KULTURË

Artikull

Ilija Pashov krijon në “Dhomën e Bardhë”, të shndërruar në hapësirë të shenjtë

Ekspozita pas vdekjes e piktorit rikujton një artist delikat dhe të ndjeshëm, që zgjodhi vetminë përpara zhurmës së ditës

Premte, 27 Shkurt 2026, 07:00

Ilija Pashov krijon në “Dhomën e Bardhë”, të shndërruar në hapësirë të shenjtë

FOTO: Diana Cankova

Madhësia e shkronjave

Në një botë, të paprekur nga shëmtia dhe britma e atyre që garojnë të prodhojnë të keqen, Ilija Pashov krijon art, në të cilin shfaqet pastërtia, përulësia, mjaftueshmëria e shpirtit të tij. As një vit pas lamtumirës së tij me tokësoren, grafikat dhe vizatimet e tij në galerinë-librari “Sofia Pres” na japin një mësim për qetësinë, që të ruajmë veten dhe në paqen e brendshme të dëgjojmë thirrjen, me të cilën për pak kohë jemi dërguar në këtë tokë.

“Gjithë jetën kam mall për një dhomë me mure të bardha, fjalë për fjalë. Në të të hyj të vizatoj dhe asgjë më shumë”. Me këto fjalë, në një letër drejtuar mikut të tij Mihaill Filipov, piktori ndan ëndrrën e tij që krijimi i artit të mbetet i papërlyer nga realitetet përtej mureve të bardha si bora.

FOTO: Diana Cankova

“Ilija Pashov vërtet është një autsajder klasik, nëse mund ta quaj kështu një njeri që jeton dhe punon i izoluar me vetëdije, por jo si arratisje, por më tepër si një gjest vetëruajtjeje – thotë kuratorja e ekspozitës Olimpija Daniell. – Shohim një karakter, që me vetëdije e ka formuar këtë qëndrim ndaj botës, ndaj një arti kaq të ndryshëm dhe radikal, megjithëse është një i diplomuar klasik. Shpresoj që secili, që viziton ekspozitën, do të gjejë dëshmi në punët e tij – në këtë hijeshi, pastërti, heshtje, e cila sikur është parimi udhëheqës i modus vivendi.”

FOTO: Diana Cankova

Olimpija Daniell zgjedh si titull të ekspozitës pikërisht “Dhoma e Bardhë” si përpjekje, sipas fjalëve të saj, për të kuptuar strehën personale të një artisti, që arriti ta shndërrojë vetëizolimin në një pozicion estetik. Por çfarë nga ajo që lindi në këtë hapësirë intime është transferuar mbi muret e bardha të galerisë?

FOTO: Diana Cankova

“Shumë dëshironim të ishim pranë përfytyrimit të tij për parajsën artistike, të kujtonim këtë dëshirë të tij dhe ta realizonim – përgjigjet studiuesja e artit. – Ekspozita përfshin punë nga periudha të ndryshme kohore, si dhe një arkiv të vogël, në të cilin vizitorët do të shohin disa letra. Në to ai përshkruan dëshirën e tij për thjeshtësi, për pastërti, për një hapësirë sakrale, në të cilën piktori ndihet mirë dhe kjo është kaq e kuptueshme në një kohë, në të cilën ne tashmë nuk kemi heshtje, qetësi, vend për reflektim, e aq më pak për krijimtari. Me të vërtetë kjo dhomë e bardhë është diçka shumë shëruese.”

FOTO: Arkiv personal

Ilija Pashov lind në vitin 1938 në Gabrovo dhe në vitin 1968 përfundon Akademinë Kombëtare të Arteve të Bukura me specializim “Ilustrim”. Ndikim mbi pikëpamjet e tij estetike ushtron shkolla e modernistit italian Xhorxho Morandi dhe parimet e tij për “heshtje metafizike”, për të cilat mëson nga pedagogu i tij prof. Veselin Stajkov. Në fillim të karrierës së tij krijuese punon në fushën e skenografisë dhe grafikës së aplikuar dhe më pas në dizajnin e librave dhe ilustrim.

FOTO: Diana Cankova

Pas ndryshimeve demokratike realizon ekspozita personale në Galleri 88 dhe në Paepkegården, Strömstad në Suedi. Ndërkohë specializohet në litografi në një workshop me pedagogë kryesorë nga instituti legjendar amerikan “Tamarind”, duke përvetësuar teknika të reja në përpunimin e gurit, që lejojnë arritjen e shtresave ajrore, transparente dhe një pastërti detaji të paimagjinueshme deri atëherë. “Atje sikur ndodh ndryshimi dhe diçka në mënyrë të përgjithshme transformohet në pikëpamjen e tij. Grafikët bullgarë janë në një nivel serioz dhe të jesh i ndryshëm nga profesionistë të tillë është një guxim i madh”, shton Olimpija Daniell. Vepra të Ilija Pashov janë pronë e koleksionistëve në Itali, Francë, Angli, Suedi, Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe vende të tjera.

FOTO: Diana Cankova

Ky krijues i thjeshtë në jetesën e tij, i dhuruar me finesë dhe erudicion, zbulon botën e tij shpirtërore jo vetëm përmes imazheve, të krijuara në një hapësirë mes hyjnores dhe tokësores, por edhe përmes fjalëve të ndara me miqtë e tij, që gjithashtu mbeten.

FOTO: Diana Cankova

“Gjëja më e bukur ishte se përsëri pashë (edhe pse në fund të vjeshtës) arën, mbi të cilën ka një kishëz me majë të mprehtë, nuk e di nëse të kujtohet mes Uddevalla dhe Tanum, pranë Dingle – vetë terreni (i mbjellë detyrimisht me grurë të artë), qielli i madh blu dhe kishëza e vogël me majë të mprehtë mes tyre është diçka, që më tërheq shumë dhe më tregon për jetën në tokë. Nëse kam mundësi, do të jetoja me përulësi atje në një meditim për jetën e njeriut”, ndan Ilija Pashov në një nga letrat e tij, që mund të shihet në ekspozitë në arkivin e vogël, të vënë në dispozicion nga miqtë. Në fjalët e shkruara shohim atë imazh të pastruar, të çliruar nga gjithçka e tepërt, dhe prirjen drejt thjeshtësisë, që e gjejmë edhe në veprat e tij.

FOTO: Diana Cankova

“Letrat e tij zbulojnë mall për soditje asketike dhe të përulur, ndërsa transferimi i saj në imazhe dëshmon se ekzistojnë krijues, prania e të cilëve nuk matet me intensitetin e paraqitjeve të tyre publike, por me thellësinë e mungesës së tyre të vetëdijshme nga zhurma e ditës”, thotë Olimpija Daniell për jetën e një krijuesi, që e jetoi kohën e caktuar për të në një përpjekje të pandërprerë drejt hyjnores.

Ekspozita, kushtuar Ilija Pashov në rr. “Sllavjanska”-29 në Sofje, mund të vizitohet deri më 13 mars.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski