SHOQËRI

Artikull

Heroi kombëtar Vasill Levski është frymëzim për fëmijët bullgarë në mbarë botën

Mërkurë, 18 Shkurt 2026, 19:55

Heroi kombëtar Vasill Levski është frymëzim për fëmijët bullgarë në mbarë botën

FOTO: Facebook /Svetllana Ivanova

Madhësia e shkronjave

Apostulli i Lirisë – simbol i guximit, vetësakrifikimit dhe dashurisë së pakufishme për atdheun – nderohet më 18 dhe 19 shkurt. Amaneti i tij për një "republikë të pastër dhe të shenjtë" vazhdon të frymëzojë breza bullgarësh në mbarë botën të ruajnë identitetin, gjuhën dhe kulturën e tyre. Prandaj çdo shkollë, pavarësisht nëse është në Bullgari apo larg kufijve të saj, i kushton orë të veçanta Vasill Ivanov Kunçevit (18 korrik 1837 – 18 shkurt 1873) – krijuesit të rrjetit të komiteteve revolucionare në gjithë vendin, i cili frymëzoi bullgarët e shtypur prej shekujsh të ëndërrojnë për një shtet të lirë e të pavarur dhe të besojnë se arritja e tij është e mundur me forcat e veta.

“Sot ulim kokën para veprës së Levskit dhe kujtojmë se liria kërkon guxim, unitet dhe përgjegjësi. Le ta mbajmë në zemrat tona idealin e tij dhe ta përcjellim te brezat që vijnë” – shkroi Mariola Georgieva nga Italia. Ajo është drejtuese e shkollës bullgare “AzBuki” në Romë dhe Colleferro, të cilat i bëjnë nder Apostullit të lirisë duke studiuar prejardhjen e tij.

FOTO: Mariolla Georgieva, Shkolla e së Dielës "AzBuki" në Itali

Vasill Levski është heroi më i njohur, frymëzues dhe i dashur kombëtar ndër fëmijët bullgarë që rriten jashtë kufijve të Atdheut. 

Në 24 shkolla bullgare në botë Apostulli i Lirisë është zgjedhur si patron, dhe çdo vit në shkurt ato nderojnë veprën e tij me iniciativa të ndryshme – mësime të hapura, shfaqje, rikrijime historike dhe aktivitete të tjera. Shumë prej tyre u përfshinë edhe në nismën e Radio Bullgarisë “Me mendje për Levskin”, të cilën e realizuam tre vite më parë, dhe tani sërish me gatishmëri ndanë ngjarjet që kanë planifikuar me rastin e përvjetorit të vdekjes së Levskit:



FOTO: Bulgarian School "Vassil Levski", Shannon

“Gjatë fundjavës së kaluar (14–15 shkurt) fëmijët patën një mësim të zgjeruar, të përshtatur sipas moshës së tyre, në të cilin u njohën me Levski si personalitet, me idetë e tij dhe me ngjarje interesante nga jeta e tij” – tregoi për Radio Bullgarinë Daniella Georgieva, drejtoreshë e shkollës së të dielës “Vasill Levski” në qytetin Shannon, në Irlandën Perëndimore. 

“Fëmijët më të vegjël ngjyrosën figura ku ishte paraqitur Dhjaku(një emër tjetër me të cilin e quajmë Vasill Levskin – Apostullin e Lirisë – shën red.); patëm një diskutim mbi mënyrën se si ai e shihte demokracinë dhe të ardhmen e Bullgarisë, si edhe pse pas Çlirimit në vitin 1878 në vend u vendos monarkia dhe nuk u ndoq ideja e tij që të jemi republikë. Diskutuam pikëpamjet e ndryshme të shprehura nga Hristo BotevLjuben Karavellov, Georgi Rakovski dhe Georgi Benkovski. U përpoqëm ta vendosim Vasill Levskin në kohën dhe rrethanat e atëhershme, në mënyrë që fëmijët të mund të kuptonin unikalitetin e tij dhe faktin se ai ishte i vetmi ndër veprimtarët revolucionarë bullgarë që predikonte ideologjinë e barazisë, demokracisë dhe tolerancës – gjëra për të cilat ne ende luftojmë dhe që ende nuk i kemi arritur.”


FOTO: Bulgarian School "Vassil Levski", Shannon

Në diskutimet e zhvilluara, shumë aktivë kanë qenë nxënësit mbi moshën 12 vjeç, pasi në Irlandë tema e të drejtave dhe tolerancës është shumë e pranishme. Ndërsa debati i tyre, i lidhur me Levskin dhe lirinë, do të vazhdojë në fillim të marsit, sepse aktualisht shkolla është në pushim:

"Nxënësve më të mëdhenj iu dha detyra të hartonin një ese me temën "A është i lirë njeriu modern?" Ne shqyrtuam aspekte të ndryshme të lirisë, bazuar në pikëpamjet e Apostullit, por edhe në atë që bullgarët e kuptonin me termin liri atëherë dhe atë që ne e kuptojmë sot - na tha znj. Georgieva. – Nxënësit kanë mundësinë ta konsiderojnë lirinë si publike, kombëtare, personale dhe çfarë sjell liria me vete. Këto ese do të lexohen në festën tonë, e cila po vjen më 1 mars. Me të, do të festojmë edhe tre festa të tjera - Baba Marta (Gjyshja Marta), Dita Kombëtare e Bullgarisë dhe Dita e Gruas - 8 Mars. Ndërsa ende po diskutonim temën, u impresionova se ata arritën të lidhnin idetë e Levskit me modernitetin, si dhe me faktin se ai ishte disi në gjendje të parashikonte nevojat e shoqërisë, drejtimin në të cilin duhet të zhvillohet ajo në mënyrë që të jetë aktive, e mirë për të jetuar dhe për të pranuar njerëz të etnive, feve të ndryshme kështu qe të gjithë të mund të jetojnë së bashku me një qëllim të përbashkët dhe ta bëjmë jetën më të mirë për të gjithë ne."



FOTO: Facebook /Svetllana Ivanova

Shkolla e së dielës“Vasill Levski”, e themeluar në vitin 2016 në Leeds, gjithashtu do të nderojë kujtimin e patronit të vet javën e ardhshme. Kjo do të ndodhë përmes konkurseve shkollore – për recitim, për vizatim mbi një temë reale dhe në kohë reale, si dhe për shndërrimin artistik në një personazh nga Rilindja Bullgare.

“Ne do t’ia kushtojmë këtë ditë tonën dy ngjarjeve – vdekjes së Vasill Levskit dhe festës kombëtare, 3 marsit. Prandaj në konkursin e tretë fëmijët do të jenë në rolet e figurave të Rilindjes, si Apostulli, hajdutë të ndryshëm, Rajna Knjaginja dhe shumë të tjerë” – na tregoi drejtoresha Svetllana Ivanova.



FOTO: Facebook /Svetllana Ivanova

Një tjetër bullgare shumë aktive në Ishull – Milena Vezenkova – është drejtuese e tre shkollave të së dielës, të vendosura në lagjet londineze Barking dhe Tottenham, si edhe të një dege të tyre në qytetin Harlow. Edhe atje janë parashikuar aktivitete me të cilat do të nderohet Apostulli. Datat 18 dhe 19 shkurt mbajnë një simbolikë të veçantë edhe për vetë Milena Vezenkovën, pasi ajo është me origjinë nga fshati Vojnjagovo, pranë Karllovos, ku Vasill Levski ka punuar si mësues për dy vite.

Në shkollat në Harlow dhe Tottenham nxënësit tashmë kanë zhvilluar mësime të hapura të lidhura me jetën e Levskit dhe kanë përgatitur një ekspozitë të veçantë kushtuar heroit kombëtar. Tani pritet që ajo të prezantohet edhe në Barking.

FOTO: Shkolla e së dielës "Vasill Levski" Barking, Londër

“Ceremonia zyrtare me të cilën do të nderojmë Vasill Levskin do të zhvillohet më 28 shkurt. Në ekspozitën që do të shohim ka piktura, projekte, vizatime të shtëpisë së tij, portrete të tij dhe skena të ndryshme nga jeta e tij. Ajo përbën një mur të tërë ku janë paraqitur veprat e ndryshme të krijuara nga fëmijët. Pritet edhe shfaqja e filmit që kemi realizuar për Apostullin – ‘Levski ynë’, i krijuar sipas projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ‘Historitë e patreguara të bullgarëve’,” shpjegon Milena Vezenkova.

Për realizimin e këtij filmi, fëmijët kanë bërë një hulumtim mbi monumentet e Vasill Levskit nëpër botë dhe kanë bërë një paralel midis mësimdhënies së Dhjakut në Vojnjagovo dhe shkollave bullgare jashtë vendit sot.

FOTO: Shkolla e së dielës "Vasill Levski" Barking, Londër

Figura e Vasill Levskit gjithmonë ndez shkëlqim në sy, ngjall diskutime të gjalla dhe është një burim i pashtershëm frymëzimi për çdo bullgar – në atdhe dhe në mbarë botën. Ndërsa data në të cilën biri më i dashur i Nënës Bullgari u var në litar është një kohë për nderim, përulësi dhe ëndërr se “Gjithçka qëndron në forcat tona të bashkuara” dhe se “Atdheu ynë i çmuar do të ketë nevojë për njerëz të denjë që ta udhëheqin në rrugën e mirëqenies, në mënyrë që të jemi të barabartë me popujt e tjerë evropianë!”. Ashtu siç besonte Apostulli!

 

Lexoni më tepër:

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva