POLITIKË

Seksion

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 21 Shkurt 2026, 09:00

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: Inquam Photos/George Călin

Madhësia e shkronjave

Studim: Ceaușescu mbetet lideri më popullor në Rumani


36 vjet pas Revolucionit të vitit 1989, diktatori komunist Nicolae Ceaușescu mbetet lideri politik më popullor në historinë moderne të Rumanisë, sipas një sondazhi të Cult Research (2–10 shkurt 2026), të cituar nga portali Ziare. Në një votim hipotetik për krerët e shtetit pas vitit 1967, Ceaușescu do të merrte 41%, duke lënë pas presidentët Traian Băsescu (26%), Emil Constantinescu (17%), Klaus Iohannis (11%) dhe Ion Iliescu (5%).


Nostalgjia për komunizmin është më e fortë në zonat rurale dhe mes personave me arsim të mesëm, ndërsa për sipërmarrësit, banorët e qyteteve të mëdha dhe personat me arsim të lartë, i preferuari është Traian Băsescu. Është interesante se niveli më i ulët i simpatisë ndaj diktatorit (36%) shfaqet te brezi X (46–61 vjeç), i cili e ka përjetuar regjimin, ndërsa më të joshurit nga autoritarizmi rezultojnë ata që e njohin komunizmin vetëm nga librat shkollorë: brezi Y (30–45 vjeç) – 46% (nivel rekord simpatie), dhe brezi Z (18–29 vjeç) – 42%.

FOTO: EPA/BGNES

Me marshim në Prishtinë u mbështetën ish-liderët e UÇK-së të akuzuar në Hagë


Më 17 shkurt, Kosova shënoi 18 vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Serbia. Mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët po gjykohen në Hagë.


Marshimi, i organizuar nga platforma “Liria ka emër”, u zhvillua me thirrje për drejtësi, raportoi KosovaPress, cituar nga BTA. Në aktivitet mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani. Organizatorët kërkuan që procesi gjyqësor të jetë i paanshëm dhe të mos barazojë “agresorin me viktimën”.


Më 9 shkurt nisën fjalët përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-komandantëve të UÇK-së. Prokuroria kërkoi nga 45 vjet burg për secilin, ndërsa mbrojtja kërkoi shpalljen e pafajësisë. Procesi gjyqësor filloi më 3 prill 2023. Të katërtit u arrestuan në nëntor 2020 me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999. Të ndaluarit i hedhin poshtë akuzat.

FOTO: aa.com.tr

Xhamia më e madhe në Maqedoninë e Veriut është drejt përfundimit


Ndërtimi i xhamisë më të madhe në Maqedoninë e Veriut, me mbështetjen e Turqisë, është drejt përfundimit, raportoi Anadolu Ajansı. Objekti në Shkup, i nisur në vitin 2017 nga Drejtoria Turke për Çështjet Fetare (Diyanet), po ndërtohet sipas modelit të xhamisë “Mihrimah Sultan” në Stamboll.


Xhamia ka një sipërfaqe prej 10 000 metrash katrorë, me dy minare nga 48 metra të larta secila, dhe do të ketë kapacitet për deri në 1000 besimtarë brenda, si dhe rreth 3200 persona në hapësirat e jashtme.


Sipas këshilltarit për çështjet fetare në Ambasadën e Turqisë në Shkup, Mustafa Bodur, xhamia do të shërbejë jo vetëm si vend adhurimi, por edhe si qendër për aktivitete sociale dhe kulturore në komunitet.

 

Rreth 28% e banorëve të Qipros janë të lindur jashtë vendit

Më shumë se një e katërta e banorëve të Qipros janë të huaj, tregojnë të dhënat e Eurostat. Shteti i vogël mesdhetar renditet në treshen e parë në BE sipas këtij treguesi, ndërsa Bullgaria ndodhet në fund të kësaj renditjeje, raportoi korrespondentja e BNR në Qipro, Branisllava Bobanac.

27,6% e banorëve të Qipros janë të lindur jashtë ishullit. Sipas këtij treguesi, vendi renditet pas Luksemburgut dhe Maltës. Bullgaria regjistron vetëm 3,8% të lindur jashtë vendit.

E njëjta treshe në BE kryeson edhe për nga përqindja e të huajve që jetojnë në vend më 1 janar 2025 – në Qipro ata përbëjnë 24,8%, në Luksemburg 47% dhe në Maltë 29,4%, ndërsa në Bullgari 2,3%.

Statistikat kombëtare tregojnë dallime të konsiderueshme në paga mes qipriotëve dhe të huajve. Pothuajse gjysma e të huajve fitojnë nën 1500 euro në muaj, ndërsa rreth 44% e qipriotëve marrin mes 1500 dhe 3000 euro. Paga mesatare në tremujorin e tretë të vitit 2025 ka qenë rreth 2500 euro.

FOTO: cnnturk.com

Turqia do të financojë seriale me deri në 100 mijë dollarë për episod


Turqia do të ofrojë mbështetje financiare për prodhimin e serialeve turke deri në 100 000 dollarë për episod, me qëllim nxitjen e sektorit, raportoi TRT Haber. Megjithatë, serialet duhet të përmbushin kritere të caktuara.


Sipas ministrit të Kulturës, Mehmet Nuri Ersoy, kjo nismë do të shndërrohet në një motor të strategjisë për promovimin e kulturës turke. Në një konferencë për shtyp në Stamboll, ai deklaroi se Turqia është ndër eksportuesit më të mëdhenj të serialeve televizive në botë.


Sipas tij, Turqia ka zhvilluar një nga tre industritë më të mëdha televizive në nivel global, me prodhime që arrijnë deri te 1 miliard njerëz në afro 170 vende. “Serialet turke janë sot kursi më i madh i gjuhës turke në botë. Fakti që njerëz nga kultura të ndryshme, mijëra kilometra larg, përdorin fjalë turke, përpiqen të mësojnë turqisht, u vendosin fëmijëve emra turq dhe dëshirojnë të vizitojnë vendin tonë, tregon sa i thellë mund të jetë ndikimi i këtij sektori”, deklaroi Ersoy.


Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello