SHOQËRI

Seksion

13 shkurti është Dita Botërore e Radios

Si tingëllon natyrshëm inteligjenca artificiale në radio?

Premte, 13 Shkurt 2026, 07:05

Si tingëllon natyrshëm inteligjenca artificiale në radio?

FOTO: euronews.com

Madhësia e shkronjave

Inteligjenca artificiale është një mjet, jo një zë, kujtojnë UNESCO dhe Bashkimi Evropian i Transmetuesve të Radios dhe Televizionit (EBU) me rastin e temës së Ditës Botërore të Radios. Për një vit tjetër radhazi, Radio Kombëtare Bullgare i bashkohet shënimit të 13 shkurtit me reportazhe dhe publikime me temën “Radioja dhe inteligjenca artificiale”.


“Prej më shumë se dy vitesh në Radion Kombëtare po punojmë në mënyrë aktive me mjetet e inteligjencës artificiale”, thotë Zllatko Zhelev nga Drejtoria Digjitale e BNR-së, ku punojnë njerëzit që përdorin në masën më të madhe mundësitë e teknologjive të reja, në mënyrë që përmbajtja gazetareske të arrijë te një audiencë sa më e gjerë. Sipas tij, mjetet kryesore që përdoren në faqen e radios publike janë për shndërrimin e tekstit në zë, si dhe të zërit në video, për përpunimin e fotografive dhe videove. Zllatko “ia jep hua” zërin e tij inteligjencës artificiale, e cila lexon lajmet në faqen tonë.

Zllatko Zhelev

FOTO: Elena Karkallanova

Si trajnohet inteligjenca artificiale që të tingëllojë natyrshëm?


“Me shumë, shumë regjistrime – lexoja lajme pa pushim”, thotë Zllatko Zhelev, i cili ka përvojë të konsiderueshme profesionale edhe në transmetimet radiofonike. “Me theksimet e sakta, me frymëmarrjet, me shqiptimin e duhur të shkurtesave, pa thekse të palogjikshme. Regjistrimet i jepen inteligjencës artificiale, e cila i përpunon. Më shumë se 20 herë kemi dhënë të tilla ‘voice-over’, që të afrohet sa më shumë me zërin tim dhe tani, guxoj të them se është mjaft afër tingullit tim.”

FOTO: Unsplash

A duhet të shqetësohemi se teknologjia do ta zëvendësojë krijimtarinë në radio?


“Jam larg mendimit se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë kreativitetin e gazetarëve. Po, ajo mund të kërkojë në të gjithë motorët globalë të kërkimit, por nuk mund të zëvendësojë atë që secili prej nesh ka si përvojë të fituar ndër vite, përfshirë edhe fjalorin tonë të pasur, sepse secili prej nesh mbart një bagazh të caktuar gjuhësor. Pa njeriun nuk bëhet. Inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet, por nuk mund të na zëvendësojë!”

FOTO: Pixabay

Përdorimi në shkallë të gjerë i inteligjencës artificiale në media, a ndikon tek besimi i audiencës – ndaj gazetarisë, mediave dhe radios? A janë në rrezik vlerat e gazetarisë?


“Mendoj se po. Në Bullgari flitet shumë pak për inteligjencën artificiale – tema duket sikur nuk ekziston për ligjvënësit tanë. Ministritë e Kulturës dhe të Arsimit, Këshilli për Mediat Elektronike, si edhe një përbërje më e gjerë mediatike me përfaqësues nga të gjitha mediat duhet të ulemi në një tryezë dhe t’i diskutojmë gjërat ashtu siç janë. Ekziston një mënyrë që kjo ‘ndërhyrje’ të vendoset brenda disa kufijve. Komisioni Evropian po merret aktivisht me këtë çështje prej më shumë se një viti. Është fakt që ka mjete të shkëlqyera. Ka edhe mjete për zbulimin e lajmeve të rreme, fotografive dhe teksteve të manipuluara. Por është gjithashtu fakt se ekzistojnë edhe mjete shqetësuese, që mund të fshijnë realisht punën e disa kolegëve – më tepër të atyre që thjesht kopjojnë, pra nuk sjellin autorësi apo krijimtari personale.


Në këtë drejtim, mund t’ju përgëzoj ju – Radio Bullgarinë – jam fans i juaji. Keni autorë të mrekullueshëm që shkruajnë në mënyrë unike. Autorët tuaj tregojnë histori të bullgarëve që janë pak a shumë të njohur, por që përpiqeni t’i afroni me bullgarët jashtë vendit. Dhe ju e bëni këtë në një mënyrë shumë të bukur – me shumë fotografi, me shumë biseda, ndonjëherë edhe me video, gjë që unë personalisht e vlerësoj shumë, sepse përjetimi i njeriut duhet të jetë i plotë – teksti të prekë shpirtin, fotografitë në një farë mënyre të të drithërojnë, ndërsa videoja sjell një lloj tjetër emocioni.”

FOTO: Pixabay

Çfarë është radioja në epokën e inteligjencës artificiale?


“Nuk dua të përdor këtë klishe – magji. Në Drejtorinë tonë Digjitale bëjmë shumë gjëra të ndryshme dhe gjithmonë përpiqemi të ndihmojmë të gjithë kolegët që kërkojnë mbështetjen tonë. Do të doja që Radio Kombëtare Bullgare të ishte ai ishull besimi për të gjithë dëgjuesit dhe lexuesit. Të jemi burim i parë i informacionit – lajmet të dalin nga ne, kjo është diçka që ende na mungon disi. Këtu punojnë emra të shkëlqyer si gazetarë dhe redaktorë, të cilët ndër vite kanë realizuar materiale, hetime dhe intervista të jashtëzakonshme – le të tregojmë se radioja është një forcë.”


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello