Autor
Cvetana Tonçeva
Artikel
Premte 20 Shkurt 2026 20:00
Premte, 20 Shkurt 2026, 20:00
Georgi Minçev
FOTO: georgiminchev.com
Madhësia e shkronjave
Shumë perla të çmuara folklorike këndoi bullgarja e madhe Janka Rupkina - një nga solistet më të dashura të “Misterit të Zërave Bullgarë”, e adhuruar nga publiku dhe e vlerësuar nga figura të njohura botërore. Ajo gjithmonë thoshte se beson në të gjitha këngët e saj, sepse e frymëzojnë me tekstet dhe meloditë e tyre të bukura.
"Janka Rupkina
FOTO: Facebook/Janka Rupkina
Ndër krijimet më mbresëlënëse në repertorin e saj është “Alltën Mara”, e regjistruar me fyelltarin Stojan Veliçkov. Historia në këngë është tragjike: e bukura “Alltën Mara” pret që i fejuari i saj të vijë ta kërkojë për grua. Por në vend të të dashurit dhe krushqve, në shtëpinë e saj hyjnë njerëz të këqij, të cilët e lidhin me zinxhirë dhe e rrëmbejnë. Rupkina e interpreton melodinë e trishtuar nga Stranxha në mënyrë aq magjepsëse, saqë producenti i treshes “Bëllgarka” – Xho Bojd Joe Boyd, pranoi se mund ta dëgjojë pafundësisht kur ajo këndon pikërisht “Alltën Mara”.
Në vitin 1989, “Alltën Mara” triumfoi sërish në një interpretim të ri, krejtësisht të ndryshëm, të përfshirë në albumin e tretë të serisë së famshme “Misteri i Zërave Bullgarë” të producentit legjendar Marsel Selie. Interpretimi është i korit pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore “Trakia” në Plovdiv, i drejtuar nga Stefan Mutafçiev, ndërsa autor i përpunimit është kompozitori i shquar Georgi Ljubenov Minçev, i cili më 29 janar 2026 festoi 87-vjetorin e lindjes.
FOTO: georgiminchev.com
Krijues i spikatur dhe veprimtar shoqëror, biri i këngëtarit të madh operistik – tenorit Ljuben Minçev – cilësohet si “kompozitor bullgar me rëndësi për muzikën evropiane” (E. Doçeva) dhe si autor me “amplitudë të gjerë, hapësirat krijuese të të cilit përfshijnë një larmi zhanresh dhe ndërthurje mjeshtërore të stileve, teknikave kompozicionale dhe zbulimeve të veta novatore” (A. Palieva). Arsimi i tij është mbresëlënës – profesor i tij i kompozicionit në Sofje ishte Marin Goleminov, ndërsa në Konservatorin e Moskës studioi pranë legjendave Rodion Shçedrin dhe Aram Haçaturian. Në vitin 1972, Minçev fitoi një bursë të UNESCO-s dhe u specializua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë dhe Angli. Në Paris studioi me kompozitorët e mëdhenj Olivier Messiaen dhe Luciano Berio.
Georgi Ljubenov Minçev
FOTO: georgiminchev.com
Në vitin 1959 filloi punë në Radion Kombëtare Bullgare dhe mbeti pjesë e saj për gati katër dekada, ndërsa nga viti 1989 ishte drejtues i përgjithshëm artistik i prodhimit muzikor dhe ansambleve. Për shumë vite ishte gjithashtu sekretar, nënkryetar dhe sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kompozitorëve Bullgarë.
FOTO: georgiminchev.com
Krijimtaria e tij përfshin pothuajse të gjitha zhanret muzikore: vepra mbresëlënëse simfonike dhe të muzikës së dhomës, oratorion “Kronika të Vjetra Bullgare”, baletin “Fahrenheit 451” sipas Rej Bredberit, mbi 100 këngë solo, korale dhe për fëmijë, rreth 350 përpunime folklorike, si edhe muzikë filmi. Një pjesë e madhe e veprave të tij madhore u kompozuan me porosi të institucioneve, orkestrave dhe festivaleve prestigjioze ndërkombëtare dhe morën vlerësim të lartë në konkurse të rëndësishme. Ai vetë ftohej si anëtar i jurive në konkurse të njohura kompozimi. Mori pjesë në tri edicione të Tribunës Ndërkombëtare të Kompozitorëve (International Rostrum of Composers – IRC), një nga forumet më prestigjioze botërore për muzikën klasike bashkëkohore, i organizuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzikës (IMC). Më shumë se 20 kompani të mëdha të regjistrimeve muzikore kanë realizuar veprat e tij në Bullgari, Rusi, Itali, Gjermani, Spanjë dhe Shtetet e Bashkuara. Një nga opuset më mbresëlënëse të tij – Koncerti për piano – u seleksionua nga Shoqata Ndërkombëtare e Ekspertëve Muzikorë në SHBA në vitin 1979, u nominua për çmimin “Kusevicki” dhe u rendit i pari në Tribunën Ndërkombëtare të Kompozitorëve në Paris në vitin 1981. Georgi Minçev është fitues i çmimeve të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë çmimin evropian “Lorenzo i Madhërishëm” të Akademisë Ndërkombëtare “Mediçi” në Firence në vitin 1989.
Perla folklorike “Alltën Mara” në versionin mjeshtëror shumëzërësh të këtij krijuesi të talentuar – një nga figurat më të spikatura të muzikës sonë bashkëkohore me autoritet dhe njohje ndërkombëtare – shndërrohet në një xhevahir të vërtetë vokal dhe një kryevepër të pakontestueshme të kulturës muzikore bullgare.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova