Artikull
Dielë 15 Shkurt 2026 07:00
Dielë, 15 Shkurt 2026, 07:00
FOTO: Radio Vidin
Madhësia e shkronjave
Nxënësi i klasës së shtatë nga shkolla e Vidinit “Ivan Vazov”, Aleksandër Tihomirov, është një krenari e vërtetë jo vetëm për familjen e tij, por edhe për qytetin e tij. Për moshën e tij të re prej 14 vjetësh, ai tashmë është fitues i shumë çmimeve në gjuhën angleze në konkurse dhe gara të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Dashuria ndaj gjuhëve e djalit tim u shfaq që në moshë shumë të vogël përmes kureshtjes ndaj fjalëve dhe veçanërisht ndaj tingëllimit të fjalëve në gjuhën angleze – tregon për BNR-Vidin nëna e tij, Gabriella Monova. – Filloi një seri garash, dhe në këtë mënyrë ai shfaq vetëbesimin dhe njohuritë e tij dhe dëshmohet në mënyrë mbresëlënëse. Ka qenë dy herë garues kombëtar në formatin Olimpiada Ndërkombëtare KGL (Kangaroo Global Linguistics – një nga garat më të mëdha ndërkombëtare në gjuhën angleze për nxënës) në vitin 2024 dhe 2025. Më pas, në vitin 2025, mori pjesë në garën ndërkombëtare HIPO në Sofje dhe surpriza më e këndshme dhe dëshmi tjetër e punës dhe disiplinës që ka Aleks – ai u kualifikua për kualifikimet play-off në Brajton, Mbretëria e Bashkuar, por nuk arriti të shkojë.”
Nëna e Aleksandrit, Gabriella Monova, është krenare për sukseset e të birit
FOTO: Radio Vidin
Aleksandër Tihomirov fiton katër medalje ari në garën “Mnogoznajko”, çmime në dy vite radhazi në garën “Kenguru”. Dy vite radhazi merr pjesë në projektin ndërkombëtar Erasmus – në Itali në vitin 2024 dhe në Valencia në vitin 2025. Është nominuar për “Fëmijët e Suksesshëm të Bullgarisë – Fondacioni Dimitër Berbatov” për vitin 2025.
“Nga fundi i vitit shkollor mora pjesë në një projekt në Valencia, Spanjë. Morëm pjesë atje për dy javë në një program shumë interesant psikologjik, i cili shpjegonte për mendimin kritik dhe si të socializohemi siç duhet. Gjuha angleze më pëlqen shumë, sepse jo vetëm që mund të shpjegohet ndjenja dhe mënyra e të menduarit të një personi në mënyrë shumë të ndryshme dhe komplekse, por edhe sepse disa fjalë mund të kenë shumë dhe kuptime të ndryshme” – shpjegon Aleks.
Ky vit po nis premtues për djalin, i cili në janar kaloi një tjetër provim në gjuhën angleze, format hyrës, dhe mori 27 nga maksimumi 30 pikë. Dhe kështu, me njohuri dhe punë personale, i riu bullgar fitoi mundësinë të jetë pjesë e programit veror gjuhësor Embassy Summer këtë vit. Programi do të zhvillohet në kampusin e Universitetit Sussex në Brajton, të cilin Aleks mezi pret ta vizitojë.
Përpiloi: Vesella Krësteva
Sipas intervistave të Nedka Lillkova për BNR – Radio Vidin
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski