MUZIKË

Artikull

Panajot Pipkov – autori i këngëve të pavdekshme bullgare

Premte, 13 Shkurt 2026, 19:55

Panajot Pipkov (1871 – 1942)

Panajot Pipkov (1871 – 1942)

FOTO: lovech.bg

Madhësia e shkronjave

“O, ec, o, popull i rilindur” – himni festiv lavdërues i Vëllezërve të Shenjtë Kirill dhe Metodij, është pa dyshim vepra më e njohur e Panajot Pipkovit (1871–1942), një nga pionierët e muzikës klasike bullgare. Por me këtë këngë madhështore aspak nuk shterohet kontributi i tij në kulturën bullgare.

Kompozitor i talentuar, dirigjent, aktor dramatik, poet, publicist, pedagog dhe veprimtar shoqëror – edhe ai, si mjeshtrit e tjerë të mëdhenj të kohës, studioi jashtë vendit, por u kthye në Atdhe për të vënë përpjekjet dhe aftësitë e tij në shërbim të ndërtimit të Bullgarisë së Re.

I lindur në Plovdiv, që në moshë të vogël Panajot Pipkov luante violinë, këndonte në kor dhe shkruante poezi. Që në moshën 16-vjeçare merrte pjesë si aktor në trupa teatrore në Plovdiv dhe Sofje. Babai i tij – muzikanti Hristo Pipkov – nuk arriti t’i sigurojë arsimim djalit të tij. Këtë e bënë artistë nga teatri “Lot dhe Qeshje”, të cilët e dërguanpër studime në Milano, ku jetonte nga viti 1893 deri më 1895. Pas kthimit në atdhe, Panajot Pipkov ishte dirigjent i shoqërive muzikore në Varna dhe Ruse. Në vitin 1900 u emërua mësues muzike në qytetin Lloveç. Pesë vitet e kaluara atje ishin më të lumturat për të në plan personal dhe më produktivet si krijues. Ai ishte shpirti i jetës muzikore në qytet: krijoi dy kore, drejtoi orkestrën frymore të qytetit, shkroi këngë dhe marshe. Në vitin 1903, Pipkov u martua me mësuesen Nadka Stefanova, e cila ishte edhe koristja e tij. Në Lloveç lindën dy djemtë e tyre – njëri prej tyre është kompozitori i madh bullgar Ljubomir Pipkov, i cili mbaroi me rezultate të shkëlqyera një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë muzikor në botë – École normale de musique në Paris.

Ljubomir Pipkov (1904 – 1974)

FOTO: operasofia.bg

Bashkëkohësit e Ljubomir Pipkovit, me arsim të lartë – e ashtuquajtura “gjenerata e dytë” e kompozitorëve bullgarë – i vunë vetes një detyrë madhështore: krijimin e një stili kombëtar bullgar në muzikë. Ai dhe kolegët e tij, si Panço Vlladigerov, Veselin Stojanov dhe Marin Goleminov – me arsim dhe karrierë evropiane – u kthyen në Atdhe për të krijuar. Këtë e bënë mbi bazën e folklorit bullgar, ku secili nxori prej tij atë që ishte më afër talentit të vet. Brezi i babait, Panajot Pipkov, kishte një detyrë tjetër – të edukonte dhe të përçonte një kulturë të re, bashkëkohore. Krijimtaria e këtyre kompozitorëve gjithashtu mbështetej në këngën popullore – te ajo që është e qëndrueshme dhe autentike, që kombi bullgar e zotëron. Bashkëkohësit e Panajot Pipkovit shkruanin, botonin dhe ekzekutonin, por mbi të gjitha ishin mësues. Edhe ai vetë punonte si i tillë në disa gjimnaze të kryeqytetit, drejtonte kore dhe orkestrina amatore dhe krijoi repertor për to.

Panajot Pipkov

FOTO: Agjencia Shtetërore “Arkivat”

Ai mori pjesë në luftërat nga viti 1912 deri më 1918 si dirigjent i orkestrave ushtarake. Më pas ishte dirigjent në “Teatri i Lirë” – teatri i parë profesional i operetës në Bullgari, ku vuri në skenë vepra si “Mbretëresha e Çardashit” dhe “Manovrat e vjeshtës” të Imre Kálmán-it, si dhe “Trëndafili i Stambollit” të Leo Fall-it.

Në vitet 20-të të shekullit të kaluar, ai ishte edhe dirigjent në Operën Kombëtare, aktor dhe muzikant në Teatrin Dramatik të Sofjes, si dhe dirigjent i Orkestrës Frymore të Qytetit pranë Policisë së Kryeqytetit. Shkruante drama dhe publicistikë por kontributi i tij si kompozitor ishte më i rëndësishëm.


Panajot Pipkov

FOTO: Fondi arkivor i Radios Kombëtare Bullgare

Panajot Pipkov është autor i dy operetave për fëmijë, të cilat fituan popullaritet të madh dhe u shfaqën në shkollat bullgare deri në vitet 70-të – “Fëmijë dhe zogj” dhe “Gjinkalla dhe milingona”. Në të dytën përfshihet një nga këngët më të dashura bullgare – “Lauresha zëëmbël”, e krijuar në vitin 1903 mbi një poezi e shkrimtarit dhe poet për fëmijë Çonjo Kallçev.

Përveç këngës së dashur “Lauresha zëëmbël”, Panajot Pipkov krijoi shumë këngë korale dhe marshe për orkestra frymore, muzikë të dhomës dhe partitura teatrale. Ai konsiderohet kompozitori i gjeneratës së parë, i cili me pjesët e tij për piano ngriti krijimtarinë klasike bullgare në nivel evropian. Në veprat për piano ai shpesh përdorte parimet e variacionit dhe improvizimit, që i afronin me zhanre si fantazia e lirë dhe parafraza, të ngjashme me veprat e Ferenc Lisztit.

FOTO: nationallibrary.bg

Dy nga këngët e tij më të njohura – “Kur isha bari” dhe “Ku është Bullgaria”, të shkruara mbi vjersha të poetit të madh Ivan Vazov, janë pjesë e pasurisë së çmuar kulturore bullgare. Edhe më sot, vjersha “Ku është Bullgaria”, e botuar për herë të parë më 1876 në përmbledhjen e parë poetike të Ivan Vazovit “Prjaporec i guslla” (“Flamuri dhe lahuta”), mbetet një nga simbolet e kombit bullgar, e njohur më tepër në versionin me muzikë të Panajot Pipkovit.  Përveç si këngë, “Ku është Bullgaria” përdoret edhe si marsh solemn ushtarak, por sidomos prekëse tingëllon kur interpretohet me freskinë e zërave të fëmijëve – si ata të grupit vokal “Zilet e Argjendta” me drejtues Stefan Ribarov.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova