Autor
Daniella Goleminova
Artikull
Martë 17 Shkurt 2026 20:00
Martë, 17 Shkurt 2026, 20:00
FOTO: Arkivi personal i Petja Petrova
Madhësia e shkronjave
Larg nga atdheu, por më pranë tij se kurrë – kështu kalon rruga e Petja Petrovës. Prej tashmë një çerek shekulli ajo jeton në Gjermani, por në pikturat dhe objektivin e saj vazhdojnë të ringjallen bukuria e bullgares, magjia e kostumeve popullore dhe pulsi i folklorit bullgar. Për të, arti nuk është thjesht frymëzim, por mënyrë për të ruajtur dhe për t’u përcjellë brezave të ardhshëm një grimcë nga Bullgaria.
Petja Petrova ka përfunduar studimet për pikturë në Universitetin e Veliko Tërnovos “Shën Kirill dhe Metodij”. Para se të nisej për në Ahen, Gjermani, ku jeton prej 25 vitesh, ka punuar si mësuese vizatimi në tri gjimnaze në qytetin e saj të lindjes, Gorna Orjahovica. Si pasojë e rrethanave, në vitin 2000 Petja mbeti pa punë dhe vendosi të kërkojë realizim profesional jashtë vendit, megjithëse gjithmonë ka qenë fort e lidhur me rrënjën. “Zgjodha Gjermaninë, sepse mendoja se atje ëndrrat realizohen menjëherë. Epo, nuk është pikërisht kështu” – thotë sot bashkëatdhetarja jonë. Në Gjermani punon në fushën e veprimtarive sociale. Megjithatë, shpirti i saj i është përkushtuar pikturës dhe fotografisë. Petja pikturon çdo ditë, kryesisht në mbrëmje, si çlodhje nga përditshmëria e ngarkuar. Tregon se jashtë vendit e ka rizbuluar për vete Bullgarinë si burim bukurie dhe frymëzimi. I pëlqen të pikturojë bullgare të veshura me kostume popullore autentike. Ndoshta për këtë arsye pikturat e saj të kujtojnë një nga piktorët më të mëdhenj bullgarë – Vlladimir Dimitrov-Mjeshtri.
FOTO: Arkivi personal i Petja Petrova
“Pikturoj tablo kushtuar folklorit bullgar – bukurisë së bullgares, kostumeve tona, zakoneve dhe gjithçkaje që lidhet me Bullgarinë. Për njëfarë kohe mbesa ime ishte modeli im i preferuar, sepse sipas përfytyrimeve të mia ajo i përgjigjet idealit të bullgares jo vetëm në shekullin e kaluar, por edhe sot. Aktualisht është një vajzë e ëmbël, e cila është muza ime e fundit. Ajo kërcen në grupin tonë të vallëzimit në Ahen... Çdo bullgar, pavarësisht se ku ndodhet, nuk duhet t’i harrojë rrënjët e veta. Një tablo mbetet për një kohë të gjatë dhe për këtë arsye, duke pikturuar, përpiqem të rikrijoj dhe t’u lë trashëgim brezave të ardhshëm një grimcë nga Bullgaria.”
FOTO: Arkivi personal i Petja Petrova
Petja Petrova ka realizuar ekspozita si në Bullgari, ashtu edhe jashtë saj. Ajo është bullgarja e parë e lejuar të paraqesë pikturat e saj në një nga ndërtesat e Parlamentit Evropian në Bruksel.
Përveç pikturës, pasioni tjetër i madh i saj është fotografia. Tregon se pas fotografisë u pasionua që fëmijë.
“Isha në shkollën fillore, kur babai im vendosi të merrej intensivisht me fotografi. Pajisi bodrumin si laborator fotografik. Kur për herë të parë hyra në atë vend, që i ngjante një salle fotografike, më rrëmbeu vetë ideja për të përpunuar fotografitë e mia. Atëherë kjo ishte një gjë shumë e vështirë”, kujton Petja.
Deri më sot ruan një kujtim të gjallë për aparatin e parë fotografik që i ra në duar – një “Zenit” i vjetër.
FOTO: Facebook / Petja Petrova
“Ky ishte aparati i babait, me të cilin ai krenohej shumë. Më bëhet qejfi kur e kujtoj, sepse atëherë nuk kuptoja asgjë, por kisha një dëshirë të madhe të mësoja të fotografoja. Më pas doli se realizova një ëndërr timen të fëmijërisë – të merresha me fotografi.”
Petja Petrova tregon se i pëlqen shumë të fotografojë objekte në lëvizje, njerëz dhe kafshë. Vetë organizon fotoekskursione në vende interesante, që i japin mundësi të shpalosë imagjinatën e saj krijuese.
“Më pëlqen të fotografoj gjithçka që lidhet me lëvizjen. Më pëlqen shumë të fotografoj kuaj. Madje edhe në portrete përpiqem të fus lëvizje. Kur fotografoj njerëz, përpiqem të shprehin njëfarë lëvizjeje, jo vetëm emocion... Vitet e fundit hoqa dorë nga ekskursionet e organizuara. Bëj fotoekskursione vetë. I përgatis vetë itineraret. Llogaris sa kohë duhet për të arritur në ndonjë zonë apo vend interesant, që të jem atje në orën e duhur dhe të kap dritën, e cila është më e rëndësishmja për fotografinë”, thotë Petrova.
FOTO: Facebook /Petja Petrova
“Fotografia – kjo është bashkëpjesëmarrje dhe kënaqësi, të kapësh momentin e duhur, nën këndin e duhur, me mjaftueshëm shprehshmëri. Kjo sjell të njëjtën kënaqësi si të pikturosh një tablo.”
FOTO: Facebook /Petja Petrova
Gjatë këtyre 25 viteve në Gjermani, Petja nuk ka reshtur së e marri malli për Bullgarinë. Prandaj edhe folklori ynë është gjerësisht i pranishëm në krijimtarinë e saj. I pëlqen të vizitojë festivalet në Bullgari, sepse atje, përveç emocioneve, edhe ngjyrat janë shumë të ngopura. Dhe kjo është një bekim për fotografin.
FOTO: Arkivi personal i Petja Petrova
“Pikërisht festivalet janë vendi ku emocionet dhe ngjyrat janë shumë të përqendruara. Aty fotografi ka mundësinë të hedhë një sy prapa skenave të një shfaqjeje të trupave muzikore ose të vallëzimit. Të jetë i pranishëm me objektivin e tij në përgatitjet e ethshme të disa prej interpretuesve ose thjesht të vëzhgojë gëzimin e publikut. Shpesh në ngjarje bëhet fjalë për pjesë të sekondës dhe duhet të veprohet shumë shpejt. Për këtë qëllim unë kam në dispozicion dy aparate fotografike dhe i alternoj, ose i mbaj të dy me vete. Për një grua është pak e vështirë, sepse janë shumë kilogramë peshë. Kam edhe një shprehje timen, kur më del ndonjë fotografi e mirë. Atëherë them ‘e vodha këtë moment’.”
Me shaka Petja e quan veten “Vjedhëse e çasteve”, sepse nga përvoja e di se fotografi i mirë duhet vetë t’i “vjedhë” momentet e rëndësishme.
FOTO: Arkivi personal i Petja Petrova
“Kur njeriu vendos të merret profesionalisht me fotografi, duhet të dijë në atë dritare të vogël, përmes së cilës sheh syri i fotografit, çfarë dhe si saktësisht të vendosë. Sepse çasti mund të fluturojë për pjesë të sekondës, ndërsa fotografi i vërtetë duhet ta kapë. Nuk është vetëm të marrësh telefonin ose aparatin fotografik dhe të shkrepësh, por duhet të dish si ta bësh. Vërej një rikthim të njerëzve drejt fotografisë dhe vlerësimit të saj në një nivel të ri. Njerëzit që kanë një këndvështrim më artistik filluan ta vlerësojnë fotografinë dhe kjo më gëzon shumë”, thotë në fund të bisedës Petja Petrova.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski