MUZIKË

Artikull

Kuarteti frymor “Pilekadone” prezanton klasikë bashkëkohore bullgare në Hamburg

Shtunë, 21 Shkurt 2026, 07:00

Kuarteti frymor “Pilekadone” prezanton klasikë bashkëkohore bullgare në Hamburg

FOTO: Facebook/PilekadoneQuintet

Madhësia e shkronjave

“Pilekadone” është një kuintet frymor me emër provokues (thuhet se lidhet me zogj – “pula”) dhe me më shumë se 25 vjet histori. Milla Pavllova – flaut, Valentin Metodiev – oboe, Venelin Piperov – klarinetë, Jasen Teodosiev – korno franceze dhe Evgeni Tonev – fagot, luajnë së bashku që nga koha kur ishin nxënës. Secili prej tyre ndërton një karrierë të suksesshme si solist dhe orkestrant në ansamble të njohura bullgare, por paraqitjet e tyre si kuintet janë veçanërisht tërheqëse dhe shpesh sfidojnë traditat.

FOTO: pilekadone.webnode.page

Muzikantët e “Pilekadone” jo vetëm që prezantojnë muzikën klasike të dhomës së bashku me zhanre të tjera (për shembull xhaz). Ata i shndërrojnë koncertet e tyre në spektakle shumëngjyrëshe me kostume, dekore dhe multimedia. Ftojnë si partnerë aktorë të njohur, gazetarë, poetë, përkthyes, ndonjëherë madje edhe fëmijë.

FOTO: Facebook/PilekadoneQuintet

Instrumentistët e shkëlqyer me imagjinatë të theksuar dhe potencial të padiskutueshëm krijues provokojnë një sërë kompozitorësh të shquar bashkëkohorë bullgarë, të cilët krijojnë vepra posaçërisht për kuintetin. Ndër ta janë krijuesi ynë i madh Vasill Kazanxhiev, Dobrinka Tabakova (e nominuar për çmimin “Grammy”) dhe fituesja e “Grammy” – Penka Kuneva, kompozitorja më e suksesshme bullgare, e cila prej më shumë se një çerek shekulli ndërton karrierë në Hollivud.

FOTO: Facebook/PilekadoneQuintet

Më 22 shkurt pesë anëtarët e “Pilekadone” do të luajnë në qytetin e dytë për nga madhësia në Gjermani – Hamburg, me ftesë të Shkollës Bullgare në qytet. Nga ora 17:00 në sallën “Lichtwark” (Lichtwarksaal) do të tingëllojnë dy ekzekutime të para: premiera botërore e “Pjesë koncertale për kuintet frymor” nga akad. Vasil Kazanxhiev, kushtuar “Pilekadone” dhe premiera për Gjermaninë e veprës “Rrënjë” (ROOTS) nga Penka Kuneva, e krijuar posaçërisht për kuintetin.

Programi përfshin gjithashtu disa vepra të tjera tërheqëse nga Marin Goleminov, Dobrinka Tabakova dhe Javor Gajdov, të cilat janë shndërruar në pjesë të dashura të repertorit të kuintetit. Organizatorët e koncertit nga Shkolla Bullgare në Hamburg premtojnë edhe surpriza!


Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski