MUZIKË

Artikull

Mesazh për pavdekësinë në këngën e” Jupiter 7” “Përgjithmonë”

Enjte, 26 Shkurt 2026, 05:55

Mesazh për pavdekësinë në këngën e” Jupiter 7” “Përgjithmonë”

FOTO: YouTube / Jupiter7 - Official

Madhësia e shkronjave

Grupi i ri “Jupiter 7” paraqet “Përgjithmonë” (“Zavinagi”) – një këngë e krijuar së bashku me Krasi Kurtev, i cili na la një vit më parë. Ai ishte jo vetëm themelues i grupit “Akaga”, por edhe mentor i “Jupiter 7”, të cilët u bashkuan që në vitet e shkollës. Trashëgimia e tij muzikore jeton edhe në këngët e tyre, ndërsa në “Përgjithmonë” përveç ideve të tij “ringjallet” edhe zëri i tij.

Djali i Krasi-t – Neo Kurtev, frontmeni dhe vokalisti i “Jupiter 7”, ndan se në këtë periudhë të vështirë për të dhe familjen e tij, ata janë kthyer pas tek kujtimet me Krasi-n – jo vetëm në fotografi, por edhe në regjistrimet që kanë bërë së bashku. Kështu ai ka zbuluar këngën:

FOTO: Facebook /Jupiter7_official

“Një nga regjistrimet që na kishin mbetur ishte ai i ‘Përjithmonë’, të cilin e kishim bërë në studion tonë shtëpiake. Unë e kisha harruar krejt këngën, por pastaj më erdhi ndër mend se si një ditë babai im hyri në dhomë dhe tha: ‘Kam një ide për një këngë, a mund të më shoqërosh me kitarë këtu?’ E regjistruam së bashku, ai e këndoi të gjithë këngën. Kur e dëgjova, u emocionova shumë. Grupi gjithashtu e dëgjoi, sepse ne ishim bashkë gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë asaj periudhe. Dhe vendosëm se duhet ta bëjmë. Duhet ta regjistrojmë dhe t'ia kushtojmë Krasi-t, sepse ai na krijoi si grup, ai na dha dorën e parë, dhe gjëja më e vogël që mund të bëjmë është kjo këngë.”

Muzikantët e “Jupiter 7” e zhvilluan më tej këngën, duke e ruajtur zërin e Krasi Kurtev – një interpretim i çmuar dhe prekës. Kështu në “Përgjithmonë” dëgjojmë këtë dialog mes babait dhe djalit, përtej kohës.

Autori i videos së këngës është regjisori Zhoro Markov – mik dhe partner krijues shumëvjeçar i Krasi Kurtev. Koncepti është ndërtuar si një arkiv vizual kujtimesh, sepse pikërisht ato, së bashku me muzikën, janë ajo që mbetet dhe vazhdon të na lidhë.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva