Autor
Joan Kolev
Artikel
Dielë 22 Shkurt 2026 09:55
Dielë, 22 Shkurt 2026, 09:55
Xhoko Rosiç (1932–2014)
FOTO: Arkiv BNR
Madhësia e shkronjave
Njëri prej zërave më të njohur dhe të paharrueshëm në eterin bullgar ishte i lidhur ngushtë me historinë e radios publike. Aktori me origjinë bullgaro-serbe, Xhoko Rosiç (1932–2014), mbetet një figurë emblematike e kinemasë bullgare, me mbi 110 role të paharrueshme në filma artistikë.Jeta e tij ishte e mbushur me fakte kureshtare, disa prej të cilave sikur e paracaktuan fatin e tij. Ai lindi më 29 shkurt, në vitin e brishtë 1932, kur në SHBA u zhvilluan si Lojërat Olimpike Verore (në Los Anxheles), ashtu edhe ato Dimërore (në Lake Placid). Edhe që kur ishte fëmijë thoshte se do të bëhej gazetar. Ndryshe nga shumë ëndrra të tjera fëmijërore, kjo e tij u bë realitet: ai pati mundësinë, ndërsa studionte ekonomi në Institutin e Lartë Ekonomik “Karll Marks” (sot Universiteti i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore), të punonte në redaksinë “Transmetimet për jashtë” të Radios Bullgare, e cila sot njihet si Radio Bullgaria.
“Nisa të punoja në Radio kur isha 19 vjeç e gjysmë. Për një kohë të gjatë isha përkthyes dhe spiker në programet për Jugosllavinë. Më pas u bëra redaktor në Redaksinë Qendrore, e cila përgatiste materiale për të gjitha gjuhët në të cilat transmetonim – thotë Xhoko Rosiç në një intervistë të vitit 2002, e ruajtur në “Fondin e Artë” të BNR-së. – Në “Transmetimet për jashtë” kishte shumë njerëz të aftë, sepse punën mund ta bënin vetëm ata që i zotëronin gjuhët në mënyrë të përkryer. Dhe ata ishin intelektualë. Prandaj nga “Transmetimet për jashtë” dolën edhe mjaft disidentë. Nëse e shohim nga këndvështrimi i sotëm, ne kemi bërë propagandë për një parti ose për një regjim, por unë nuk turpërohem nga asnjë rresht që kam shkruar në atë kohë.”
Aktori pranonte se 17 vitet e kaluara në ‘Shtëpinë e Vjetër’, siç e quajmë ne, njerëzit e radios, ishin ndër më të bukurat e jetës së tij. Megjithatë, në bilancin e atyre viteve kishte edhe hidhërim.
“Në vjeshtën e vitit 1968, pas ngjarjeve në Çekosllovaki, që atëherë quheshin kundërrevolucion, në Radio u bë një spastrim. Në atë kohë unë isha shtetas jugosllav. Kishin thënë se një shtetas i huaj nuk mund të punonte në Radio, megjithëse në “Transmetimet për jashtë” kishte plot shtetas të huaj. Mendoja se kjo nuk do të vlente për mua, sepse isha një punonjës i shkëlqyer. Nuk e mbaj mend saktësisht, por në vitin 1960 ose 1961 mora çmimin vjetor të Radios për materialin më të mirë. Por tre muaj pasi më përzunë mua, e njëjta gjë ndodhi edhe me bashkëshorten time, Liljana Llazarova, e cila punonte në Redaksinë Muzikore të “Transmetimeve për jashtë”. Faji i saj i vetëm ishte se ishte gruaja ime.”
FOTO: Facebook/djokorositch
Edhe jeta filmike e Xhoko Rosiçit mori një “shtysë” nga radioja – drejtori i asaj kohe, Misho Nikollov, e këshilloi të pranonte një ftesë nga studioja filmike “Bojana”. Aktori fillestar mori leje pa pagesë, xhiroi filmin dhe u kthye sërish në redaksi. Kjo mund të vazhdonte për dekada, sepse Xhoko e donte me shpirt punën në radio, kishte krijuar miqësi të vërteta dhe gëzonte dashurinë e kolegëve të tij. Por në fillim të viteve 70-të të shekullit të XX-të ndodhi pushimi i tij nga puna, pas një bisede me drejtorin e radios, Rad Kamenski:
“Atëherë, ata që na çliruan hartuan një listë me emrat tanë dhe e shpërndanë në të gjitha redaksitë. Në media ishe i padëshiruar — nuk mund të shkruaje, as të bëje gjë. Në atë kohë nuk kishte as filma, dhe vijuan rreth katër vite, gjatë të cilëve mbijetova falë miqve në gazetari – më jepnin të punoja si korrigjues kolonash. Për një kolonë paguanin 8 stotinka, dhe kështu vazhdoja derisa një ditë më ofruan të më punësonin në studio filmike.”
FOTO: archives.bnr.bg
Edhe sot, në redaksinë serbe të Radio Bullgarisë ruhet kujtimi për praninë e gjallë të Xhoko Rosiçit në ekip. “Ai ishte jashtëzakonisht karizmatik – me mënyrën e të folurit, me gjithë praninë e tij, madje edhe me sjellje dhe pamjen si kauboj – i gjatë, pak i përkulur, me kapelën e tij të pandarë” - kujton kolegia Albena Xhermanova, e cila pati mundësinë ta takojë.
FOTO: Facebook/djokorositch
Zëri karakteristik bas i ngjirur i Xhoko Rosiçit mbetet i gjallë, vite pas vdekjes së tij më 21 shkurt 2014, dhe vazhdon të tingëllojë në valët e radios.I paharrueshëm është edhe një monolog që ai mbajti para një koncerti të këngës popullore të njohur “Jovano, Jovanke”. Ai u frymëzua nga vepra “Koshtana” e shkrimtarit serb Borisav Stankoviç, por shkruar nga Ljuben Dilov-i ri, në mënyrë që të theksojë të kaluarën historike dhe gjakun e derdhur në Ballkan:
“Unë jam një copëz, por jo nga një ëndërr bullgare, por nga një iluzion bullgar. Iluzioni se me gjakun dhe guximin tonë mund të shlyejmë budallallëkun e sundimtarëve tanë. Dyqind mijë burra lanë eshtrat e tyre për t’i bërë realitet iluzionet e tyre. Por këtu, në Ballkan, nuk i bëjmë realitet ëndrrat tona, por i mbytim. I mbytim me gjak. Dhe vetëm ai që sheh këtë gjak e di se vitet nuk kanë rëndësi dhe shtetet nuk vlejnë. Njerëzit janë të rëndësishëm… Kur shtrihet në llogore, të gjithë së bashku i han morrat – serbët, bullgarët, shqiptarët, turqit dhe hebrenjtë – edhe ata. Nuk ka Ramazan, nuk ka Shabat – për morrat është gjithmonë Kurban Bajram. Kjo do të thotë se gjaku është i njëjtë. Nuk ka rëndësi se cilin Zot adhuron. Zoti im nuk është as Allah, as Krishti, Zoti im quhet Jovana. Jovana, që kryqëzoi shpirtin tim, ajo është kryqëzimi dhe pendimi im, dhe Zoti... vetëm ajo më ka mbetur. Disa thonë se nuk quhej Jovana, por Maqedonia. Të tjerë thonë se emri i saj ishte Evropa. Të tjerë e panë në një anije të madhe, aty quhej Amerika. Por për mua ajo është Jovana. Në mbrëmje, kur ulem pranë zjarrit, gjithmonë i flas asaj, kështu dhe i them… Eh, Jovano, Jovanke..."
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova