LAJME

Artikull

FAO vlerësoi publikimet e Assia Chaneva-s në fushën e ekologjisë detare

Hënë, 16 Shkurt 2026, 10:44

FAO vlerësoi publikimet e Assia Chaneva-s në fushën e ekologjisë detare

FOTO: BNR

Madhësia e shkronjave

Në faqen e saj zyrtare, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë pranë OKB-së – FAO publikoi mendimet e pesë gazetareve nga rajoni i Mesdheut dhe Detit të Zi mbi rëndësinë e komunikimit shkencor. Assia Chaneva nga Radioja Kombëtare Bullgare është ndër gratë e përzgjedhura nga FAO që ndajnë rrugëtimin e tyre në gazetari dhe aftësitë për të paraqitur në mënyrë efektive temat mjedisore. Autoret e tjera vijnë nga Tunizia, Turqia, Italia dhe Kroacia. 

Publikimi i Komisionit të Përbashkët të Peshkimit për Mesdheun pranë FAO-s është me rastin e 11 shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, dhe thekson rolin kyç të grave në komunikimin shkencor për ekologjinë detare. 

Assia Chaneva vë në dukje ndikimet mbi jetën në rajonet detare – nga peshkimi, turizmi, fatkeqësitë natyrore, deri te ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit. “Pas çdo grupi të dhënash dhe llogaritjesh qëndrojnë njerëz, natyrë, zgjedhje dhe pasoja”, thotë ajo. 

Assia Chaneva është autore dhe moderatore e rubrikës për ekologji dhe klimë “Minutat e gjelbra” në emisionin “Labirintet e dijes” të programit “Hristo Botev”. Ajo është gjithashtu gazetarja e parë dhe e vetme bullgare e pranuar në programin OCJN – Rrjeti i Oksfordit për Gazetari Klimatike pranë Institutit Reuters. Ajo është autore e publikimeve të lidhura me Detin e Zi, lagunat bregdetare dhe ndryshimet klimatike, përfshirë serinë: “Rikthimi i ekosistemeve bregdetare – një mision i mundur”. Assia Chaneva është autore edhe e një sërë materialesh të botuara nga Radio Bullgaria.

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva