Artikull
BE duhet të thellojë bashkëpunimin e tij në siguri me partnerët kyç
Enjte 12 Shkurt 2026 15:22
Enjte, 12 Shkurt 2026, 15:22
FOTO: Ministria e Mbrojtjes
Madhësia e shkronjave
“Bashkimi Evropian duhet të thellojë bashkëpunimin e tij në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me partnerë kyç me të njëjtat vlera dhe të ketë një pozicion diplomatik të qartë dhe të qëndrueshëm, në mënyrë që të mbetet një faktor i besueshëm në sigurinë globale.” Këtë e deklaroi ministri i mbrojtjes në detyrë, Atanas Zaprjanov, në mbledhjen e Këshillit të BE-së për Punët e Jashtme në formatin e ministrave të mbrojtjes, njoftoi qendra e shtypit e institucionit.
Vazhdimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën dhe integrimi i industrisë së saj të mbrojtjes në bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes së BE-së ishte tema kryesore e mbledhjes.
“Përfshirja e shpejtë dhe efektive e Ukrainës në nismat përkatëse, përfshirë Programin Evropian për Industrinë e Mbrojtjes, SAFE, Fondin Evropian të Mbrojtjes dhe Fondin e ardhshëm për Konkurrueshmërinë e BE-së, mbetet pa alternativë për sigurinë evropiane. Ne duhet të përfitojmë nga kapaciteti inovativ dhe përvoja luftarake e Ukrainës”, theksoi në fjalën e tij Atanas Zaprjanov.
Sa i përket rregullave për shpenzimin e pjesës për ndihmën ushtarake nga huaja për Ukrainën për vitet 2026–2027, Bullgaria u shpreh në favor të fleksibilitetit dhe shpejtësisë, të cilat do t’i mundësojnë Ukrainës të sigurojë urgjentisht pajisje mbrojtëse për nevojat e saj të menjëhershme.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva