TURIZËM

Artikull

Një itinerar pelegrinazhi do të lidhë Sozopolin dhe Mallko Tërnovon

Dielë, 22 Shkurt 2026, 09:00

Një itinerar pelegrinazhi do të lidhë Sozopolin dhe Mallko Tërnovon

FOTO: sozopol-museums.bg

Madhësia e shkronjave

Nga 28 shkurti deri më 3 mars shoqata “Rruga drejt relikeve të Shën Gjon Pagëzorit” organizon një aksion në territorin e komunave Sozopol dhe Primorsko, me të cilin do të shënohet itinerari i ri pelegrinazhi dhe kulturor-turistik me të njëjtin emër nga Mallko Tërnovo deri në Sozopol, i cili do të bekohet zyrtarisht më 24 qershor 2026. Data është zgjedhur nga autorët e projektit, sepse në këtë ditë Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike kremtojnë lindjen e shenjtorit. Rruga ka gjatësi të përgjithshme 81 kilometra dhe është parashikuar për t’u përshkuar në këmbë ose me biçikletë.

Rruga e pelegrinazhit nis nga Mallko Tërnovo në cepin juglindor të Bullgarisë, kalon përmes malit Stranxha dhe arrin në tempullin e Sozopolit “Shën Kirilli dhe Metodij”, ku ruhen reliket e Shën Gjon Pagëzorit, të zbuluara në vitin 2010 në ishullin e Detit të Zi “Shën Ivan”.

FOTO: Veneta Nikollova

Rruga kalon nëpër fshatrat Stoillovo, Zabernovo dhe Vizica, vazhdon përmes Pismenovo dhe arrin në bregdet pranë Primorsko dhe Arkutino, përpara se të përfundojë në Sozopolin e lashtë. Diferenca e lartësisë së terrenit është e ulët, ndërsa për lehtësimin e pelegrinëve organizatorët parashikojnë shërbim për transportin e bagazhit dhe akomodim në shtëpi pritjeje përgjatë rrugës.

Projekti synon të popullarizojë trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore bullgare përmes afirmimit të Bullgarisë si destinacion për turizëm fetar. Ata që do ta përshkojnë itinerarin do të mund të përdorin një pasaportë speciale pelegrini, e cila do të vuloset në pikat e ndryshme të kalimit. Pas përshkimit të distancës së plotë, Kisha Ortodokse Bullgare do të lëshojë një dëshmi zyrtare kishtare për rrugën e përshkuar.

FOTO: Bashkia Sozopol

Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski