EKONOMI

Artikull

Vendosja e euros rriti inflacionin me 0.3–0.4%, tha guvernatori i BNB-së

Premte, 13 Shkurt 2026, 09:12

Dimitër Radev

Dimitër Radev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Procesi i pranimit të euros në Bullgari po zhvillohet pa devijime nga pritshmëritë paraprake, deklaroi guvernatori i Bankës Kombëtare e Bullgarisë (BNB), Dimitër Radev, në një forum ekonomik në Sofje të organizuar nga revista The Economist. Sipas Radevit, tashmë 85% e levave u tërhoqën nga qarkullimi dhe u zëvendësuan me mbi 7 miliardë euro. Ai citoi vlerësimet paraprake të Institutit Kombëtar të Statistikave dhe të Eurostatit, sipas të cilave inflacioni vjetor në Bullgari në janar ishte rreth 2.3%, gjë që “në përgjithësi përputhet me tendencat e çmimeve në eurozonë”. Sipas tij, pranimi i euros shkaktoi një rritje të inflacionit “rreth 0.3–0.4 pikë përqindjeje në inflacionin mujor gjatë janarit”.

“Termi “sovranitet” shpesh interpretohet në kuptim simbolik. Në mjedisin ekonomik të sotëm, sovraniteti matet gjithnjë e më shumë me aftësinë e institucioneve për të marrë vendime të parashikueshme, të besueshme dhe të qëndrueshme në kohë,” shpjegoi Dimitër Radev. Ai shtoi se, nga ky këndvështrim, anëtarësimi në eurozonë nuk përbën humbje të sovranitetit, por përfaqëson një kalim drejt pjesëmarrjes në një kuadër institucional të përbashkët, ku vendimet merren në mënyrë të përbashkët. “Euroja nuk është qëllim përfundimtar. Ajo është një kuadër ku cilësia e institucioneve dhe qëndrueshmëria e politikave bëhen edhe më të dukshme”, shtoi guvernatori i Bankës Kombëtare e Bullgarisë.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova