LAJME

Artikull

Prokuroria Evropiane akuzon Prokuroren Evropiane Bullgare për Shkelje të Rëndë

Enjte, 26 Shkurt 2026, 12:14

Prokuroria Evropiane akuzon Prokuroren Evropiane Bullgare për Shkelje të Rëndë

FOTO: eppo.europa.eu/

Madhësia e shkronjave

Bordi i Zyrës së Prokurorit Evropian ka pranuar fajësinë e Prokurores Evropiane Bullgare, duke e akuzuar atë për një shkelje të rëndë, njoftoi korrespondentja e BNR-së Angelina Piskova.

Emri i prokurores në fjalë nuk bëhet i ditur, por ka të ngjarë të jetë Teodora Georgieva. Për shkak të seriozitetit të shkeljeve të gjetura dhe nivelit të lartë të përgjegjësisë që mbart pozicioni, nuk përjashtohet mundësia që ajo të shkarkohet nga posti i saj.

Kryeprokurorja Evropiane Laura Kövesi tashmë ka informuar Parlamentin Evropian, Këshillin e Bashkimit Evropian dhe Komisionin Evropian për vendimin e Bordit, si dhe mendimin e Bordit Disiplinor mbi procedurën kundër Prokurores Evropiane Bullgare.

Sipas rregullores ekzistuese, vetëm Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian mund të shkarkojë një Prokuror Evropian në rast të një shkeljeje të rëndë me kërkesë të Parlamentit Evropian, Këshillit të BE-së ose Komisionit Evropian. Teodora Georgieva mbetet e pezulluar përkohësisht nga detyra deri në vendimin përfundimtar të institucioneve kompetente.

“Çfarë do të thotë një shkelje serioze? A ka ndikim politik nga figura të caktuara? Dhe në fund të fundit, a nuk është e rëndësishme të dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur?” Prokurorja Evropiane Bullgare bëri pyetje retorike për bTV. Ajo shtoi se pesë gjyqtarë nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së kanë deklaruar se nuk ka shkelje, por një arsye për të imponuar një vërejtje.

Nga ana e tij, Ministri në detyrë i Drejtësisë, Andrej Jankullov, e përshkroi rastin si një tjetër goditje serioze për imazhin e sistemit bullgar të drejtësisë. Sipas tij, kjo jep arsye për të besuar se duhej të ishte bërë më shumë për të zbuluar rrjetet e drejtësisë paralele në Bullgari, një prej të cilëve është “Tetë Xhuxhët”.

 

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva