Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Mërkurë 18 Shkurt 2026 06:55
Mërkurë, 18 Shkurt 2026, 06:55
Georgi (Irzhi) dhe Bogdan (Teodor) Proshek
FOTO: Uikipedia
Madhësia e shkronjave
Vëllezërit Irzhi Proshek dhe Bogdan Proshek, inxhinierë të shquar çekë, të ardhur në Bullgari në mesin e shekullit të XIX-të, e lanë zemrën e tyre përgjithmonë në vendin tonë. Është e habitshme sa i madh është kontributi i këtyre dy burrave në formësimin bashkëkohor të atdheut tonë. Vëllezërit vdiqën shumë të rinj, në të njëjtin vit, duke lënë të papërfunduara shumë nga veprat e tyre në dobi të Bullgarisë.
Vëllezërit Georgi dhe Bogdan Proshek janë personalitete të shquara — ndërtues, veprimtarë kulturorë dhe ekonomikë, figura publike, që zgjodhën Bullgarinë si atdheun e tyre të dytë, ndërsa fatin e popullit bullgar si fatin e tyre personal. Ata janë ndër të paktët të huaj që lanë gjurmë të qëndrueshme në historinë bullgare dhe madje ndryshuan edhe emrat e tyre të lindjes në emra bullgarë: Irzhi u bë Georgi, ndërsa Teodor — Bogdan.
Monument skulptural i vëllezërve Proshek
FOTO: sanstefanoplaza.com
Në vitin 1869, pas përfundimit të studimeve të larta, Georgi Proshek mbërriti në Bullgari dhe në moshën 23-vjeçare u përfshi si inxhinier në ndërtimin e hekurudhës në Traki — pjesë e “Hekurudhave Lindore”, të administruara nga baroni Moris fon Hirsh. Ai u vendos në fshatin Almali (sot Jabëllkovo), së bashku me inxhinierë të tjerë çekë dhe polakë. Në vitin 1871, pas afrimit me komitetin revolucionar lokal, ai themeloi “Shtëpinë Sllave” dhe, nën mbulesën e veprimtarisë arsimore, krijoi komitetin e parë sekret revolucionar ndërkombëtar. Në Almali ai u njoh me Vasill Levski, gjë që e lidhi edhe më ngushtë me luftërat për çlirim. Për të mbështetur kauzën, ai furnizonte armë me pretekstin e ruajtjes së hekurudhës dhe transportonte postën sekrete të revolucionarëve.
Sot, 120 vjet pas ndarjes nga jeta të vëllezërve Proshek, pasardhësit e tyre, ndonëse nuk mbajnë të njëjtën familje, e ruajnë me përkushtim kujtesën familjare dhe studiojnë me hollësi jetën dhe veprimtarinë e paraardhësve të tyre të shquar.
Nikolla Cokev
FOTO: mzv.gov.cz/Ivan Shishiev
“E njoh historinë e familjes nga burime të ndryshme. Mësova shumë nga arkivat, të cilat në vitet 90-të të shekullit të XX-të i shqyrtova plotësisht –lexova gjithçka që mund të gjendej në Arkivin Shtetëror dhe në Arkivin e Vjetër Gjyqësor. Kjo lidhej me mundësinë për të rikthyer pronësinë mbi pasuritë e shtetëzuara pas vitit 1944”, tregon në një intervistë për Radio Bulgarinë Nikolla Cokev, një nga të afërmit, pasardhës i vëllait më të vogël – Bogdan Proshek.
“Vëllezërit Proshek, pavarësisht diferencës në moshë prej 10 vitesh, kanë qenë të pandarë. Ata kishin edhe një motër, mendoj më të madhe, e cila mbeti në Çeki, u martua dhe më pas u shpërngul në Shtetet e Bashkuara. Irzhi Proshek erdhi para Çlirimit dhe kjo nuk ishte rastësi. Që si student ai u njoh me Ivan Drasov, bashkëpunëtor i poetit-revolucionar Hristo Botev, i cili i tregoi për Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe për idetë e Georgi Rakovski dhe të Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar (BRCK). Kjo e motivoi dhe ai mbërriti në Bullgari tashmë i informuar për luftërat që zhvilloheshin këtu. Ndryshe nga ai, vëllai i tij Bogdan erdhi vetëm pas Çlirimit. Në fshatin Jabëllkovo edhe sot një rrugë mban emrin e vëllezërve Proshek; ka pllaka përkujtimore dhe njerëzit i kujtojnë – shumica e pasardhësve të tyre ende jetojnë atje.”
Fabrika e birrës e vëllezërve Proshek në Sofje, 1912
FOTO: Agjencia Shtetërore e Arkivave
“Shumë më e rëndësishme është të dimë se në fakt ata sollën një kulturë të re, të ndryshme evropiane në Sofje, e cila menjëherë pas Çlirimit ishte një qytet i vogël me vetëm 10 000 banorë. Në të vërtetë, Georgi dhe Bogdan prodhonin birrën që shumë njerëz e konsideronin se në atë kohë krijoi një kulturë të re moderne urbane, sipas modelit të asaj në Evropën Perëndimore dhe sidomos në Perandorinë Austro-Hungareze. Por jo më pak e rëndësishme është se ata ishin ndër ndërtuesit e Bullgarisë së Re – vëllezërit Proshek bënë jashtëzakonisht shumë për qytetin në aspektin arkitektonik. Nuk është rastësi që autori i Urës së Luanëve dhe i Urës së Shqiponjave – emblematike për Sofjen – ishte nga i njëjti familje - kushëriri i tyre, Václlav Proshek.
Ura e Shqiponjave
FOTO: Proshek.com
Irzhi Proshek, përveçse ishte bashkëpunëtor i Vasill Levski, kreu edhe një akt të guximshëm sabotimi gjatë Lufta Ruso-Turke. Në vitet 1877–1878, duke rrezikuar jetën, ai shkatërroi 200 metra nga linja hekurudhore në ndërtim Edrene–Plovdiv, për të ndalur Sulejman Pashën. Kjo me gjasë i vonoi trupat me rreth 30 orë, gjë që dha një ndihmë të konsiderueshme në betejat epike të Shipkës. Për këtë veprim ai u dënua me vdekje në Perandorinë Osmane. Pikërisht personalitete të tilla të jashtëzakonshme ishin vëllezërit Proshek – jo vetëm sipërmarrës, por edhe njerëz të idealit, përkrahës të përparimit të Bullgarisë.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova