Sollnica e Provadias mori një çmim nga BE-ja

Mërkurë, 25 Shkurt 2026, 16:13

Sollnica e Provadias mori një çmim nga BE-ja

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Kompleksi arkeologjik "Provadia – Sollnicata" mori Shenjën e Trashëgimisë Evropiane për vitin 2025, njoftoi Komisioni Evropian. Objekti bullgar është mes 13 mbajtësve të rinj të kësaj shenje, me çka numri i përgjithshëm arrin në 80, transmeton BTA.

Çmimi është një iniciativë në kuadër të programit "Evropa Krijuese" dhe u jepet objekteve që kanë ushtruar ndikim të thellë mbi historinë, kulturën dhe zhvillimin e Bashkimit Evropian. Shenja do të dorëzohet gjatë një ceremonie më 22 prill në Bruksel në prani të komisionerit evropian Glen Micallef.

Kompleksi prehistorik Provadia – Sollnicata, i vendosur pranë qytetit të sotëm Provadia në Bullgarinë Verilindore, përfaqëson qendrën më të vjetër të prodhimit të kripës në Evropë (5600–4350 p.e.s.) dhe qendrën e parë prehistorike urbane në kontinent (4700–4350 p.e.s.). I ngritur mbi vendburimin e kripës së Mirovos – i vetmi në Ballkanin Lindor – kompleksi përfshin një qendër prodhimi me gropa rituale, një vendbanim me fortifikime prej guri, një fushë rituale dhe nekropole me një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh. Kripa nxirrej përmes zierjes së ujërave të kripura në enë qeramike, që përbën dëshminë më të hershme për një teknologji të tillë në Evropë. Kripa e përfituar në këtë mënyrë kthehej në lëndë të parë strategjike dhe njësi të veçantë shkëmbimi. Kjo i jep objektit rolin e "monedharisë" së parë në Evropën prehistorike.

Më vonë, në të njëjtin vend u krijuan një nekropol i epokës së hershme të bronzit, një varr skit nga shekulli VI p.e.s., një rezidencë e një sundimtari trak (shek. II–I p.e.s.) dhe një tumë varrimi trake. Që nga viti 2005, kompleksi prehistorik Provadia – Sollnicata po hulumtohet nga një ekip ndërdisiplinor me pjesëmarrje ndërkombëtare.


Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva