Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Hënë 16 Shkurt 2026 14:30
Hënë, 16 Shkurt 2026, 14:30
Drejtori i Përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitev
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Radio Bullgaria është pjesë e historisë 91-vjeçare të Radios Kombëtare Bullgare prej plot nëntë dekadash. Me rastin e 90-vjetorit të programit shumëgjuhësh të radios publike, i cili krijon përmbajtje online në 11 gjuhë – për bullgarët në mbarë botën dhe për të huajt që interesohen për atdheun tonë – ne e drejtojmë vështrimin nga e ardhmja e shumëllojshmërisë gjuhësore në mediat publike. “Të gjitha mediat publike, në një masë më të madhe apo më të vogël, e ushtrojnë një veprimtari të tillë dhe kanë edicione në gjuhë të huaja”, thotë drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitev. Fakti që programi shumëgjuhësh i Radios Kombëtare ka përballuar të gjitha llojet e ndryshimeve – politike, teknike dhe administrative – është i jashtëzakonshëm… Por çfarë është Radio Bullgaria për Milen Mitev – jo aq si drejtues, por si konsumues i përmbajtjes mediatike?
Drejtori i Përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitev
FOTO: BTA
“Gëzuar festën të gjithë kolegëve të Radio Bullgarisë, si dhe të gjithë dëgjuesve, lexuesve dhe shikuesve të Radio Bullgarisë, sepse ajo tashmë përdor të gjitha mundësitë për të arritur tek audienca e saj. Është domethënëse që shumë shpejt pas krijimit të Radios Kombëtare Bullgare si institucion, filloi transmetimi i edicioneve në gjuhë të huaja dhe historia e Radio Bullgarisë është pothuajse po aq e gjatë sa historia e të gjithë Radios Kombëtare. Kjo tregon se që në ato vitet e para, njerëzit që e drejtonin Radion dhe përcaktonin tonin e zhvillimit të saj – atë që sot do ta quanim strategji – e kuptonin sa e rëndësishme është që Radioja Bullgare të mund të flasë në gjuhë të huaja, të arrijë në mbarë botën.”
Edhe para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore, Bullgaria, përmes Radios së saj Kombëtare, ishte vendosur qartë në hartën e Evropës me plot tre programe radiofonike. Kështu shohim se kishte një vizion strategjik që të paraqiteshim para botës, t’i flisnim botës. Ndërkohë, Radio Bullgaria ishte edhe diçka shumë më tepër. Jetojmë në një kohë kur njerëzit lëvizin lirshëm: punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme; kufijtë janë shumë më të paktë sesa ishin në kohën kur nisi nga puna Radio Bullgaria. Në njëfarë kuptimi, Radio Bullgaria vizaton mbi hartën e botës një hartë tjetër, të vërtetë të Bullgarisë – jo të kufizuar nga kufijtë gjeografikë dhe politikë, por Bullgarinë atje ku ndodhen njerëzit që ndihen bullgarë.”
Milen Mitev merr pjesë shumë aktivisht në punën e Bashkimit Evropian të Radios dhe Televizionit (EBU) – në dhjetor 2023 ai u zgjodh anëtar i Bordit Drejtues të EBU-së, përfaqësuesi i parë bullgar në organin më të lartë drejtues të Bashkimit, ndërsa që nga marsi i vitit të kaluar është kryetar i Komitetit Juridik. Këto pozicione sigurisht që japin një këndvështrim mbi rolin e programeve në gjuhë të huaja në mediat publike evropiane: si zhvillohen ato, çfarë funksionesh përmbushin dhe cili është vendi i tyre?
Komiteti Ligjor i Bashkimit Evropian për Radio dhe Televizionin me mandat 2025–2027
FOTO: EBU
“Evropa ka një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme kulturore, dhe pikërisht në këtë kohë, kur kufijtë ekzistojnë gjithnjë e më shumë vetëm në mendjet tona dhe janë shumë të lehtë për t’u kaluar, kjo shumëllojshmëri kulturore po zhvendoset në një mënyrë që mund të hapë horizonte të reja, arritje të reja – në shkencë, në kulturë, dhe përgjithësisht në zhvillimin e shoqërive evropiane. Dhe këtu është shumë e rëndësishme që mediat publike të mund të flasin me një audiencë më të gjerë. Mendoj se të gjithë kolegët tanë në Evropë e kuptojnë këtë, aq më tepër që disa prej tyre disponojnë edhe burime shumë më të mëdha sesa ne. Funksioni i emisioneve në gjuhë të huaja mund të shihet në dy drejtime: nga njëra anë – të ruajnë një lidhje të ngushtë mes të gjithë njerëzve që i përkasin një komuniteti, pavarësisht se ku ndodhen në botë; dhe nga ana tjetër – të mund të tregojnë për vendin tonë për të gjithë botën. Ashtu siç e bën Radio Bullgaria në 10 gjuhë të huaja, përveç bullgarishtes, ne mund të arrijmë si tek bashkëkombësit tanë, ashtu edhe tek çdo person që ka interes të mësojë diçka më shumë për vendin tonë.”
Drejtori i Përgjithshëm i BNR-së, z. Milen Mitev, i dorëzon një çmim Redaktorit Kryesor të Radio Bullgarisë, Krasimir Martinov
FOTO: Evgeni Dimitrov
Radio Bullgaria është padyshim një lidhje e rëndësishme e Atdheut me bashkëkombësit tanë në mbarë botën, por edhe me shumë të huaj. Janë të njohura raste kur ata vendosin të vizitojnë Bullgarinë, falë informacionit për vendin tonë që kanë mësuar nga Radio Bullgaria. Në çfarë drejtimi sheh drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare potencialin për zhvillimin e këtij programi?
“Potenciali i Radio Bullgarisë është jashtëzakonisht i madh. Si drejtues i Radios, më vjen pak keq që shpesh flasim për një potencial që nuk realizohet gjithmonë, dhe zakonisht kjo ndodh për shkak të mungesës së burimeve. Fatkeqësisht, ashtu si shumë kolegë tanë të tjerë në mediat publike, edhe ne jemi të detyruar të punojmë në kushtet e nënfinancimit dhe të burimeve të kufizuara…”
Drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare ka qëndrim pozitiv ndaj idesë që Radio Bullgaria të kthehet në një “radio me zë”. Është e njohur se transmetimi në eter i programit u ndërpre në vitin 2012, dhe sot në eter transmeton vetëm ekipi i Gjuhës Turke – kryesisht në valët e Radios Publike Kombëtare të qytetit Kërxhali.
FOTO: BNR
“Radio Bullgaria padyshim do të jetë një radio me zë. Tani po e ecim këtë rrugë duke rifilluar podkastet, të cilat janë zë dhe japin mundësinë që njerëzit të dëgjojnë Radio Bullgarinë, jo vetëm të lexojnë materiale në internet. Gjithçka, sigurisht, varet edhe nga burimet buxhetore, sepse problemi i madh në këtë moment është se shumë nga redaksitë gjuhësore kanë ekipe shumë të vogla. Kjo është edhe arsyeja pse aktualisht gjuha rumune nuk ka podkaste të rregullta, thjesht sepse nuk kemi burime njerëzore të mjaftueshme për t’i realizuar, ndërsa duhet të ketë edhe më shumë transmetime audio. Ato mund të jenë në eter ose online, por zëri patjetër duhet të ekzistojë, sepse jemi mbi të gjitha një radio, dhe kjo është një mënyrë shumë e vlefshme për të pasur qasje të drejtpërdrejtë tek audienca.”
FOTO: sbj-bg.eu
Milen Mitev shpjegon se kjo është në fakt edhe arsyeja pse drejtuesit e Radios Kombëtare Bullgare po mendojnë për transmetim në eter në Moldavi:
“Vlera e shtuar e transmetimit në eter është se nuk është e nevojshme që ti ta kërkosh – ai vjen vetë tek ty. Mjafton vetëm të shtypësh butonin e radio-pranuesit. Nuk e nënvlerësojmë as informacionin online, i cili ka një avantazh tjetër – njeriu mund ta gjejë atë kur të dëshirojë, në kohën që i përshtatet. Por ne duhet të ofrojmë gjithashtu mundësinë që Radio Bullgaria të arrijë tek audienca e saj përmes zërit. Besoj se kjo do të zhvillohet gjithnjë e më shumë, por natyrisht – në një masë të madhe varet nga modeli i financimit. Madje nuk do të thoja aq shumë nga sasia, sepse çështja nuk është sa para merr Radioja, por për çfarë i përdor ato. Që prej disa vitesh flitet për ndryshime në Ligjin për Radion dhe Televizionin, në modelin e financimit. Fatkeqësisht, paqëndrueshmëria politike këtu na pengon shumë. Është e rëndësishme që Radioja të ketë një detyrë të qartë dhe të marrë financim për realizimin e saj. Dhe në momentin kur pjesë e kësaj detyre do të bëhet Radio Bullgaria dhe kjo të jetë përcaktuar në mënyrë të duhur në ligj, atëherë do të mund të marrim financim adekuat, që të mund të zhvillohen transmetime audio, të mendohet se si të arrijmë tek bashkëkombësit tanë jashtë vendit jo vetëm në rajonin e Besarabisë, por edhe në shumë vende të tjera ku jeton popullsi bullgare e përqendruar. Sepse kjo është një investim – përmes Radio Bullgarisë dhe Radios Kombëtare Bullgare, shteti bullgar mund të investojë në të ardhmen e vet, në lidhjen me bullgarët në mbarë botën.”
FOTO: BNR
Në fund, drejtori i përgjithshëm i BNR-së drejtoi urimin e tij të veçantë ndaj ekipit të Radio Bullgarisë për 90-vjetorin:
"Para së gjithash, dua të uroj të gjithë kolegët që të vazhdojnë të vendosin zemër në punën e tyre. Sepse, kur e bëjnë këtë, besoj se audienca e ndjen. Dhe pikërisht për këtë arsye kjo audiencë vazhdon të na besojë dhe të na kërkojë. Prandaj, pavarësisht nëse dikush e pëlqen BNR-në apo jo, shumë rrallë do të gjeni dikë që të mos i afrohet Radios me respekt. Ky respekt është fituar me profesionalizëm dhe me përpjekjet, me shpirtin që të gjithë kolegët vendosin në punën e tyre. E kuptoj që kohët nuk janë të lehta. Fatkeqësisht, kjo është situata në pothuajse gjithë Evropën aktualisht. Të gjitha mediat publike jemi nën presion të madh për të optimizuar. Si duket, shoqëritë për të cilat punojmë kuptojnë se jemi të vlefshëm, por mendojnë se mund të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën punë me gjysmën e burimeve – gjë që, fatkeqësisht, nuk është e mundur. Dhe është e rëndësishme që të mos lejojmë që zëri i mediave publike të dobësohet. Sepse ky zë është një shtyllë shumë, shumë e rëndësishme ndërtuese e çdo shoqërie demokratike. Aktualisht kemi shumë sfida – nga natyra të ndryshme. Dhe për të garantuar të ardhmen e mediave publike, nevojitet një mekanizëm që të lejojë financim adekuat, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të tërheqim njerëz të kualifikuar. Në Radio punojnë profesionistë të shkëlqyer. Nuk jam i sigurt, megjithatë, se sa kohë kjo do të vazhdojë të jetë e tillë, sepse nëse situata e burimeve të pamjaftueshme vazhdon për një kohë të gjatë, herët a vonë do të ulet edhe niveli, dhe këtë nuk duhet ta lejojmë."
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova