KULTURË

Artikull

Një ngjarje në Sofje kujton amerikanen e dashuruar me folklorin – Marta Forsyth

Dielë, 22 Shkurt 2026, 08:00

Një ngjarje në Sofje kujton amerikanen e dashuruar me folklorin – Marta Forsyth

FOTO: IEFEM-BAN

Madhësia e shkronjave

Më 23 shkurt në Rektoratin e Universitetit të Sofjes do të zhvillohet një takim-bisedë dhe shfaqje e filmit dokumentar “A Dragon Flew Over’’, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së studiueses amerikane të folklorit bullgar Marta Forsyth (1940–2023). Filmi ndjek punën unike për nga rezultatet dhe kohëzgjatja (më shumë se katër dekada) të etnomuzikologes në Bullgari. E diplomuar në kolegjin “Radcliffe” pranë Universitetit të Harvardit, Forsyth përfundon studimet master me specializim në gjuhë sllave në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos. Në fillim të karrierës së saj jep mësim gjuhën ruse në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT).


FOTO: Arkiv personal

Marta Forsyth viziton Bullgarinë të paktën 16 herë, në disa raste si bursiste e fondacioneve IREX dhe Fulbright. Ajo mbledh dhe regjistron këngë popullore në vendbanime të ndryshme të Bullgarisë, transkripton dhe përkthen tekste folklorike, mban ligjërata, punon me ansamble bullgare dhe popullarizon muzikën tonë popullore. Ajo është një nga themelueset e Ansamblit të njohur bullgar “Zdravec” në Boston. Mbledh një arkiv mbresëlënës: dyqind kaseta 90-minutëshe me më shumë se 4000 këngë autentike popullore nga Jugperëndimi i Bullgarisë, të regjistruara midis viteve 1978 dhe 1983. Këtë pasuri Forsyth ia dhuron Bibliotekës së Kongresit në Uashington.

FOTO: martha.forsyths.org

Në filmin dokumentar “A Dragon Flew Over’”, kushtuar jetës dhe veprës së Marta Forsyth, merr pjesë speciale kori bullgar i grave “Zëra të Qartë” nga Nju Jorku me dirigjente Vllada Tomova. Historia shndërrohet në rrëfim për zbulimin e rrënjëve, rishqyrtimin e traditës dhe tingëllimin e saj bashkëkohor.

FOTO: Facebook/ Vlada Tomova

Ngjarja më 23 shkurt në Universitetin e Sofjes organizohet nga katedra “Etnologji” pranë Fakultetit të Historisë të universitetit dhe nga Instituti për Etnologji dhe Folkloristikë me Muze Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.


Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski