Artikull
Hënë 23 Shkurt 2026 10:34
Hënë, 23 Shkurt 2026, 10:34
Regjisorja e “Nina Rosa”, Geneviève Dulude‑De Celles, në festivalin e filmit “Berlinale”
FOTO: AP/BTA
Madhësia e shkronjave
Filmi “Nina Rosa”, me pjesëmarrje bullgare, fitoi “Ariun e Argjendtë” për skenarin më të mirë në edicionin e 76-të të festivalit të filmit “Berlinale”, njofton BNT. Çmimin e mori regjisorja dhe skenaristja Geneviève Dulude-De Celles . Filmi është një koproduksion i Kanadasë, Italisë, Bullgarisë dhe Belgjikës, ndërsa koproducente bullgare është Ljubomira Piperova.
Filmi ndjek historinë e një familjeje të ndarë mes Bullgarisë dhe Kanadasë. Rolin kryesor e interpreton Galin Stoev, dhe në film marrin pjesë gjithashtu Mishel Conchev, binjaket Sofia dhe Ekaterina Stanina, Svetllana Jançeva dhe të tjerë. “Nina Rosa” eksploron takimin mes së kaluarës dhe së tashmes përmes historisë së një familjeje të ndarë mes Bullgarisë dhe Kanadasë. Uebsajti i specializuar “Screen Daily” e përshkroi filmin si një reflektim poetik mbi artin, mërgimin, prindërimin dhe trashëgiminë.
Personazhi kryesor, Mihaill, është larguar nga Bullgaria pas vdekjes së gruas së tij në fillim të viteve ’90 dhe është vendosur në Montreal, ku jeton pranë vajzës së tyre, Rosa (aktorja kanadeze me origjinë bullgare Mishel Conchev). Ai është një studiues i shquar i artit, i angazhuar të vlerësojë autenticitetin e pikturave të Ninës 11‑vjeçare, një vajzë nga një fshat bullgar, veprat e së cilës janë bërë të njohura në rrjetet sociale.
Dikur i larguar nga atdheu me hidhërim, Mihaill kthehet dhe përballet me dhimbjen e papërpunuar nga humbja e gruas, dilema morale dhe kufij të brishtë që ndajnë artin, të vërtetën dhe pafajësinë. Filmi do të ketë premierën e tij në Bullgari në mars, gjatë edicionit të 30‑të të“Sofia Film Fest”.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva