Autor
Diana Cankova
Artikull
Hënë 23 Shkurt 2026 20:00
Hënë, 23 Shkurt 2026, 20:00
FOTO: Evan Lorencen
Madhësia e shkronjave
Njëzet e tetë vepra artistike, të përmbledhura në 1 cm kub, dhe 48 krijues nga e gjithë bota, që eksplorojnë lidhjen e njerëzimit me Kozmosin përmes artit bashkëkohor kozmik. Dhe e gjithë kjo – në një libër të vetëm me një pyetje, që ndryshon gjithçka: “Si e sheh Hëna Tokën?”
Bazilika Episkopale e hershme e krishterë në Pllovdiv do të ofrojë një përgjigje të mundshme më 23 shkurt të këtij viti, kur do të shpalosë Moon Bound – “Libër për Hënën”. 80 faqet e saj përmbledhin tekste dhe imazhe, të shtypura me saktësi prej 5760 pikselësh për inç. Arti kozmik nuk përfshin thjesht piktura astronautësh apo ilustrime nga fantastiko-shkencorja, por e shqyrton Kozmosin si partner të barabartë në procesin krijues.
FOTO: Facebook/Association “Plovdiv Project Center”
“Kjo miniaturë në fakt përmban pyetje, që do të përcaktojnë të ardhmen tonë në hapësirën kozmike dhe më tej në shkencën e Kozmosit, përkatësisht – cilat paradigma morale udhëtojnë përtej planetit tonë dhe a mund të jenë artefaktet kulturore përtej Tokës një parakusht për vizionin tonë për të ardhmen tonë si civilizim”, thotë Ivelina Kadiri, drejtuese e projektit dhe nënkryetare e Shoqatës “Qendra për Projekte – Pllovdiv”, një nga organizatorët e projektit.
Përmes veprave të tyre në ekspozitë autorët përpiqen të tërheqin vëmendjen mbi ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit të planetit tonë. Artistët holandezë Jeroen van der Most dhe Peter van der Putten paraqesin një bisedë të simuluar me inteligjencë artificiale mes Tokës dhe Hënës, në të cilën maja më e lartë hënore i drejtohet binjakut të saj tokësor.
Nga perspektiva e majës malore në Hënë të gjithë njerëzit janë një e tërë.
FOTO: Evan Lorencen
“Duke kthyer vështrimin nga vetja, kuptojmë se nuk mund t’i përgjigjemi pyetjes për përgjegjësitë tona ndaj Kozmosit dhe ndaj mjedisit që na rrethon, pa marrë parasysh disa perspektiva jo njerëzore – mendon Ivelina Kadiri. – Përkatësisht malet, materien, Kozmosin që na mbijeton, si dhe të gjithë emrat dhe ambiciet që mendojmë se do t’i lëmë. Do të doja të ndaj edhe për të ashtuquajturin efekt panoramik, i përjetuar nga astronautët në orbitë. Duke përjetuar një ndryshim të thellë të vetëdijes, ata kthehen si persona të transformuar, sepse e shohin Tokën si një planet pa kufij të dukshëm shtetërorë, të pakufishëm dhe të brishtë, ku konfliktet duken të pakuptimta dhe njerëzimi është i bashkuar nga një fat i përbashkët. Mendoj se Hëna sheh pikërisht këtë – se Toka është një organizëm i ndërlidhur, që rreh dhe jeton, i cili duhet të jetë në sinkron me përmbajtjen e vet.”
Dëshira për t’u thelluar në veten tonë në vend që të shohim Hënën nga Toka, për të imagjinuar se si na sheh sateliti ynë natyror, qëndron në themel të idesë për “Libër për Hënën” të fondacionit holandez Moon Gallery Foundation, krijues i projektit. Kështu artistë, shkrimtarë dhe filozofë shtrojnë pyetjen themelore për të ardhmen e njerëzimit jashtë planetit.
FOTO: Facebook/Association “Plovdiv Project Center”
Në ekspozitë ka edhe kontribut bullgar në personin e Pllamen Jordanov, i cili që nga viti 1998 jeton dhe krijon në Shtetet e Bashkuara. Ai prezantohet në Moon Bound me printin e skulpturës “Pafundësi” nga seria e tij Double Mobius.
Bazilika Episkopale e qytetit të dikurshëm romak Filipopoll, e krijuar në shekullin IV, nuk është zgjedhur rastësisht si vend i ngjarjes – pikërisht prej andej do të hidhet ura mes lashtësisë dhe trashëgimisë që lë njerëzimi.
Bazilika Episkopale e Filipopolisit
FOTO: ancientbulgaria.bg
“Ky është vendi më logjik për të paraqitur një vizion për të ardhmen, për ta bërë shikuesin të kuptojë thellësinë dhe të fillojë të shtrojë pyetje se çfarë lëmë pas vetes – thotë Ivelina Kadiri. – Sepse, për fat të keq, gjithçka merr rëndësi njëditore – emocionet, përjetimet dhe sistemi ynë i vlerave janë kalimtare dhe ne në këtë fazë të ekzistencës sonë jemi si jetimë shtegtarë, të shkëputur nga spiritualiteti, nga prejardhja, nga lashtësia, nga amaneti i paraardhësve tanë.”
Bazilika e lashtë është i vetmi vend brenda orbitës tokësore ku do të prezantohet ekspozita, përpara se të udhëtojë 384 400 km drejt Hënës me misionin hënor të organizuar posaçërisht Griffin-1. Vëllimi miniaturë do të udhëtojë në bordin e një flip roveri të kompanisë “Astrobotic” dhe gjatë verës do të zbresë në Polin Jugor, ku janë zbuluar molekula uji. Në këtë kapsulë të veçantë kohe, që një ditë dikush do ta gjejë, marrin pjesë pionierë të artit kozmik.
FOTO: Facebook/Association “Plovdiv Project Center”
“Arthur Woods hulumton se si skulptura transformohet, e çliruar nga graviteti, që dikton formën e çdo vepre në Tokë – tregon Ivelina Kadiri. – Eduardo Kac provokon reflektim mbi vështrimin e brendshëm dhe vetëvëzhgimin në kushte të mjedisit kozmik. Kuratori i ekspozitës Luiz Guzman, me origjinë kiliane, hulumton se si teknologjitë kozmike krijojnë forma të reja jete. Një grup artistësh nga Kongo zbulojnë se si mineralet, të nxjerra në Afrikë për teknologjitë moderne kozmike, kthehen si mbetje elektronike, të ngjitura në kostumin e një astronauti ëndërrimtar, duke kthyer sërish vështrimin drejt qëndrueshmërisë së kërkimeve teknologjike dhe kozmike.”
Të gjithë ata na nxisin të mendojmë se çfarë na përket dhe çfarë vlerash kulturore dhe formash do të dëshironim t’ua përcillnim brezave të ardhshëm kozmikë. Por çfarë sheh Hëna në Tokë? “Edhe rënien tonë shpirtërore, ndërsa pushtojmë lartësi të reja teknologjike si paradoks i njeriut bashkëkohor, edhe bukurinë e intelektit tonë brilant, që nuk ndalet përpara sfidave, duke ndjekur idealin e një vizionari – arkitekt i së ardhmes së civilizimit njerëzor”, përgjigjet Ivelina Kadiri.
FOTO: Facebook/Association “Plovdiv Project Center”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski