POLITIKË

Artikull

I mandatuari për formimin e qeverisë teknike prezantoi kabinetin

Mërkurë, 18 Shkurt 2026, 15:33

I mandatuari për formimin e qeverisë teknike prezantoi kabinetin

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

I ngarkuari për të formuar qeverinë teknike, zëvendësguvernatori i bankës kombëtare Andrej Gjurov, prezantoi ministrat e tij para presidentes Ilijana Jotova.

Punët e jashtme do t’i drejtojë ish-ministrja e jashtme Nadezhda Nejnski.

Për çështjet e brendshme do të jetë përgjegjës ish-hetuesi dhe gjyqtar Emill Deçev, i cili ka qenë zëvendësministër i drejtësisë.

Ministër i drejtësisë dhe njëkohësisht zëvendëskryeministër në qeverinë teknike do të jetë prokurori i njohur për çështje të rëndësishme Andrej Jankullov.

Ministër i mbrojtjes mbetet titullari aktual nga qeveria e rregullt, Atanas Zaprjanov.

Ministër i financave në qeverinë teknike do të jetë Georgi Klisurski, me përvojë si makroekonomist në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; ai ka qenë edhe zëvendësministër i financave nga partia “Po e vazhdojmë ndryshimin”.

Zëvendëskryeministre për fondet evropiane është Maria Nedin, e cila ka qenë këshilltare e ish-zëvendëskryeministrit teknik për fondet evropiane, Atanas Pekanov.

Në krye të Ministrisë së Energjetikës vendoset ish-ministri i energjetikës dhe i ekonomisë nga partia GERB, aktualisht kryetar i një njësie administrative të kryeqytetit, Trajço Trajkov.

Ministrinë e Transportit dhe Komunikacioneve në qeverinë teknike do ta drejtojë ish-udhëheqësi i forumit rinor të Lëvizjes për të Drejta dhe Liri, Korman Ismaillov.

Një tjetër përfaqësues i kësaj force politike dhe ish-ministër i punës dhe çështjeve sociale, dr. Hasan Ademov, rikthehet sërish në krye të këtij dikasteri.

Ish-ministri i kulturës, dirigjenti maestro Najden Todorov, do të jetë përgjegjës për politikën kulturore.

Zëvendëskryeministër përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme do të jetë Stoill Cicellkov, i cili është anëtar i këshillit publik pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas prezantimit, presidentja Ilijana Jotova njoftoi se do të nxjerrë dekrete për emërimin e qeverisë teknike dhe për caktimin e zgjedhjeve më 19 prill.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova