Artikull
Shtunë 14 Shkurt 2026 07:00
Shtunë, 14 Shkurt 2026, 07:00
FOTO: Irina Bosillkova
Madhësia e shkronjave
Festa e pranverës dhe e gëzimit, simbol i bullgarëve të Banatit dhe i traditave katolike në Bullgari – këtë përfaqëson festivali karnaval “Fërshangi” në fshatin Bërdarski Geran, rajoni i Vracës. Këtë vit karnavali do të zhvillohet më 14 dhe 15 shkurt dhe do të shënojë kohën para fillimit të Kreshmëve të Pashkëve, të cilat për të krishterët ortodoksë fillojnë më 23 shkurt dhe do të zgjasin deri më 11 prill, ndërsa për katolikët janë midis 18 shkurtit (E Mërkura e Hirit) dhe 4 prillit.
FOTO: facebook.com/farsangji
“Këtë vit shënojmë tri festa në një. Këto janë ‘Fërshangi’, Shën Valentini dhe Trifon Zarezan – shpjegon Irina Bosillkova, kryetare e Shtëpisë së Kulturës ‘Unifikimi 1923’ në Bërdarski Geran për BNR-Vidin. – Kemi përgatitur një program mjaft të pasur për ‘Fërshangi’, me shumë surpriza për mysafirët. Këtë vit kemi vënë theksin te vera, ushqimi dhe dashuria dhe më interesantja ndoshta do të jetë gara për sallamin e Banatit. Para kësaj do të ketë një paraqitje tradicionale të përgatitjes së derrit, e cila ndryshon nga zakoni tradicional bullgar për Krishtlindje. Ditën tjetër, më 15 shkurt, vëmë theksin edhe te prodhimet e brumit, si dhe këtë vit, përveç demonstrimit që bëjmë në vend, do të ketë edhe konkurs për gatime banatase, ku secili mund të marrë pjesë. Në pjesën përmbyllëse, çdo i ardhur në Bërdarski Geran do të mund të provojë atë që kemi përgatitur ne dhe pjesëmarrësit në konkurs.”
FOTO: Irina Bosillkova
Organizatorët kanë parashikuar gjithashtu që çdo person që prek frymën e festivalit karnaval “Fërshangi” këtë vit të provojë plotësisht falas Çorba Lista. Pjata përfaqëson lëng pule, ku mishi dhe lloje të ndryshme perimesh zihen të plota, shpjegon Irina Bosillkova. Në kundërshtim me pritjet, “listat” nuk janë gjethe lakre apo gjethe jeshile, por përfaqësojnë fidë të freskët të hapur me dorë, të prerë në shirita të hollë. Tradicional është edhe pazari në kuadër të festës, ku do të paraqiten punime të bëra me dorë, produkte bio, sallam banatas (suxhuk tradicional banatas) sipas traditës së vjetër të Banatit. Shtëpia lokale e kulturës “Unifikimi 1923”, e angazhuar në organizimin e karnavalit, do të ketë stendën e vet të quajtur Dhoma e Banatit (dhomë tradicionale që rikrijon jetën e përditshme, kulturën dhe frymën e bullgarëve të Banatit, shpesh e mirëmbajtur nga shtëpi kulture dhe komunitete në fshatra si Bërdarski Geran). “Në këtë stendë do të ofrojmë prodhimet tona dhe me mjetet nga shitjet do të ndihmojmë Muzeun Etnografik të fshatit tonë”, tregon Bosillkova.
FOTO: Irina Bosillkova
Fërshangi vjen nga fjala hungareze Farsang dhe gjermane Fasching – karnaval. Në këtë festival, megjithatë, nuk do të shihni kukerë dhe maska të frikshme, por një nderim të vërtetë ndaj teatrit të roleve të përmbysura, ku burri merr rolin përmes rrobave të grave, ndërsa gruaja – atë të burrit. Fëmijët, nga ana e tyre, përmes kostumeve hyjnë në rolet e personazheve të tyre të preferuar nga përrallat dhe filmat. E gjithë kjo krijon një atmosferë kaosi të kontrolluar dhe gëzimi në pritje të Pranverës.
Shihni më shumë:
“Balloja” në Bërdarski Geran tregon traditat e bullgarëve banatë
Përpiloi: Vesella Krësteva
Sipas intervistave të Nedka Lillkova për BNR – Radio Vidin
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski