Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Enjte 26 Shkurt 2026 14:00
Enjte, 26 Shkurt 2026, 14:00
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
Madhësia e shkronjave
Dashamirësit e operës në kryeqytet presin me padurim vënien e re në skenë të “Makbeth”-it nga Giuseppe Verdi, sipas kryeveprës dramatike me të njëjtin emër të William Shakespeare. Premiera është më 25 shkurt, e ndjekur nga edhe katër shfaqje të tjera – deri më 1 mars. Në një konferencë për shtyp me rastin e ngjarjes së ardhshme, regjisorja Vera Petrova e përcaktoi “Makbeth”-in si “një nga operat më të bukura, një nga partiturat muzikore më pasionante, me ngjyra të jashtëzakonshëm në shprehjen muzikore”. Në studimin e tij të njohur “Shakespeare, bashkëkohësi ynë”, kritiku dhe teatrologu i njohur polak Jan Kott vëren se çdo periudhë historike gjen te Shakespeare-i atë që kërkon ose atë që dëshiron të shohë. Giuseppe Verdi, pa dyshim ka pasur një prirje të veçantë ndaj krijimtarisë së Shakespeare-it. Rezultati janë tre kryevepra operistike – “Makbeth”, “Otello” dhe “Falstaff”, ndërsa sipas Vera Petrovës në të parën nga këto tri opera “simbioza e pabesueshme midis sarkazmës së errët shekspiriane dhe gjuhës muzikore patetike, pasionante e të bukur të Verdit të madh e bën një sfidë të madhe për çdo ekip nxjerrjen në pah të historisë”.
Vera Petrova
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
Regjisorja dhe skenografja Maria Koleva kanë vendosur t’u përmbahen rreptësisht udhëzimeve skenike të Verdit në një interpretim që nuk do ta cenojë historinë e rrëfyer në operë:
“Siluetat dhe dekoret janë Mesjetë – e errët, e tillë siç, për fat të keq, edhe në përditshmërinë tonë të ashtuquajtur të ndritur shohim: vrasje, ambicie, pushtet, gjak. E gjithë bota, e zhytur në gjak ogurzi – asgjë e re nën diell. Por ne e tregojmë në formën e një trilleri fantastik. Me një estetikë shumë interesante të portave gotike – tehe, që japin gjatë gjithë kohës ndjesinë e atij rreziku që na kërcënon vazhdimisht. Kemi një personazh të jashtëzakonshëm pa tekst (në fakt ai është në tekstin e Shakespeare-it), i luajtur nga Aleksandër Aleksandrov – balerini ynë i madh. Shpresojmë t’ju tregojmë një histori që vërtet të jetë fantastike dhe njëkohësisht të ruajë atë triller psikologjik që zhvillohet mes personazheve kryesore. Për mua ky titull nuk jep përgjigje, por shtron pyetjet më të rënda: kush jemi, pse jemi? Pse kemi lindur, a ka kuptim jeta njerëzore dhe nëse ka, cili është ai?...
Marija Koleva
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
Dirigjenti i ftuar nga Italia, Alessandro D’Agostini, deklaroi se në Operën e Sofjes ka takuar një kor dhe orkestër të jashtëzakonshëm me potencial të madh dhe është vërtet i kënaqur nga rezultatet e arritura. Ai i përcaktoi solistët si një ekip të jashtëzakonshëm – këngëtarë të gatshëm të përmbushin të gjitha udhëzimet e Verdit, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme që kjo operë të japë kënaqësi.
Alessandro D’Agostini
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
Baritoni Vencesllav Anastasov, i cili do të interpretojë rolin e Makbeth-it, e njeh veprën që nga fëmijëria e hershme:
Vencesllav Anastasov
FOTO: Facebook/ Vencesllav Anastasov
“Isha tre vjeç kur prindërit e mi Maria Vencisllavova dhe Anastas Anastasov – solistë kryesorë të Operës së Ruses, interpretonin Makbeth-in dhe Ledi Makbeth. Prandaj kjo operë është shumë e veçantë për mua.
Një nga gjërat që i pëlqen veçanërisht primës së Operës së Sofjes, Radostina Nikollaeva, është se në trajtimin e Vera Petrovës Ledi Makbeth nuk duhet të jetë aq mizore. Qëllimi nuk është të demonstrohet mizoria e saj, por pikërisht e kundërta – të tregohet dobësia e saj përmes dashurisë ndaj bashkëshortit. Dhe përmes kësaj dashurie, që shndërrohet në dobësinë e saj, të dalë në pah ana e saj njerëzore dhe fakti që edhe ajo vuan.
“Rol jashtëzakonisht interesant dhe sfidues” – thotë edhe një interpretuese tjetër e Ledi Makbeth-it – Gabriela Georgieva.
Gabriela Georgieva
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
“Ejani të shihni leximin e Vera Petrovës – shumë i thellë, shumë kuptimplotë, shumë provokues ndaj nesh, aktorëve. Faleminderit maestro D’Agostini që është dirigjent që i do këngëtarët, që ndihmon dhe që ka çfarë të thotë, që gjërat të realizohen në mënyrën më të mirë. Në përgjithësi ekipi është i shkëlqyer. Kostumet janë jashtëzakonisht të bukura dhe shpresoj shumë që ajo që do t’ju paraqesim t’ju frymëzojë, t’ju mbushë me energji, t’ju bëjë të mendoni.”
Në vënien e re në skenë të “Makbeth”-it në Sofje, përmasa e produksionit, zgjidhja skenografike dhe përbërja brilante solistike premtojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të sezonit.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski