Artikull
Premte 20 Shkurt 2026 06:10
Premte, 20 Shkurt 2026, 06:10
FOTO: Petër Penkov
Madhësia e shkronjave
Ekspozita fotografike “Lufta në centimetra”, e dedikuar për përvjetorin e katërt të luftës në Ukrainë, hapet në Sallën e Artit të Radio Varna, me iniciativë të fondacionit “Zemra e Hapur”. Në ekspozitë marrin pjesë 20 fëmijë të moshave të ndryshme. Fotot i realizoi Petër Penkov, pa shpërblim, në shenjë solidariteti me popullin ukrainas dhe fëmijët refugjatë, njofton Radio Varna.
FOTO: Petër Penkov
“Qëllimi është të tregohet çfarë përfaqësojnë 4 vite nga jeta e një fëmije, veçanërisht për ata që janë të detyruar të jetojnë larg shtëpisë dhe të rriten në një vend të huaj”, thanë organizatorët. Ata shtuan se ekspozita synon të nxjerrë në pah agresionin rus, ku janë vrarë qindra fëmijë ukrainas, qindra janë plagosur ose kanë pësuar dëmtime të përhershme – deformime ose humbje të pjesëve të trupit.
FOTO: Petër Penkov
“Qindra mijëra mbetën jetimë dhe qindra mijëra u rrëmbyen në Rusi. Prandaj fotografitë e fëmijëve janë bardhë e zi me theks të kuq – simbol i masakrës së shkaktuar ndaj popullit ukrainas. Po, lidhjet me filmin “Lista e Shindlerit” nuk janë të rastësishme. I fotografuam fëmijët në sfond të atraksioneve për fëmijë, të cilat donim të dukeshin si fantazmë dhe gati të tmerrshme – ashtu siç është fëmijëria e shumë fëmijëve ukrainas”, shtojnë nga “Zemra e Hapur”.
FOTO: Petër Penkov
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova