Seksion
Enjte 26 Shkurt 2026 07:10
Enjte, 26 Shkurt 2026, 07:10
FOTO: arkiva
Madhësia e shkronjave
Filmi dokumentar “Muzika popullore është jeta ime”, i cili ndjek historinë 74-vjeçare të Orkestrës së Muzikës Popullore pranë BNR-së, do të prezantohet më 26 shkurt në Vjenë dhe më 2 mars në Berlin.
“Kjo është një nga orkestrat më të mira në Evropë!”, shprehet Radka Stamenova – regjisore e filmit, duke cituar fjalët e muzikantëve bullgarë me famë botërore, të fiksuara në pamjet që më 18 shkurt u shfaqën për herë të parë para publikut në Sofje. Filmi paraqet interpretimet e brezave të profesionistëve dhe ndjek historinë e orkestrës, e cila fillon në vitin e largët 1952 me krijimin e Ansamblit të Këngëve Popullore pranë Radios Bullgare, që përfshinte një kor, i cili më vonë fitoi famë botërore me emrin “Misteri i Zërave Bullgarë”, si dhe një orkestër të formuar rreth Grupit të Ugërçinit me drejtues Cvjatko Bllagoev – muzikanti, interpretimi i të cilit ishte i pari që u transmetua “drejtpërdrejt” në vitin 1935 – vit pas të cilit fillon edhe kronologjia e BNR-së.
Radka Stamenova
FOTO: BTA
Në realizimin e filmit dokumentar janë përdorur regjistrime arkivore të ruajtura në “Fondin e Artë” të BNR-së dhe BINAR-it, si dhe shumë pamje të ruajtura nga fondi i BNT-së. “Askush nuk nxori asnjë zë gjatë gjithë shfaqjes. Kishte edhe lot në sy, dhe na pyetën se ku i kishim gjetur të gjitha këto pamje. E vërteta është se u përpoqëm të gjenim në arkiva ato që pasqyrojnë më saktë jetën e orkestrës”, tregon Radka Stamenova për premierën në Sofje dhe shton:
FOTO: arkiva personale
“Vendosëm t’i organizojmë shfaqjet në Vjenë dhe Berlin pikërisht tani, për të shënuar Festën Kombëtare të Bullgarisë – 3 marsin. Jam mirënjohëse që Borisllav Petranov, drejtori i Institutit Kulturor Bullgar në Berlin, na përfshiu në program. Fatkeqësisht, në Institutin Kulturor Bullgar në Vjenë programi ishte i plotësuar, prandaj së bashku me shkollën bullgaro-austriake ‘Prof. Ivan Shishmanov’ siguruam një sallë. Fëmijët do të marrin pjesë me valle folklorike, ndërsa drejtoresha Sëllzica Groman na vuri në dispozicion kontaktet, kështu që dërguam ftesa në ambasadë, në IKB, shoqata etj. Na ndihmuan edhe gazetarë nga Bullgaria, të cilët kanë kolegë në Vjenë dhe Berlin, duke i ftuar në këtë ngjarje.”
Sëllzica Groman me fëmijë nga Shkolla Bullgaro-Austriake “Shën Kirill dhe Metodij” – Vjenë
FOTO: arkiva personale
Stamenova ndan se qëllimi i organizatorëve është që filmi të vizitojë edhe komunitetet e tjera bullgare në Evropë, e më pas të dalë përtej kufijve të kontinentit dhe të shkojë te bullgarët përtej Oqeanit. Ndërsa për premierat e ardhshme para bullgarëve dhe të huajve jashtë vendit, ajo u shpreh:
“Mendoj se ajo që do të impresionojë si bullgarët, ashtu edhe të huajt, janë njerëzit dhe interpretimet muzikore. Ansambli dhe valltarët e asaj kohe është e pamundur të mos t’u bëjnë përshtypje! Më kujtohet kur babai im, Cvjatko Bllagoev, udhëtonte me Ansamblin Rinor “Vl. Majakovski”, shpesh tregonte: ‘Të gjithë ngrihen në këmbë kur nisin këngët dhe vallet bullgare’. Edhe unë vetë e mbaj mend që dyert qëndronin gjithmonë të hapura, sepse njerëzve nuk iu dilte vendi në sallë dhe mbushnin korridoret. Në film do të shihni me çfarë lehtësie këndojnë Mita Stojçeva, Giurga Pinxhurova dhe Atanaska Todorova, si edhe si interpretojnë në instrumente Kostadin Varimezon, Cvjatko Bllagoev, Stojan Veliçkov. Është e pamundur të mos mbetesh i mahnitur! Ndërsa të huajt, veçanërisht në Amerikë dhe Kanada, marrin pjesë në formacione vallëzimi dhe mësojnë këngë bullgare. Është fakt që kori i Vanja Monevës, në olimpiadën në Japoni, u ftua të interpretonte himnin e tyre. Çfarë të them më tepër?!”
Orkestra e Muzikës Popullore me dirigjent Boris Petrov
FOTO: arkiva
Radka Stamenova ndau gjithashtu idenë e saj për organizimin e një Festivali Rinor Folklorik në Sofje, me pjesëmarrjen e këngëtarëve, instrumentistëve dhe valltarëve nga shkollat vendore dhe nga shkollat bullgare jashtë vendit, duke u mbështetur edhe në bashkëpunimin e Radio Bullgarisë:
“Duhet të punojmë të gjithë për promovimin e muzikës popullore bullgare, të këngëve, valleve, kulturës dhe zakoneve tona. Kjo do të thotë se Ministria e Arsimit dhe drejtuesit e BNR-së duhet të bëjnë që të ketë më shumë emisione për folklorin, në mënyrë që të promovojmë muzikën bullgare dhe njerëzit tanë, sepse ata janë të mrekullueshëm! Kudo që janë shfaqur bullgarë me valle folklorike, këngë dhe interpretime muzikore, gjithmonë kanë bërë bujë! Prandaj duam ta promovojmë orkestrën, sepse ajo tani përbëhet nga instrumentistë virtuozë dhe madje edhe në film të intervistuarit ndanë mendimin se si ajo nuk ka të dytë dhe ndoshta është më e mira në Evropë, madje edhe në botë!”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello