Autor
Ljubomir Kollarov
Seksion
Dielë 15 Shkurt 2026 10:30
Dielë, 15 Shkurt 2026, 10:30
Antoaneta Radosllavova
FOTO: Ljubomir Kollarov
Madhësia e shkronjave
Zëri në radio ka qenë një dritare drejt botës – sidomos në vitet kur qasja në informacion ishte e kufizuar dhe valët e radios lidhnin kontinente. Për historinë, kujtesën dhe të ardhmen e programit për jashtë vendit të radios publike, i njohur sot si Radio Bullgaria, biseduam me Antoaneta Radosllavova – kuratore e Muzeut të vetëm në vend për historinë e radios, redaktore muzikore për shumë vite në Radion Kombëtare Bullgare dhe pjesë e ekipit të Radio Bullgarisë.
Që në fillim të takimit ajo theksoi lidhjen e saj personale me median:
“Jam e lumtur që ndodhem në studion e Radio Bullgarisë – një media që e dua dhe që e kam studiuar, në njëfarë kuptimi, në një nga librat e mi, i cili i kushtohet muzikës në radion bullgare në periudhën nga viti 1930 deri më 1944.”
Pas daljes në pension, Antoaneta Radosllavova vazhdoi punën e saj shkencore. Në vitin 2012 ajo merr një ftesë nga Zahari Milenkov – krijues dhe kuratori i parë i Muzeut të Radios. Fillimisht ajo refuzon, sepse po punonte mbi librin e saj për historinë e Radio Sofjes. Dy vjet më vonë pranon. “Nuk mund t’i thoja jo”, pranon ajo, dhe tashmë prej dymbëdhjetë vitesh është pjesë e ekipit të muzeut.
FOTO: Ljubomir Kollarov
Ndër dëshmitë më të çmuara arkivore ajo përmend regjistrimet e primadonës së operës Gena Dimitrova dhe intervistat me intelektualin Petër Uvaliev. Veçanërisht e kanë impresionuar fjalët e tij, të thëna në një bisedë me Galja Sirijska nga redaksia për bullgarët jashtë vendit, në të cilën ai flet për aftësinë e radios për të kapërcyer ndarjet dhe për të tejkaluar urrejtjen:
“Valët e radios kanë kapërcyer hendekët e urrejtjes. Radioja na mësonte të mos urrejmë”, thotë Petër Uvaliev.
Petër Uvaliev
FOTO: Arkiva BNR
Gjatë viteve, Radio Bullgaria ka pasur një mision të qartë – “të tregojë se sa vend interesant është Bullgaria, kultura dhe muzika e saj”. Që nga viti 1936 transmetoheshin emisione të posaçme muzikore 30-minutëshe për bullgarët jashtë vendit, përmes të cilave si bullgarët, ashtu edhe të huajt njiheshin me folklorin tonë unik muzikor. Më vonë u zhvilluan programe në gjermanisht, italisht, polonisht, çekisht, serbo-kroatisht, rumanisht, greqisht, turqisht dhe, në periudha të ndryshme, edhe në arabisht; madje ka ekzistuar edhe një redaksi afrikane.
Në fillim të viteve ’90 programet për jashtë tashmë transmetoheshin me emrin “Radio Bullgaria”. Megjithatë, në vitin 2012 u ndërprenë transmetuesit me valë të shkurtra dhe të mesme dhe media kaloi tërësisht në hapësirën e internetit – një ndryshim që shënoi një etapë të re në zhvillimin e saj.
FOTO: Ljubomir Kollarov
Sot në muze ruhen jo vetëm dokumente dhe regjistrime, por edhe pajisje unike. Mes eksponateve ndodhet një llambë me merkur, e dhuruar nga stacioni rajonal i radios në Stara Zagorës, e cila ka funksionuar më shumë se 60 vjet pa ndërprerje. Vizitorët habiten edhe nga mikrofonat e vjetër, të ruajtur falë inxhinierit Asen Marinov, mes të cilëve ka një model katërfaqësh me karbon dhe një model prej mermeri nga vitet ’30.
FOTO: Ljubomir Kollarov
Por sipas Antoaneta Radosllavovsë, më e rëndësishmja mbetet kujtimi për njerëzit:
“Përpiqemi të ruajmë jo vetëm objektet – pultet, magnetofonët, radiomarrësit e vjetër – por edhe kujtimet për njerëzit që kanë punuar në radio, sepse radioja duhet të kujtojë gazetarët, muzikantët, regjisorët e zërit, teknikët, inxhinierët, përkthyesit, spikerët dhe të tjerë, të cilët i kanë kushtuar disa dekada nga jeta e tyre këtu në radio.”
FOTO: Ljubomir Kollarov
Ndër “thesaret” e Radio Bullgarisë ajo veçon serinë “Folk studio” të Rumjana Panajotovës. Në muze ruhet një dosje e madhe me emisionet e saj, kushtuar këngëve, valleve dhe traditave bullgare. Një kujtim interesant nga fillimi i viteve ’90 është një letër nga Japonia, në të cilën një dëgjues shpreh habinë për muzikën moderne bullgare që transmetohej.
Nëse do të mund të ringjallte një moment nga e kaluara, Radosllava do të kthehej në fillimet e transmetimeve me valë të shkurtra. Në arkiva ruhen qindra letra nga Evropa, Afrika e Veriut, Siria, Maroko dhe SHBA-ja – dëshmi e fuqisë së sinjalit dhe e lidhjes me dëgjuesit.
FOTO: Muzeu i historisë së radios në Bullgari “Prof. dr. Veselin Dimitrov”
“Unë, për shembull, do të kthehesha sërish pas në të kaluarën, në kohën kur, të pasigurt për nivelin e tyre teknik, bullgarët përpiqeshin të kishin transmetime me valë të shkurtra, por puna e tyre shpërblehej nga qindra letrat që mbërrinin… Zakonisht aty jepeshin të dhëna të sakta për mënyrën se si dëgjohej transmetimi – zë kristal i pastër, më i mirë se disa stacione vendase të radios.”
Sot teknologjitë janë të tjera, por misioni mbetet i njëjti. Radio Bullgaria vazhdon t’i tregojë botës për vendin tonë, ndërsa në Muzeun e historisë së radios ruhet jo thjesht teknika, por kujtesa e gjallë e brezave të profesionistëve – nga inxhinieri Minko Topallov dhe Kosta Adamov deri te dhjetëra redaktorë, përkthyes dhe spikerë që kanë lënë zërin e tyre në transmetim.
Sepse, siç duket qartë nga fjalët e Antoaneta Radosllavovës, tingulli nuk zhduket. Ai mbetet – si kujtesë kulturore dhe si një bashkësi e krijuar përtej distancave.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello