SHOQËRI

Seksion

“Ajo” – një film për fatin e grave, burrat e të cilave janë në frontin e luftës

Tetjana Staneva: “Tani është periudha më e tmerrshme e luftës. Jemi lodhur, por nuk mund t’i mbyllim sytë.”

Mërkurë, 25 Shkurt 2026, 07:00

“Ajo” – një film për fatin e grave, burrat e të cilave janë në frontin e luftës

FOTO: Facebook /Tetjana Staneva

Madhësia e shkronjave

Më 24 shkurt u mbushën 4 vjet nga fjalimi i presidentit rus Vladimir Putin, në të cilin ai njoftoi se kishte marrë vendimin për një operacion special ushtarak në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, me arsyetimin se popullsia e qyteteve Donetsk dhe Luhansk i ishte drejtuar Rusisë me kërkesë për ndihmë. 1460 ditë më vonë, jeta në Ukrainë vazhdon me çmimin e një numri të papërcaktuar të vrarësh dhe të plagosurish, dhe tashmë vështirë se ka familje që në një farë mënyre të mos jetë prekur nga ky “operacion”, i vlerësuar nga shumë vende, përfshirë edhe Bullgarinë, si një luftë në shkallë të plotë.


“Unë e di që Bullgaria është lodhur nga tema e luftës. Edhe ne u lodhëm – madje shumë më tepër ne. Disi, psikologjikisht, të gjithë duan t’i mbyllin sytë dhe kështu të mendojnë se përreth nuk po ndodh asgjë. Kjo është më e lehta, por njeriu duhet të kuptojë se edhe nëse qëndron i painteresuar, ai përsëri merr pjesë në proceset e botës bashkëkohore dhe në të ardhmen. Nga mënyra se si e përjetojmë dhe çfarë bëjmë sot, varet shumë se si do të jetë e ardhmja jonë dhe ajo e fëmijëve tanë” – thotë për Radio Bullgarinë bullgarja ukrainase Tetjana Staneva. Ajo është regjisore që në krijimtarinë e saj studion ndikimin e luftës mbi njerëzit e zakonshëm. Dhe në ditët kur bota shënon përvjetorin e katërt të fillimit të veprimeve ushtarake në territorin e atdheut të saj, Tetjana prezanton në Sofje filmin e saj më të ri – “Ajo”.

FOTO: Facebook /Tetjana Staneva

“Këtë film e kam realizuar gjatë 4 viteve. Filloi nga një reportazh për televizionin bullgar, në të cilin prezantova gra që organizoheshin për t’u marrë me vullnetarizëm, mbledhje fondesh për blerjen e municioneve, materialeve higjienike dhe ushqimeve, të cilat ua dërgonin bashkëshortëve të tyre – kujton bashkëbiseduesja jonë. – Kjo ndodhi që në fillim të luftës, kur situata ishte ende ishte e frikshme, kishte panik, paqartësi se deri ku do të arrinin gjërat. Megjithatë, kishte edhe një ndjenjë shumë të qartë se shumë shpejt do të arrihej fitorja, por kështu kaluan 4 vite. E rëndësishme është që unë arrita t’i pyes se çfarë dëshironin të ndodhte kur të vinte fitorja. Njëra tha se dëshironte të kishte një fëmijë, e dyta se donte të kthehej te prindërit e saj, ndërsa e treta – të ribashkohej me bashkëshortin e saj. Të tria gratë i bashkon qyteti Bolgrad dhe fakti që burrat e tyre janë ushtarakë në të ashtuquajturin ‘batalioni i 88-të bullgar’ (ku shërbejnë edhe bullgarë bessarabianë).”


Megjithatë, lufta nuk përfundon, reportazhi mbetet i papërfunduar, dhe Tetjana i kthehet më vonë, sepse vendos se kjo është një histori që meriton të thellohet. Ajo vetë është kurioze të shohë nëse ëndrrat e tri grave do të realizohen dhe nis punën mbi subjektin me idenë për të pritur fitoren, e cila megjithatë shtyhet në kohë:

FOTO: Facebook /Tetjana Staneva

“Por meqenëse koha u bë jashtëzakonisht e gjatë, disa ëndrra u realizuan gjatë rrugës, të tjera jo; pati edhe tragjedi. Kjo është puna ime e parë në të cilën unë vëzhgoj jetën e të tjerëve. Ka edhe vdekje, ka edhe lindje, humbje dhe depresione… gjithçka”, – shprehet regjisorja.


Ky është një film i veçantë vëzhgues, i realizuar përgjatë 4 viteve, të cilin publiku në Sofje do të mund ta shohë më 25 shkurt.


“Fillimisht ideja ishte tjetër, por tani shikuesi do ta ndiejë padurimin me të cilin, pavarësisht pritjes së gjatë, ato presin që burrat e tyre të kthehen nga fronti dhe kontrollojnë vazhdimisht për mesazhe SMS.”


Tetjana ndan vëzhgimet e saj se pothuajse të gjitha gratë, burrat e të cilave janë në front, marrin ilaçe kundër depresionit, sëmuren shumë shpesh dhe jeta e tyre është e padurueshme edhe për shkak të pasigurisë. Shenjat me të cilat kuptojnë se të afërmit e tyre në front janë gjallë janë shndërruar në një lloj kodi për civilët – “ok”, që do të thotë mirë, “+”, që do të thotë u pranua, ose “450” – sinjal se situata është e qetë.


“Në këtë film unë hedh dritë mbi fatin e gruas, në të cilin mund të njohë veten çdo bullgare, por shpresoj që askush në Bullgari të mos përjetojë atë që po përjetojnë ato. Pse e quaj filmin ‘Ajo’? – sepse ai nuk është vetëm për gratë, por edhe për luftën dhe për ndarjen, të cilat në gjuhën bullgare janë të gjitha në gjininë femërore.”


Bullgarja bessarabiane është e bindur se aktualisht Ukraina po kalon periudhën më të vështirë të katër viteve të fundit. Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike lënë pjesë të mëdha të qyteteve pa energji elektrike dhe pa ngrohje qendrore, në ditë kur temperaturat minimale dhe maksimale janë me dy shifra nën zero, ndërsa shumë prej njerëzve që janë zhvendosur nga pjesë të tjera të vendit drejt kryeqytetit nuk kanë më mundësi të shpërngulen diku tjetër. Mes tyre ka edhe shumë të moshuar dhe persona me lëvizshmëri të kufizuar.

FOTO: BGNES

Tetjana Staneva rikujtoi edhe idenë me të cilën prej vitesh merret pikërisht me kinema dokumentare, e cila sipas saj nuk është “ushqim i shpejtë” dhe kërkon nga shikuesi të marrë kohë, të përqendrohet dhe të zhytet në film:


“Ideja ime është të njihet e vërteta, sepse vetëm e vërteta i bën njerëzit të lirë. Shqetësimi im është që Bullgaria të mos përsërisë gabimet tona. Disa më akuzojnë se po ‘pështyj’ mbi vendin – jo, kur unë drejtoj vëmendjen tek një problem, kjo nuk është kritikë. Për ne, bullgarët bessarabianë, ajo është atdheu i të parëve tanë dhe ne shqetësohemi për të. Dhe kur shoh që këtu dihet shumë pak për bullgarët bessarabianë, për mua kjo është shenjë se nuk flitet mjaftueshëm për ne, prandaj përpiqem përmes filmave të tregoj jetën tonë. Filmi im tregon bullgarë bessarabianë që shërbejnë në batalionin e 88-të dhe bullgarët nuk mund të mos tregojnë solidaritet, sepse vëllezërit e tyre gjakut, bullgarë etnikë, tani po luftojnë për gjënë më elementare – të mbijetojnë, për shtëpitë e tyre që ndodhen në Ukrainë.”


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello