Artikull
Enjte 19 Shkurt 2026 13:30
Enjte, 19 Shkurt 2026, 13:30
Klubi i Biznesit Bullgar BGBizHub u themelua më 10 nëntor në Ambasadën e Bullgarisë në Berlin
FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Berlin
Madhësia e shkronjave
“Është më e lehtë të prezantohesh nga një bashkim, sesa të marrësh pjesë si lojtar i pavarur”, është e bindur Rosica Ivanova, drejtuese e Shërbimit për çështje tregtare-ekonomike pranë Ambasadës së Bullgarisë në Berlin, ku më 19 shkurt nga ora 18:00, me mbështetjen e ambasadorit Grigor Porozhanov, klubi bullgar i biznesit – BGBizHub – i themeluar në nëntor 2025, do të zhvillojë takimin e tij të dytë. Shkaku për të është bashkimi i sipërmarrësve të tjerë bullgarë në shoqatë, por edhe përcaktimi i hapave drejt marrëdhënieve të biznesit bullgaro-gjerman, të cilat do t’i zhvillojnë në zemër të Evropës – në Berlin dhe rrethinat e tij.
Grigor Porozhanov me Rosica Ivanova
FOTO: Arkiv personal
“Biznesi në Gjermani është jashtëzakonisht i organizuar jashtë kornizës formale shtetërore. Ekziston një sistem i tërë strukturash që ndikojnë shumë më tepër se institucionet zyrtare. Qëllimi ynë është që klubi të rritet në një strukturë të tillë, prandaj po vendosim themelin e diçkaje që do të zhvillohet edhe pas mandatit tim”, thekson Rosica Ivanova dhe vazhdon:
Rosica Ivanova
FOTO: Arkiv personal
“Klubi Bullgar i Biznesit – BGBizHub – nuk është person juridik, por një platformë e hapur për komunikim, bashkëpunim dhe zhvillim, veprimtaria e së cilës realizohet mbi bazë vullnetare në koordinim me Ambasadën e Bullgarisë në Berlin, domethënë me shërbimin që drejtoj. Dhe meqenëse vendosëm që çdo takim të jetë tematik, këtë herë do të diskutojmë cilat janë risitë në të drejtën tatimore dhe çfarë e pret biznesin bullgar në Gjermani.”
Nevena Grundmann
FOTO: Facebook/ Nevena Grundmann
Ligjëruese do të jetë Nevena Grundmann – një nga themelueset e klubit dhe pronare e një zyre kontabiliteti. Vetë shoqata tashmë ka logo, faqe në Linkedin, domen dhe adresë emaili. Këtu nuk ka përfaqësues të biznesit të madh, thotë Ivanova dhe sqaron se e kanë përqendruar veprimtarinë e tyre te firmat bullgare në Berlin dhe në një distancë jo më shumë se 200 km nga kryeqyteti gjerman, në mënyrë që përfaqësuesit e tyre të mund të marrin pjesë lehtësisht në takime dhe seminare. “Komuniteti ynë është ende shumë i vogël, por presim që sipërmarrësit bullgarë të jenë aktivë dhe ta përqafojnë atë që po bëjmë” – thekson Rosica Ivanova dhe shton se përdorin kanale të ndryshme komunikimi:
FOTO: bulgar.berlin
“Ne kemi rrjete personale sociale mjaft të forta dhe përmes tyre promovojmë iniciativa të ndryshme, ashtu vepruam edhe për ekspozitën ‘Java e Gjelbër’ në Berlin. Njerëzit e kishin lexuar njoftimin, ndërsa në rrjetet e mia sociale shoh rreth 6-7 partnerë të rinj, përfshirë edhe gjermanë, të cilët kanë punuar në Dhomën Gjermano-Bullgare të Industrisë dhe Tregtisë dhe tani kanë biznes këtu, por vazhdojnë të punojnë edhe me biznesin bullgar në Bullgari. Edhe ata shprehën dëshirë të përfshihen në klubin tonë të biznesit.”
Qëllimi i shoqatës është të realizojë kontakte me strukturat shtetërore, por edhe me pushtetin joformal në të dy shtetet – shoqata, fondacione, dhoma zejtare dhe qarqe rajonale biznesi, mësojmë nga Ivanova, e cila shton se “në Gjermani ato janë jashtëzakonisht të pranuara, çojnë në partneritete reale, shkëmbim informacioni dhe mundësi për ndërthurjen e biznesit me jetën shoqërore”.
Sipas saj, sipërmarrësit bullgarë në Berlin orientohen drejt ndërtimit, shërbimeve konsulente dhe shërbimit ndaj klientëve, por ka edhe shumë freelancerë, restoratorë dhe distributorë ushqimesh.
Sjuzan Jumerova
FOTO: Facebook /Suzan Yumerova
“Nuk jam në dijeni të ketë firma të mëdha sipërmarrëse bullgare këtu, me përjashtim të atyre të ndërtimit. Në fushën e artit gjithashtu ka sipërmarrës, për shembull Sjuzan Jumerova është një përfaqësuese jashtëzakonisht e fortë e festivalit të filmit Berlinale. Ajo përpiqet të realizojë ko-prodhime bullgaro-gjermane, punon mirë edhe me Qendrën Kombëtare të Filmit në Bullgari. Tani këtu është shumë në modë arti urban dhe së fundmi artistë bullgarë nga Gjermania, së bashku me një firmë nga Isperih, realizuan një pikturë murale në një nga ndërtesat e banimit në qendër të Berlinit, ndërsa tani janë në negociata me drejtorin e BKI-së për të organizuar një ekspozitë në ndërtesë. Pra, punojmë edhe me përfaqësues të artit, të cilët janë mjaft mirë të pozicionuar këtu.”
Rosica Ivanova me artistë bullgarë
FOTO: Arkiv personal
Së fundmi BGBizHub ndihmohet edhe nga shoqata studentore “Hashove” në Berlin.
FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Berlin
Organizatorët tashmë po përcaktojnë qëllimet e ardhshme. “Afatgjatë është të zbulojmë dhe motivojmë përfaqësues të afirmuar të biznesit bullgar dhe t’i bashkojmë me ne”, thotë Ivanova dhe shton:
“Kemi dy qëllime afatmesme – njëri është të përgatisim një buletin me informacion ekonomik dhe iniciativa të ardhshme, ndërsa tjetri – të krijojmë një regjistër të të gjitha firmave – anëtare, të grupuara sipas sektorëve, duke ofruar edhe kontakte. Dhe me Ivan Tihov – përfaqësues i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në BGBizHub, duhet të strukturojmë strukturat përkatëse në Gjermani, me të cilat të vendosim partneritet. Do të kemi tre takime gjatë vitit dhe do t’u sigurojmë anëtarëve kontakte për ngjarje dhe forume – domethënë gjëra, tek të cilat ata vetë vështirë se mund të arrijnë, sepse është më e lehtë të prezantohesh nga një bashkim, sesa të marrësh pjesë si lojtar i pavarur.”
Shihni më shumë nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski