë për 4 mijë persona përmes një ekosistemi plotësisht të mbyllur. Me ndihmën e një kombinimi novator teknologjish në të do të rriten mbi 40 lloje bimësh, sistemi i riciklimit do të shndërrojë urinën në ujë të pijshëm dhe plehra, ndërsa kriketat dhe larvat e mizës së zezë ushtarake do të konsumojnë mbetjet organike, duke u shndërruar në një burim ushqimor të pasur me proteina. Kulturat e modifikuara gjenetikisht me përmbajtje të rritur të vitaminave A dhe C, mishi i printuar 3D nga proteina bimore dhe korrja e robotizuar do të krijojnë një sistem ushqimor autonom, ku çdo burim do të përdoret shumë herë në një cikël të pafund rinovimi – parashikon projekti i shpikësve të rinj bullgarë.
FlorAstra vë theks gjithashtu në mirëqenien psikologjike përmes kultivimit të luleve. Kështu Rosa damascena dhe Rosa rugosa jo vetëm që do të zbukurojnë hapësirën, por do të ofrojnë veti mjekësore kundër dhimbjes, stresit dhe inflamacionit, ndërsa vajrat e tyre esenciale do të përdoren për prodhimin e ilaçeve dhe kozmetikës në bordin e stacionit hapësinor.
Për të ndërtuar vizionin e tyre për të ardhmen, të rinjtë mbështeten plotësisht në forcat e veta.
FOTO: Stanisllava Pavllova
“Gjithçka filloi kur e zbulova konkursin online – kujton Elica Pavllova. – Nuk kemi punuar me ndihmën e një mësuesi as këtë vit, as vitin e kaluar, ne u organizuam vetë. Jemi dymbëdhjetë nxënës nga dy shkolla të kryeqytetit – Gjimnazi i Parë Gjuhësor Anglez dhe Shkolla e Mesme 133 ‘Aleksandër S. Pushkin’. Hulumtuam gjithçka për kërkesat, e kryem punën sipas tyre dhe i dorëzuam online. U mbështetëm në njohuritë e fituara në shkollë. Nuk kemi përdorur inteligjencë artificiale. Bëmë hulumtime personale dhe kryesisht lexuam studime të shkencëtarëve.”
FOTO: Stanisllava Pavllova
Nëntë vajzat dhe tre djemtë e përfytyrojnë ndryshe të ardhmen e tyre.
“Secili nga ekipi ynë ka interesa të ndryshme dhe pikërisht kjo e ndihmoi fitoren tonë – thotë Elica Pavllova. – Disa interesohen për biologjinë dhe duan të punojnë me modifikim gjenetik, ndërsa një tjetër dëshiron të bëhet pilot. Unë personalisht dëshiroj të merrem me arkitekturë hapësinore për projektimin e strukturave që do t’i ndihmojnë njerëzit të fillojnë më shpejt të zhvillohen në eksplorimin hapësinor.”
Në vitin 2025 fituesit e konkursit janë të ftuar të paraqesin projektin e tyre Galanthus në konferencën vjetore të National Space Society në Florida. Nuk besojnë se do të udhëtojnë, sepse shpenzimet janë të mëdha, por Bashkia e Sofjes u jep dorë. Përtej Oqeanit para syve të tyre shpaloset një botë për të cilën vetëm kishin ëndërruar – takohen me astronautë, shkencëtarë të nivelit botëror dhe drejtuesin aktual të NASA-s, Jared Isaacman, vizitojnë Kennedy Space Center, NASA-Cape Canaveral dhe bëhen dëshmitarë të ngritjes së dy raketave.
E kuptuam se përpara nesh qëndrojnë njerëz që e kanë përshkuar këtë rrugë dhe ne mund të jemi si ata”, thotë Elica Pavllova.
Vizionarët e rinj shpresojnë të realizojnë ëndrrën e radhës – të paraqesin punën e tyre dhe të krijojnë kontakte të vlefshme në Shtetet e Bashkuara, siç kanë bërë vitin e kaluar.
“U njohëm jo vetëm me shkencëtarë, por edhe me nxënës nga shtete të tjera – thotë gjithashtu Elica Pavllova. – Lidhëm miqësi me kanadezë, rumunë, kishte ekipe nga Kazakistani, India dhe pjesë të largëta të botës. Në të ardhmen do të vazhdojmë të kërkojmë projekte më praktike – jo thjesht teorike si i yni, dhe do të punojmë së bashku me njerëz me të njëjtat mendime nga e gjithë bota. Shpresoj!”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski